Gratë e fshatit Carrabreg i Epërm të komunës së Deçanit kanë ndërmarrë një nismë shumë interesante dhe të qëlluar. Në një mbledhje që kanë zhvilluar pak ditë më parë, ato kanë dalë me idenë e ngritjes së një monumenti për gratë dhe rolin e tyre në luftën e vitit 1999.
Shpresa Loshaj, një nga iniciatoret e kësaj nisme, në llogarinë e saj në Facebook ka lajmëruar se së shpejti fshati Carrabreg i Epërm do të bëhet me një memorial të këtillë.
Në postimin e saj në Facebook, ajo shkruan se memoriali do t’i dedikohet përvojave dhe rolit të grave në luftën e fundit. “Ideja për këtë memorial ka lindur nga bisedat që kam pasur me gratë e fshatit tonë për përvojat e tyre në luftë dhe veçanërisht për 29 majin 1998, ditën që fshati jonë u sulmua nga forcat serbe,” shkruan ndër të tjera ajo në postimin e saj, duke shtuar se në këto biseda u kuptua se gratë e kanë përjetuar shumë dhimbshëm luftën dhe kanë pasur role kyçe, por se fatkeqësisht roli dhe përvojat e tyre nuk janë të përfshira në narrativën e tanishme të luftës që tregohet për fshatin e tyre apo për të gjithë Kosovën.
Shpresa Loshaj tha për “Grazetën” se gjithë çfarë dëgjojmë për luftën është pak a shumë një narrativë e përgjithshme që në qendër i ka burrat me armë në dorë dhe se shumë pak apo fare dëgjojmë për gratë. Prandaj, vazhdon ajo, ky memorial do të tregojë historinë e luftës, specifikisht të ditës kur u sulmua fshati i tyre, sipas mënyrës si gratë e kanë parë, përjetuar dhe mbijetuar në atë ditë.
“Ky memorial është i rëndësishëm jo vetëm për gratë që e kanë përjetuar luftën që të ndjehen pjesë e historisë por edhe për gjeneratat e ardhshme që të ndërtojmë një histori të drejtë për luftën në fshatin tonë dhe me shpresë në gjithë Kosovë. Do të ishte fatkeqësi dhe mëkat sikur pasardhësit tonë mos të dinin se çka përjetuan dhe si i mbijetuan luftës nënat e gjyshet e tyre,” thotë Loshaj për “Grazetën”, duke shtuar se e ndjejnë si obligim moral që ta lënë pas një histori të drejtë dhe gjithëpërfshirëse sepse, siç thotë ajo, “të gjithë ishim pjesë e luftës për liri”.
Në postimin e saj, Shpresa Loshaj tregon se gjatë takimit të grave të fshatit tanimë ishin dhënë edhe disa ide të mundshme se si do të mund të dukej ky memorial lufte kushtuar grave. “Idetë se si mund të duket memoriali i grave ishin të ndryshme, si për shembull nënat me femijë në krahë, duart e grave të mbledhura dhe të drejtuara kah qielli, duke mbajtur një pëllumb të lirisë, pllaka të njëpasnjëshme me mbishkrime, shtatore e trupit të gruas që përfundon në lule, elemente të traditave të Dukagjinit, etj.,” thuhet në postimin e Loshajt.
Por, se si do të projektohet dhe se si do financohet ky memorial, Shpresa Loshaj tha për “Grazetën” se sapo ta kanë një ide dhe një plan konkret, ato do të kërkojnë fonde nga institucionet publike, qeveria dhe komuna. “Këto të dyja japin fonde për ndërtim dhe restaurim të lapidarëve dhe është e drejtë dhe meritore që edhe memoriali i grave të financohet nga shteti i Kosovës,” tha ajo për “Grazetën”, duke shtuar për fund se edhe donatorët privatë që janë banorë të fshatit janë të gatshëm të kontribuojnë, por se fillimisht ato do të provojnë me institucionet publike.



Add Comment