Sot në Prishtinë janë zhvilluar dy aksione feministe si reagim ndaj diskriminimit sistematik dhe dhunës ndaj grave.
“Mos i jep zemër dhunuesit”, “Nuk ka arsyetim”, “Sa herë po doni me na vra”, janë disa prej parullave që stafi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK-së) mbante në duar në aksionin e organizuar sot para Prokurorisë në Prishtinë për të ngritur zërin kundër dhunës e vrasjes së grave dhe kundër dënimeve të ulëta që institucionet po shqiptojnë për vrasësit e grave.
Në aksionin tjetër, dy aktivistet e Partisë Socialdemokrate (PSD), Teutë Rrusta dhe Natyra Kuçi, e kanë ndërprerë me fishkëllima fjalimin e kryeministrit Avdullah Hoti në shenjë proteste për gjendjen e të drejtave të grave në Kosovë. “Personalja është politike”, “qeveri patriarkale”, “gratë rrezikohen më shumë nga burrat në shtëpi sesa nga pandemia në rrugë”, ishin disa nga parullat e aksionit në fjalë.
Add Comment