Në vitin 2012 një grua kishte raportuar që kishte qenë viktimë e dhunimit seksual. Për këtë rast ajo kishte dhënë deklaratën e saj në polici më 13 dhjetor, 2012. Sipas saj në vende të ndryshme ajo ishte dhunuar nga pesë persona. Ajo thotë se ishte kërcënuar vazhdimisht. Në polici ajo kishte thënë se pa dëshirën e saj dhe se përmes forcës fizike, pesë persona e kishin dhunuar. Sipas saj ajo dhunshëm ishte futur në një veturë dhe ishte kërcënuar me fjalët “Ko me të shitë për 2000 euro”. Pasi ishte dhunuar sistematikisht, sipas deklaratës së saj ajo kishte shfrytëzuar një rast kur kishte dalur nga vetura dhe kishte vrapuar për në stacion policor dhe kishte raportuar rastin. Ajo ka thënë se gjatë dhunimit i janë shkaktuar dëmtime trupore si dhe më herët nuk ka pasur mundësi që ta raportojë rastin pasqië vendi ku ka qëndruar kishte qenë i mbyllur.
“Betimi për Drejtësi” ka publikuar hulumtimin “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”. Hulumtimi tregon se gjuha me të cilën ishte arsyetuar ky aktgjykim, ishte gjuhë paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.
“Në pjesën përmbajtjesore Gjykata mbrojtjes së të akuzuarve ua ka falur besimin e plotë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore… Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj… Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara… Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, thuhet në këtë aktgjykim.
Me këtë mënyrë të arsyetimit, gjykata ka ardhur në përfundimin se e dëmtuara heshturazi ka pranuar që të ketë marrëdhënie seksuale.
“Qëndrimi në një dhomë i të akuzuarve si persona të ri me të dëmtuarën në fjalë, e cila nuk ka pasur më shumë se 19 vjeç, në një shtëpi private, duke mos refuzuar e dëmtuara që të qëndroj aty, jep me kuptu se edhe e dëmtuara heshtazi ka pranuar që të ketë marrëdhënie seksuale me ta… Sa i përket asaj që në ditën kritike është paraqitur në stacionin policor në Gjilan, duke e lajmëruar rastin se nga të akuzuarit në fjalë është dhunuar, këtë e ka bërë siç është theksuar edhe më lartë për ta arsyetuar vetën lidhur me qëndrimin e saj ndaj familjes duke konsideruar se tanimë duhet të largohet dhe mos të qëndroj më në Gjilan, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë edhe në forma të tjera, sepse me dhunë nuk kanë pasur kurrfarë interesi që ta mbajnë të akuzuarit pasi që i akuzuari i parë ka qenë i martuar kurse të akuzuarit të tjerë nuk kanë qenë të interesuar që ta marrin të njëjtën për grua”, thuhet në këtë aktgjykim.
Për më tepër, ndiqeni hulumtimin e emisionit “Betimi për Drejtësi”, “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”.
Qytetarët kanë nisur një peticion për pezullimin dhe hetimin e Trupit Gjykues të Gjykatës Themelore të Gjilanit:
Peticioni



Add Comment