Krejt-kah-pak

Edicioni i parë i Panairit për Shëndetin Mendor organizohet të shtunën në Prishtinë

Shëndeti mendor i grave ndikohet si nga faktorët biologjikë ashtu edhe nga ata socialë. Studimet e ndryshme të realizuara me qëllim kuptimin e çrregullimeve psikologjike te gratë, na ofrojnë më shumë informata mbi proporcionin e zhdrejtë të mënyrës sesi ndikohen gratë nga problemet e shëndetit mendor.

Prania e një niveli më të lartë të cenueshmërisë te gratë mund të jetë si rezultat i ndryshimeve të caktuara fiziologjike si dhe rezultat i faktorëve të tjerë socialë, si: gjendja ekonomike, stresi, dhuna, abuzimi, etj. Problemet e shëndetit riprodhues (p.sh., infertiliteti) te gratë dalin të jenë të lidhura ngushtë me probleme të shëndetit mendor. Po ashtu, gjendja e shëndetit mendor të grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, si gjendje meriton një vëmendje të veçantë për konsiderim dhe trajtim.

Andaj, është shumë e rëndësishme që programet intervenuese në fushën e shëndetit mendor të kenë qasje të ndërtuara edhe mbi baza gjinore.

Këtë të shtunë, më 31 korrik, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) është duke organizuar edicionin e parë të Panairit të Vullnetarëve të Shëndetit Mendor.

Ky panair ka për qëllim promovimin e rëndësisë së vullnetarizmit në përmirësimin e klimës psiko-sociale në vend, ku organizata dhe projekte të ndryshme të shëndetit mendor do të prezantojnë programet e tyre të cilat synojnë uljen e stigmës rreth shëndetit mendor në vend dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për secilin individ në nevojë.

Shumë prej organizatave pjesëmarrëse kanë në fokus barazinë gjinore, mbrojtjen shoqërore dhe edukimin shëndetësor. Në këtë panair secili do ta ketë mundësinë të informohet sesi vullnetarizmi i nisur me përpjekje për t’i përmirësuar dhe avancuar shërbimet sociale dhe ato të shëndetit mendor në vend, është një hap i rëndësishëm për ta ofruar një mjedis sa më të sigurt dhe të shëndoshë për secilin pjesëtar të shoqërisë.

Panairi i parë, por jo i fundit, i këtij lloji do të mirëpresë vizitorë gjatë ditës së shtunë, më 31 korrik, prej orës 10:00 deri 18:00.

Për më shumë informata rreth panairit, shihni vegzën në vijim: www.facebook.com/events/s/panairi-i-vullnetareve-te-shen/244535490468495/

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment