Shtjellime

Siguria e vajzave e grave ende nën mëshirën e fatit

Më 27 gusht 2022, në një park të Prishtinës, një vajzë 11-vjeçare, përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht për 7 orëve nga pesë persona.

Ngjarja tronditi të gjithë dhe ngjalli reagime të shumta rreth sigurisë së vajzave e grave.

Për ngjarjen që tronditi Kosovën ishte thirrur edhe protestë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, CEL Kosova, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social kishin njoftuar se të mërkurën do të protestonin duke nisur nga ora 12:00. Me shkrimet e brohoritjet “Jo, do të thotë Jo”, “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Përdhunuesit në burg”, “Marre”, “Nuk po ndihem e sigurt”, “Edhe sa”, qytetarët/et marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti drejt ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.

Senadi, 25 vjeçar, protestues e aktivist, u shpreh që akte të tilla nuk duhet të jenë vlerë e shoqërisë sonë dhe përmes protestës po e shpreh revoltën ndaj sistemit.

Gjatë ecjes drejt institucioneve, pos tjerash, u kërkua mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

“Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri sa secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna!”, u tha ndër të tjerash në njoftimin e Kolektivit.

Diellza, 22 vjeçare, protestuese, u shpreh që vajzat e gratë janë në rrezik nga djemtë e burrat. Ndër tjerash, ajo shprehet, “Dhuna sistematike institucionale ndaj vajzave e grave, nuk po e ndihmon aspak rregullimin e situatës”.

Edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, e ka qujatur tronditës dhe çnjerëzor dhunimin seksual të së miturës 11 vjeçare.

Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës”, ka shkruar ndër të tjera Osmani-Sadriu.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor”, ka shkruar Kurti.

Por, pasiqë këto reagime ishin vetëm nëpërmjet mediave sociale, qytetarët/et kanë kërkuar shkarkime dhe llogaridhënie gjatë protestës, ku ndër tjerash kanë brohoritë para Qeverisë e Ministrisë së Drejtësisë, “Duam vepra, jo statusa”.

Protestuesit më pas u ulën në shkallët dhe oborrin e ndërtesës së Qeverisë, para së cilës kishte pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilëve iu është shprehur revolta përmes brohoritjeve si, “Ku ke qenë të shtunen”, “Shko në park”, “Sa i ruan aktivistat, ruaje parkun”, e me rradhë.

Gjatë protestës, u kërkua disa herë solidarizim i Policisë së Kosovë që të ulen në tokë, bashkë me të tjerët/at, por kjo gjë nuk ndodhi. Policia ruanin dyert e Qeverisë së Kosovës, e ndonjëherë disa prej tyre buzëqeshnin me parullat e reagimet e protestuesëve/eve.

Protesta ka vazhduar për 6 orë përballë Qeverisë dhe si e tillë u paralajmrua që ishte britma e fundit paqësore. “Trupi ynë nuk është terren kompromisi dhe negociatash. Nëse shteti nuk merr përgjegjësi, ne do organizohemi çdo herë e më shumë e do luftojmë me çdo mjet në dispozicion për sigurinë dhe lirinë tonë”, u tha nga organizatorët përmes mediave sociale.

Për solidarizim, protesa janë zhvilluar edhe në Tiranë e Shkup, ku edhe këtu u kërkua për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

About the author

Artiola Babuni

Artiola Babuni

Artiola Babuni ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencës Politike. Ajo po i vazhdon studimet edhe në departamentin “Menaxhment dhe Marketing” në Kolegjin Riinvest. Aktualisht, Artiola punon në KosovaLive si menaxhere e projekteve dhe është bashkudhëheqëse e GlobalGirl Media Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment