Vox

LGBTI+ nuk janë prioritet për qeveritarët në Kosovë

Kodifikimi i ligjeve të Kosovës përmes projekt-Kodit Civil që është rekomanduar ka qenë po aq diskriminues sa ligjet e mëparshme dhe nuk sjell asnjë ndryshim në të mirën e personave LGBTI+ në Kosovë. Duke pasur mundësinë të krijojmë një ligj i cili përputhet me Kushtetutën e Kosovës, grupi punues propozon një ligj që nuk garanton barazi por një gjysmë ligji duke na trajtuar si barrë të këtij projekti.

Siç kemi potencuar edhe në reagim kundër propozimit të projekt-Kodit Civil përmes organizatave CEL dhe CSGD, ne kemi dërguar rekomandime tek grupi punues për të krijuar një ligj gjithëpërfshirës që garanton mundësi të barabarta. Ndonëse Kodi Civil ka për qëllim pëmbledhjen e ligjeve, është propozuar që për të drejtën e martesave mes sekseve të njëjta të krijohet një ligj i veçantë. Ky propozim është kryekëput homofobik dhe në kundershtim me Kushtetutën, si dhe në kundershtim me të drejtat themelore të njeriut. Duke pasur mundësinë që Kodi Civil të bazohet në Kushtetutë – që thotë se martesa është mes dy personave, pa specifikuar gjini – është propozuar ligj i veçantë. Një gjë e tillë i bën mëse të qarta motivet homofobike të këtyre propozimeve.

Çka është edhe më e çuditshme në këto raste, janë njerëzit në pozita e me ndikim të madh të cilët shtireshin sikur janë në përkrahjen tonë, mirëpo kur erdhi momenti të shprehin përkrahje, heshtën. Të gjithë u kthyen në agjendat e tyre të kufizuara dhe të kontrolluara e çuditërisht asnjë nga ta nuk ishin pjesë e seancës. Çuditërisht të gjithë qëlluan jashtë vendit! Më ftonin për kafe në kohën e fushatave parazgjedhore të bisedojmë rreth sfidave dhe problemeve, kinse kanë për të ofruar ndihmë kur të jetë nevoja, por jo!

Në secilën mundësi që iu është dhënë pushtetarëve të angazhohen drejt barazisë, na kanë treguar që ne, si LGBTI+, nuk jemi prioritet. Ne për ta jemi një objekt, uniformë për t’u dukur liberalë, të edukuar e tolerantë. Kjo maska e tolerancës të një shteti demokratik është duke rënë e ne po e shohim realitetin.

Sot kemi politikanë në komisione për projekt-Kodin Civil të cilët/at thirren në të drejta të njeriut, që thonë se janë pro të drejtave të barabarta për personat LGBTI+, mirëpo tentojnë të qëndrojnë neutralë ose të zhduken në raste të vendimmarrjes në publik. Kemi politikanë që më mirë e interpretojnë Kuranin se sa Kushtetutën e Kosovës. Asgjë nuk kam kundër fesë, por jam kundër udhëheqjes së një shteti në bazë të bindjeve personale të cilat cenojnë të drejtat themelore të njeriut.

Martesa mes sekseve të njëjta është e drejtë themelore e njeriut dhe logjika e saj është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Shumë homofobë thonë se nëse lejohen martesat mes sekseve të njëjta, nataliteti mund të bie. A na duhen më shumë fëmijë në numër apo më shumë fëmijë të rritur në një ambient të shëndetshëm?

Homofobët mendojnë që është e lehtë për një mashkull gej të martohet me një grua e të jetojë një jetë e cila nuk e përmbush as emocionalisht e as psiqikisht… E, nëse është aq e lehtë, do e kisha sfiduar çdo mashkull heteroseksual të bëjë seks me një mashkull për tërë jetën. Në anën tjetër, kjo është e padrejtë edhe ndaj grave. A nuk ju duket e padrejtë ta detyroni një burrë gej të martohet me një grua e ajo tërë jetën të besojë që burri saj është i dashuruar në të?

E, një gruaje lezbike, kur të martohet, meqenëse i shtypet e drejta të martohet me një grua, marrëdhënia seksuale me “partnerin” mund edhe t’i ngjasojë me përdhunim.

Tash, a më mirë të adoptohet një fëmijë e të rritet në një ambient të dashur e të shëndetshëm apo të vjen në jetë një fëmijë me dhunë e pa dëshirë?

Kur të votohet për martesa mes sekseve të njëjta, mendoni mirë për këto çështje. Ndoshta qëllimet tuaja mund të duken të pastërta, mirëpo ju jeni duke shkatërruar jetë të fëmijëve, të burrave, grave e secilit individ tjetër që është pjesë e komunitetit LGBTI+.

Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.

About the author

Lend Mustafa

Lend Mustafa

Lend Mustafa, i lindur më 02.09.1996, është burrë trangjinor nga Kosova. Ai është aktivist për të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë. Vetëm kur ishte 16 vjeçar, Lendi filloi të angazhohet në organizata joqeveritare që kishin qëllim të arrinin të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, e një gjë të tillë ai ende vazhdon duke punuar në organizatën CEL – Qendra për Barazi dhe Liri. Lendi është burri i parë transgjinor i cili ka dalur hapur në shoqërinë kosovare duke adresuar problemet e personave LGBTI+ në Kosovë.

Add Comment

Click here to post a comment