Shtjellime

Zërat e grave të reja në një shoqëri patriarkale

Ky artikull u realizua në kuadër të programit të mikro-granteve të Grazetës, që mbështet studentët në krijimin e hulumtimeve të bazuara në fakte për çështje shoqërore në Kosovë. Hulumtimet janë bërë në bashkpunim me Departamentin e Psikologjisë, pranë Universitetit të Prishtinës, me mbikëqyrje nga Prof. As. Dr. Kaltrina Kelmendi. 

“Nëse nuk je e dëshirushme prej burrave, çfarë vlere ki ti?” Edhe pse ky tingëllon si koment i ekzagjeruar, është në fakt realiteti i shumë vajzave të reja në Kosovë. Madje, është dukuri multi-dimensionale që shumë shpesh imponohet, në mënyrë direkte apo indirekte, te gratë e vajzat. Mirëpo rrallëherë bëhet pyetja se çka ose kush po i përforcon këto ide e mendime? Pse është normalizuar kaq shumë që e gjithë vlera e vajzave të fokusohet në çfarë roli kanë ato në relacion me burrat? Dhe, më e rëndësishmja, si po i përballojnë ato sfidat që vijnë me të qenurit vajzë në Kosovë? Me kalimin e viteve, lufta për drejtësi dhe barazi gjinore është zhvilluar me vrull të madh dhe në të gjitha mënyrat. Mirëpo, edhe pse ka pasur protesta, demostrata, greva e bojkote të panumërta, gratë përsëri po perballen me diskriminim dhe paragjykim shoqëror e sistematik, e kjo dukuri duket se vetëm është përkeqësuar viteve të fundit. Mirëpo kjo nuk merret me seriozitet; në fakt, sjelljet, mendimet e shprehjet misogjene janë normalizuar në atë pikë sa dëmi që e shkaktojnë ato shpesh herë as nuk vërehet. E vërteta është që dëmi është i madh dhe ka ndikim të jashtëzakonshëm (me apo pa vetëdije) në atë se si vajzat sillen, flasin, vishen dhe si e perceptojnë veten.

Me këtë hulumtim dhe me intervistat që i kemi zhvilluar me gra të ndryshme, jemi munduar të krijojmë një hapësirë që ato të ndajnë përvojat dhe sfidat e tyre që vëjnë në pah të vërtetën e hidhur të të jetuarit si vajzë në Kosovë. Këto biseda kanë treguar se shumë gra të reja përballen me një presion të padukshëm por të vazhdueshëm: një përzierje e frikës nga dhuna, fajësimit shoqëror dhe normalizimit të komenteve misogjene. Gratë të cilat i intervistuam ishin të moshave të ndryshme, prej vendbanimeve e mjediseve të ndryshme mirëpo eksperiencat e tyre ishin shumë të ngjashme: presione për të t’iu përshtatur normave patriarkale, për të qenë “feminine” po jo shumë feminine, për t’i dhënë rëndësi punëve të shtëpisë më shumë se shkollës ose për të pranuar komente e kritika që të vetmen bazë e kanë misogjininë dhe përmbushjen e normave patriarkale.

“Ma se je çikë…”

Edhe pse shumica e vajzave që intervistuam ishin me fat dhe ishin rritur ne familje të cilat i kishin dhënë mbështetje, ato prapë u përballën me paragjykime dhe përpjekje të vazhdueshme për t’i vënë poshtë, si nga rrethi po ashtu edhe nga shoqëria. E nëse nuk e kane ndje atë presion vetë, ka pasë raste që prindërit e tyre kanë marrë kritika e komente për faktin që i “kanë dhënë shumë liri çikës së tyre”. Një grua me të cilën folëm, duke reflektuar mbi përvojat e saj të të qenit e rritur në diasporë, tregoi se edhe pse ka pasë mbështetje të vazhdueshme nga prindërit, këta të fundit janë gjykuar nga rrethi i tyre për lirinë e cila “i është dhënë”: “Me 19 vjet une kom shku me studiu n’Londër, se jom rritë n’Gjermani, edhe babit ju kanë sulë të gjithë shqiptarët e tjerë dhe i kanë thonë “pse po e len çikën me shku atje? A e din se shkon ta merr ni zezak.” Ka pasë edhe raste që paragjykimet e “rregullat shoqërore” të cilat ju kanë imponuar vajzave kanë ardhur me justifikimin e fesë, traditave apo kodit të imagjinuar moral. Mirëpo, nga eksperiencat e ndara, këto justifikime duken se ekzistojnë vetëm në rastet kur shoqëria dëshiron të kontrollojë pavarësinë e vajzave, mënyrën se si ato paraqiten, flasin e e jetojnë jetën e tyre të përditshme. E fatkeqsisht, këto justifikime vijnë nga ana e burrave por edhe e grave, të cilat i japin më shumë rëndësi respektimit të normave gjinore sesa autonomisë së tyre dhe të vajzave tjera.

