Kriteret për filmat në këtë listë janë që filmat të jenë të bërë nga gratë dhe që të shfaqin protagoniste gra që navigojnë e përballen me shoqërinë patriarkale dhe elementet e tjera shtypëse.
Listën si dhe trailer-at mund t’i gjeni më poshtë:
1. The Day I Became a Woman (2000)
Regjisore: Marzieh Meshkini
“The Day I Became a Woman” (Dita kur u bëra grua) është film iranian që shtjellon tre histori grash që gjinden në faza të ndryshme të jetëve të tyre. Të gjitha gratë përballen me shtrëngimet e shoqërisë patriarkale dhe me ëndrrat prej të cilave duhen të heqin dorë. Regjisorja Meshkini ka thënë se si regjisore grua, ajo e kishte veçanërisht të vështirë prodhimin e një filmi në Iran, pasi duhej t’i dëshmonte aftësitë e saj para ekipit të prodhimit dhe të bënte shumë që të pranohej nga ata.
2. A Question of Silence (1982)
Regjisore: Marleen Gorris
“A Question of Silence” (Një pyetje e heshtjes) është film holandez në të cilin një psikiatre e gjykatës i vlerëson tri gra, të trija të huaja për njëra-tjetrën, të cilat janë në gjyq për vrasjen e një shitësi burrë që punonte në butik. Filmi, në kohën kur u lansua, u pa si shumë kontroverz, ndërsa tani vlerësohet si një film klasik feminist.
3. The Watermelon Woman (1997)
Regjisore: Cheryl Dunye
Cheryl Dunye shkroi, drejtoi dhe luajti në filmin “The Watermelon Woman” (Gruaja Shalqi), filmi i parë me metrazh të gjatë me regji të një lezbikeje afro-amerikane. I zhvilluar në përgjigje të fshirjes së grave afro-amerikane nga kinemaja, filmi përshkruan karakterin e Dunye – punonjëse në një dyqan videosh – që zhvillon një marrëdhënie të papritur me një grua të bardhë, ndërkohë që heton historinë e ikonave lezbike të harruara të Hollywood.
4. Fat Girl (2001)
Regjisore: Catherine Breillat
Filmi “Fat Girl” (Vajza Trashalluqe) që titullin origjinal në gjuhën frënge e kishte “A Ma Soeur” (Motrës sime) shtjellon pushimin e një familjeje që në fillim na bën ta përceptojmë si film të lehtë e të lezetshëm. Filmi më vonë trajton dhunën seksuale në mënyrë eksplicite. Me këtë film, regjisorja Breillat morri emrin si autore e “ekstremizmit të ri” që demonstron pashmangshmërinë e seksit e dhunës në film.
5. Wadjda (2012)
Regjisore: Haifaa al-Mansour
“Wadjda” është filmi i parë me metrazh të gjatë i xhiruar tërësisht në Arabinë Saudite dhe i pari që për regjisore pati një grua saudite, Haifaa al-Mansour. Filmi përcjell një 10 vjeçare rebele, e cila hyn në një garë recitimi të Kur’anit për të fituar paratë për një biçikletë, pavarësisht se një gjë e tillë është gati e papranueshme për vajzat në komunitetin e saj konservator.



Add Comment