Sot media të ndryshme raportuan se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.
Aktivistët nga Mitrovica kanë raportuar se do të fillojnë protesta nën slloganin “Thuani emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë.
Protesta do të fillojë nga ora 12:00 të shtunën tek sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Lexoni deklaratën e plotë të organizatorëve:
“Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.
Ky rast veç sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka ne do të kundërshtojmë. Kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.
Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.
Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike.
Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 ne mblidhemi në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes tonë e abuzimit të trupave tanë.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik.”
Linku i eventit: https://www.facebook.com/events/444246456924788/?ti=ls
Add Comment