“Dajaku ka ardhë prej xhehnetit…”

E normalizimi i misogjinisë shpesh herë eskalon në raste më të rënda si ngacmime, dhunë, përdhunim apo edhe vrasje. Por të gjitha këto janë normalizuar në atë shkallë sa për secilën prej tyre, masat gjejnë justifikime të panumërta edhe kur ato nuk ekzistojnë. Një vajzë të cilën e intervistuam u shpreh se edhe pse ekziston një “shock factor” për dhunën ndaj grave, ajo justifikohet si nga mediat, policia apo edhe populli: “Kanë me shpikë histori vetë, nëse nuk ka informacion për qysh ka ndodh qaj sen, qe me justifiku çka ka ndodhë. Nese e sheh një rast n’rrjete sociale edhe hin me i pa komentet, ke me pa të tilla që pa informacion për situatën, kanë me e justifiku ngjarjen tu thonë “po po gratë po tradhtojnë shume”,[…] “po se tash gratë gjithë ditën po dalin jashtë, spo rrijnë n’shpi”…” E këto justifikime dhe trajtimi i këtyre ngjarjeve nga organet përkatëse kanë bërë që edhe viktimat ti shohin këto dukuri si pasoja normale dhe të pritshme të sjelljeve të “këqija” apo të “pamoralshme” të tyre. Mirëpo edhe gratë e vajzat të cilat e shohin realitetin e këtyre ndodhive shprehen se janë të lodhura nga të qenit vigjilente në çdo situatë në mënyrë që të mos jenë viktima të të njejtave krime. Siç e tha më së miri njëra prej vajzave të intervistuara: “Edhe pse palidhje me thonë se tash jom msu, edhe pse nuk duhna unë me u msu me asi sene, we have to constantly fight po edhe qajo është shumë e lodhshme.”

Çka me bo tash?

Mirëpo, edhe pse këto raste janë në rritje, nuk po duket se ka hapësira që këto ngjarje të diskutohen, adresohen apo që autorët e këtyre krimeve të marrin dënime të merituara. Sado e rëndësishme që është për viktimat të kenë një komunitet që iu ndihmon në lehtësimin dhe tejkalimin e këtyre përvojave, gratë e reja që ishin pjesë e hulumtimit u shprehën për përvojat e këqija që kanë pasur me psikologë e me organizata, të cilat kanë justifikuar sjellje të rrezikshme si diçka normale. E në mungesë të kësaj mbështetjeje, vajzat e gratë kanë marrë përsipër vetë parandalimin e këtyre krimeve për veten dhe rrethin e tyre, sipas mundësive: i paralajmërojnë shoqërinë të mos frekuentojnë vende në të cilat kanë pasur eksperienca të këqija, mbajtja e çelësave në dorë duke ecur natën, ndarja e lokacionit me njerëz të afërt etj. Mirëpo edhe këto nuk janë të mjaftueshme e në rastet që këto krime po ndodhin, vajzat e gratë nuk po munden të gjejnë mbështetje as në organet e rendit e ligjit, që e ulë mundësinë e raportimit e këtyre krimeve në radhë të parë. E vetmja zgjidhje për to është që të krijojnë vet komunitete te të cilat gjejnë mbështetje e të ndihmojnë njëra tjetrën në situata të tilla.

E ardhme me shpresa

Megjithëse marrja e informatave dhe edukimi nuk kanë qenë kurrë më të lehta, konservatizmi dhe anti-intelektualizmi janë në rritje. Edhe pse bota po ndryshon me shpejtësi, vajzat e reja sot përballen me të njëjtat kufij që gjeneratat para tyre u përpoqën t’i tejkalonin. E në këtë klimë politike, e ardhmja duket sfiduese, por gratë e reja duken se nuk i kanë humbur shpresat. Sipas participanteve në këtë studim, thelbi i këtij ndryshimi është arsimi, zhvendosja e fokusit nga burrat, dhe fokusi në veten dhe dëshirat e tyre, jo në pritshmëritë e familjes apo shoqërisë. Edhe pse ky ndryshim është i vështirë për t’u arritur, gjithçka është e mundur – e me ndihmën e njëra-tjetrës, mund të ndodhë më shpejt se sa që pritet.

 

About the author

Avatar

Erëza Shaqiri

Erëza Shaqiri është studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, me fokus në psikologjinë kognitive dhe atë sociale. Ajo ka realizuar studime kualitative mbi përvojat e personave transgjinorë me diskriminimin, si dhe mbi sfidat e komunitetit queer në qasjen ndaj shërbimeve të shëndetit mendor. Interesat e saj akademike përfshijnë diskriminimin, dinamikat gjinore, identiteti gjinor, përjashtimin social dhe kulturën.

About the author

Lyra Hyseni

Lyra Hyseni

Lyra Hyseni ka lindur në vitin 2003 në Prishtinë. Përfundoi shkollën e mesme të lartë në gjimnazin e shkencave shoqërore “Ahmet Gashi,” ku edhe i lindi interesi për lëndën e psikologjisë. Aktualisht, Lyra po vazhdon studimet në vitin e tretë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Përveq studimeve, ajo gjithashtu është angazhuar si vullnetare në OJQ me fokus në barazi gjinore edhe fuqizimin e grave si edhe të shëndetit mendor. Ndër to përfshihen organizata si Women4Women, EcoKos Women, ANAK dhe Linja e Jetës. Lyra vazhdon ti ndjekë mundësitë për angazhime të mëtutjeshme të cilat kontribuojnë në mirëqenjën e grave.

Add Comment

Click here to post a comment