Shtjellime

Slutshaming – paragjykimi moral i vajzave në Kosovë

Çka është slutshaming?

Nocioni “slutshaming” vjen nga fjalët angleze “slut” dhe “shaming” që literalisht përkthehen si “kurvë” dhe “turpërim”. Slutshaming shpreh krijimin e ndjenjës së turpit te çdo vajzë, qëndrimi, sjellja ose pamja fizike e së cilës konsiderohet e tuprshme, provokuese, seksuale ose jomorale.

Kjo patjetër që ndikon në imazhin e grave dhe vajzave në shoqëri dhe i paraprin paragjykimeve të shumta për ato. Të shihesh me një sy të tillë për çështje personale, aq më tepër për veshje, është e ulët. E sikur kjo të mos mjaftonte, edhe në dhunimet seksuale arsyetohen me të njëjtin justifikim – veshja e grave.

Duke marrë parasysh se slutshaming është pjesë e kulturës së përdhunimit pasi shpesh i paraprin përdhunimeve, kjo temë mbet akoma tabu në vendin tonë.

Slutshaming në Kosovë

Ndonëse term i ri, slutshaming në Kosovë ka kohë që është bërë dukuri e përditshme. Këtë e dëshmojnë viktimat e slutshaming. Fjalët e shumta fyese nëpër rrugët e vendit japin pasiguri e ngjallin ndjenjën e frikës te të gjitha grupmoshat e grave. Slutshaming në Kosovë ka lidhje të ngushtë me menyrën e veshjes, si dhe me jetën dhe preferencat seksuale të personave.

“Më ndodhë shpesh kur jam duke ecur nëpër rrugë, njerëzit bërtasin “kurvë” ose ndonjë ofendim tjetër,” thotë për “Grazetën” K. H., 13 vjeçare. “Impakti që këto fjalë kanë tek unë është i papërshkrueshëm. Shpesh e gjej veten në konflikt me vetveten se mos veshja ime ka ndikim në këtë gjë dhe mundohem ta mbuloj veten më shumë nga sytë e njerëzve,” vazhdon K. H. Ajo thotë se kjo gjë nuk i ndodh vetëm asaj dhe se shumica e shoqërisë dhe moshatareve të saj janë pre e këtij fenomeni.

Slutshaming në rrjete sociale

Përhapja e padiskutueshme masive e rrjeteve sociale në jetë ndikoi në rritjen numrit të personave që e praktikojnë këtë fenomen negative edhe në rrjete sociale. Hapja e shumë faqeve në rrjete sociale që pikësynim kanë hiperbolizimin e veprimeve të grave dhe slutshaming si fenomen ndikoi shumë në psikologjinë e viktimave të këtij akti. Këtë më së miri e tregon A.H., e cila ndan me ne njërën nga historitë e saj.

“Format trupore më të zhvilluara se te moshataret e mia shpeshherë më vunë në situata jo shumë të preferueshme. Isha shumë e vogël kur këto llogari të Instagramit filluan të bëheshin trend në rrethin tim. Shumë herë vendoseshin foto të vajzave dhe thashetheme mbi jetët e tyre personale. Foto që as nuk ishin të mijat shumë shpesh publikoheshin se kinse ishin të mijat dhe që në të shumtën e rasteve ishin foto erotike,” thotë A.H. për “Grazetën”, duke shtuar: “Në atë kohë isha 15 vjeçare, por ato foto përmenden edhe sot. Edhe sot shikohem me sy tjetër nga personat përreth.”

No description available.

Vërejmë se viteve të fundit, kjo dukuri në rrjete sociale ka rënie të dukshme por qarkullojnë variante të reja të cilat synim kane degradimin e vajzave.

Slutshaming nëpër institucione publike

Shkolla

Shumë herë, paragjykimi i veshjes së vajzave fillon që në bankat e shkollës, kur ato janë ende fëmijë dhe shumë herë trupi i tyre objektifikohet e seksualizohet edhe nga vetë stafi i shkollës.

Studentja 18 vjeçare R.B. shprehet për “Grazetën” se ngacmimi dhe fjalët e rënda e kanë përcjellë në çdo cikël arsimor.

“Isha në klasë të VI kur e kuptova se ajo që po ndodhte ishte më se e gabuar dhe se veshja ime ishte bërë temë diskutimi në shumë orë mësimore. Ditëve të ngrohta të verës, sipas meje, ishte normale që të vishesha më ekspozuar duke mos menduar se një 12 vjeçare mund të seksualizohej deri në atë pikë,” kujton R.B. për “Grazetën”, duke kujtuar se si asaj i tha mësuesi ta lironte orën.

Kodi i veshjes tani është pjesë e shumicës së shkollave të Kosovës. Por, për shumë nxënës kjo konsiderohet si diçka e padrejtë. Shumë vajza mendojnë se në shumë raste kodi i veshjes i shkollave tona e nxit slutshaming.

Për R.B. fatkeqësisht historitë  e tilla nuk morën fund me mbarimin e shkollës fillore. Ajo rrëfen për “Grazetën” edhe me histori të shumta të ngjashme.

“Uniforma e shkollës së mesme ishte tmerr në kohën e nxehtë. Mbaj mend një ditë kur shiriti i sytjenave në një moment m’u vërejt, krijoi aq shumë problem dhe me gjasa ‘probleme koncentrimi’ në klasë,” kujton R.B.

Policia

Fatkeqësisht, gratë dhe vajzat kosovare nuk i shpëtojnë slutshaming dhe paragjykimit të veshjes së tyre as në Polici, aty ku do të duhej të ishin më të mbrojtura.

“Një ditë shumë të nxehtë të verës, m’u dashtë me shku në stacion policor në Fushë Kosovë me u anku për një dënim pa lidhje që ma kanë bo. Isha tu fol me një polic në recepcion për rastin kur polici tjetër erdhi brenda edhe më bërtiti: ‘Qysh ke ardhë kështu cullak në stacion të policisë,’ kujton për “Grazetën” Melisa 21 vjeçare, duke vazhduar rrëfimin: “Unë e pata vesh një fustan. Më tha me i këqyr shenjat para derës. Nuk ka pas shenjë për veshje te dera dhe vetëm jam largu prej Stacionit edhe kam qajtë prej inati se pse më duhet me u ballafaqu me këto sende në ditët e sotme.”

Si të luftohet slutshaming?

Përgjegjësia kryesore për luftimin e kësaj dukurie negative që çdo ditë e më shumë po dëmton shëndetin mendor të grave dhe vajzave kosovare bie mbi institucionet. Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin kampanja vetëdijesuese mbi efektet negative të kësaj dukurie dhe mbi luftimin e parandalimin e saj.

Një rol të veçantë mund ta luajnë shkollat dhe Policia – e para duke sensibilizuar nxënësit, sidomos djemtë, mbi efektet negative të kësaj dukurie te bashkëmoshataret e tyre vajza dhe e dyta duke marrë seriozisht raportimin e vajzave ndaj kësaj dukurie, sidomos kur paraqesin raste të slutshaming në rrjete sociale.

About the author

Lëndina Balaj

Lëndina Balaj

Lëndina Balaj është studente e vitit të parë në fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe gjithashtu vijon studimet për Dizajn të Modës në Akademinë Evolution. Lendina është aktiviste e të drejtave të njeriut dhe një nga bashkëthemelueset e iniciativës "Traumë, Jo Lojë".

Add Comment

Click here to post a comment