Në një vend si Kosova, ku furnizimi me ujë e rrymë 24/7 është luks e dhuna me bazë gjinore rritet më shumë se GDP çdo vit, gratë, si të shtypura me shekuj nga patriarkati, duhet të votojnë për veten në rend të parë e pastaj për shoqërinë. Në një shtet ku gratë e përbëjnë gjysmën e popullsisë, ato duhet të vendosin si shumicë për një jetë të dinjitetshme. E, këtë nuk ua përcakton përqindja më e lartë, por puna më e madhe që ato bëjnë.
Në një mentalitet patriarkal, ku kur vihet në pikëpyetje mes shkollimit të një djali apo një vajze nga një familje me kushte të dobëta financiare zgjidhet djali pasi që për prindërit është “investim me kthim”, gratë duhet të votojnë për parti që në programet e tyre politike krijojnë kushte të favorshme të arsimit për të dy gjinitë, në këtë rast bursa ose mundësi tjera më shumë për vajzat e vendit tonë.
Kur ato kryejnë fakultete, për punën e njëjtë do të paguhen më pak, për ta bërë atë punë pranohen më me vështirësi, qoftë sepse pyeten se a mos e kanë ndërmend të martohen (pasi që kalkulohet shtatzania e lehonia), qoftë sepse ju kërkohen favore seksuale. Prandaj, vajzat e gratë e reja duhet të votojnë për programe politike që e kanë të paraparë një politikë ‘radikale’ kundër ngacmimeve seksuale, dhe të kenë një politikë me qasje të favorshme për lehoninë e shtatzaninë, që tentojnë me legjislacion ta luftojnë prindërimin e njëanshëm.
Kur ato lindin, në maternitet nuk trajtohen si qenie njerëzore, trajtohen si objekte prodhuese, ku gjithçka është mekanike; ose thënë ndryshe me shprehjet e maternitetit aktual, “ta ka kajtë, tash mos bërtit”. Pra, deri në këtë pikë ka arritur mungesa e njerzillëkut në instancat e shëndetësisë. Gratë, pra, duhet të ngrisin zërin për njëra-tjetrën, të votojnë parti që e luftojnë punësimin dhe diplomimin me nepotizëm.
Kur ato martohen, për t’u kujdesur për fëmijët, ato si nëna duhet ndarë nga jeta profesionale dhe me këtë rast shumica rezultojnë me humbje te kapitalit human. Pra, gratë, gjatë votimit, duhet të mendojnë mirë se revolucioni është në duart e tyre, madje edhe duke nisur me ngritjen e zërit për politika alternative në hapjen e çerdheve për fëmijë, përkujdesjen me shtesa për nënat, e miratimin e ligjeve të favorshme mbi kthimet në punë pas lehonisë.
Ato, nëse nuk kanë pasur mundësi të shkollohen, kamë mundësi për punësim më se të ulët. Ato “punësohen” me martesë për t’u kujdesur për familjen e burrit dhe shtëpinë si të ishin skllave, veçse sot më ndryshe, disave nuk ua lidhin duart… Për amvisëri nuk ka pagë e as ligj. Ndaj, ato duhet të bashkohen rreth një ideje të tillë që të arguemtnojmë më zëshëm faktin se puna si amvise është punë 12-orëshe në shtëpi. Madje, sikur të ishim në një univers paralel, burimet njerëzore për të do të kërkonin aftësi për të punuar në një presion të lartë dhe durim për të punuar nën ofendime të shpeshta. Gratë duhet të votojnë parti që në programin politik kanë thirrje për sistem të ri të drejtesisë, për sistem të ri social e kulturor.
Kur jemi tek kultura e drejtësia, gra, mendoni e votoni për parti që duan vetingun, që kur të denonconi dhunën familjare, mos të kemi policë që na përgjigjen me “hajt se mirë ta ka ba”, që kur del rasti para gjykatës, të mos ju këshillojnë me “dëgjoje burrin se ai prej dashnisë e ka”. Që të mos kemi gjyqësi e polici të tillë, gra votoni ndryshe, votoni ndryshimin, votoni ata që kanë program politik të njëmendtë për veting. Ky veting do të sjellë mendësi e kulturë të re që ofron qasje të barabartë për vajzat tona në të ardhmen.
Gratë sot duhet të bashkohen më shumë se kurrë. Në vendin e tyre, ndër të tjera, ato janë më shumë se gjysma e popullsisë. E, si mundet më shumë se gjysma e personave të një shteti të kenë vetëm 4% pronë mbi vete?
Luftojeni sistemin që mbjellë në zemër patriarkatin. Gra, votoni për të drejtat tuaja, për ju e për jetët tuaja. Gra, bashkohuni!
Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.



Add Comment