Krejt-kah-pak

132-vjetori i shkollës së parë shqipe për vajza

Sot shënohet 132-vjetori i hapjes së Shkollës së parë shqipe për vajza, e cila hapi dyert e saj në Korçë më 23 tetor 1891.


Në këtë shkollë mësuan shumë nxënëse vajza, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Shkolla u hap me ndihmën e misioneve amerikane dhe angleze që ndihmuan në marrjen e lejes nga autoritetet perandorake të kohës.

Shkolla Shqipe për Vasha luajti një rol të rëndësishëm në çështjen kombëtare, arsimin shqip dhe në fenomenin e emancipimit të gruas shqiptare.

Që nga viti i hapjes së kësaj shkolle deri në vitin 1913, këtë shkollë e kanë ndjekur 1028 nxënëse.
Në vitin 1907 autoritetet osmane u përpoqën ta mbyllnin shkollën, por pa sukses. U tentua përsëri të mbyllej në vitin 1910, por tashmë shkolla ndodhej nën administrimin dhe mbrojtjen direkte të Misionit Amerikan, i cili kishte një marrëveshje me Portën e Lartë për ushtrim të lirë të veprimtarisë.

Shkolla u mbyll më 10 korrik 1914 kur kishte nisur Lufta e Parë Botërore dhe ushtria greke kishte hyrë në Korçë.

Personeli i shkollës në vitet e para përbëhej nga Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim.

Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan, etj.