Krejt-kah-pak

Zoran Vukotiq, serbi i parë që dënohet për krime të dhunës seksuale gjatë luftës

Gjykata Themelore ka dënuar Zoran Vukotiqin me 10 vjet burgim për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lajmi për burgimin e Zoran Vukotiq për 10 vjet, është shumë i mirë përe të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.


Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha tutje se drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë.


“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”.


Ndërkohë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore.


“Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend. QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin. Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor. Ne nuk do të reshtim derisa ta shohim edhe përdhunuesin e fundit prapa grilave”, thuhet në njoftim.