Historitë e grave që sot janë mama në moshë apo gjyshe, mund të duken në pamje të parë si rrëfime imagjinare, por realisht ato janë përjetuar dhe ndoshta janë pak, në krahasim me vuajtjet apo stereotipet që ia kanë kufizuar jetën, vendimmarrjet dhe perspektivën. Megjithatë duhet pranuar po ashtu se shumë prej këtyre zakoneve ende mbizotërojnë dhe komandojnë mënyrën e jetesës së shumë vajzave sot, kryesisht në zona periferike apo rurale. Pak flitet, e pak po ndryshohet për përmirësimin e jetesës së tyre ndaj duhet më shumë lëvizje dhe zë pasi vajzat dhe gratë nuk kanë përse të ndihen më pak me vlerë dhe nuk kanë përse të pranojnë shtypjen.
Në lidhje me këtë realitet sa të largët por dhe aq të afërt po ndajmë më poshtë disa copëza historish nga gra të moshave të ndryshme të cilat kanë rrëfyer pak nga momente të jetës së tyre. Historitë janë përqendruar më së shumti tek fazat e para kur këto gra prezantohen me mamanë e bashkëshortit të ardhshëm. Sipas mentalitetit, fejesa jo pak herë konsiderohet si faza më e rëndësishme e një vajze dhe ajo duhet të jetë e kujdesshme dhe përulëse ndaj njerëzve të burrit të ardhshëm. Dhe e kundërta është për burrin i cili pritet dhe trajtohet si mos më mirë nga ana e familjes së vajzës (nuses).
Lexoni historitë dhe kuptoni zakonet:
Prova e forcës
M. 43 vjeç:
“Mbaj mend që kisha veshur fustan basme që e mbaja për raste. Ishte e diel dhe unë do shkoja nga shtëpia e prindërve të burrit. Një herë vinte ai një herë unë. Megjithëse unë shkoja më shumë. Nëna e tij më dha dorën dhe u puthëm. Nuk ma lëshoi dorën dhe ma mbante sikur donte të ma çmontonte. Ua më tha me këtë dorë do punosh ti?Unë qesha, nuk fola. Atë dore kisha, mendova. T’i ktheja fjalën nuk bëhej llaf se mamaja më kishte porositur 100 herë që vjehrrës kurrë mos ia kthe.”
Prova e vëmendshmërisë
K. 56 vjeç
“Kam patur një vjerrë shumë të rreptë, por nëna ime mi kishte mësuar gjithë hilet. Një gjë që kisha parasysh ishte prova e vëmendshmërisë. Nëse sheh gjë në tokë, më thoshte mamaja, mos e kapërce, hap sytë, merre, vendose në vend, hiqe, hidhe. Këtë e bëri dhe vjehrra ime kur donte te më vinte në provë. Seç kishte hedhur një fije aq të vogël, por unë tak e pashë dhe e mblodha. Ajo e pëlqeu shumë gjestin tim dhe fazën e parë e kalova”.
Prova e nikoqires (nikoqire përdoret për vajzat që janë amvisa shumë të mira)
F. 45 vjeç
“Fejesa ime ka qenë çdo e diel nga shtëpia e burrit për të bërë punët. Do laja shpëlaja nën mbikëqyrjen e vjehrrës. Rrobat që zienin nuk mbaronin. Po hekuri? Të gjitha hekuroseshin. Pastaj mbasdite dilnim bënim xhiron në bulevard. Isha e vdekur nga lodhja, e të nesërmen niste sërish puna e shtetit.”
Prova e kuzhinës
E. 51 vjeçe
“E urreja të gatuaja. Sa herë më thoshte mamaja mëso moj do ikësh te burri. Dhe ajo që shahej do ishte nëna e nuses që nuk ia kishte mësuar. Do bënim byrek tha. Vihej mbulesë (çarçafë) nëpër divane, dhe pjesa e parë e ditës do i kushtohej hapjes së petëve. Unë bëra të parën hiç, edhe pak por më griseshin. Si mund të futej një petë e grisur në byrek? Kur të përtypej do kuptohej dhe do helmoheshim?! Ajo e mori vetë komandën duke më ofenduar nëpër dhëmbë, nuk e di a mua a nënën time”
Prova e “më thirr mami”
T. 34 vjeç
“Vjehrrës i thirret mami, më ka pas thënë mamaja që kur isha 10 vjeç. Kur erdhi koha unë ngeca, më mblidheshin 4 shkronjat në grykë. I dilja para, nxirrja pasthirrma si e si mos t’i thërrisja o ma. Deri sa një ditë më tha: më thirr mama.”
Këto ishin vetëm disa histori, por imagjinoni si ka vijuar jeta e këtyre grave. Që mos të kemi përsëritje të këtyre ngjarjeve duhet ndalur trashëgimia e këtyre zakoneve nga njëri brez në tjetrin.
Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.



Add Comment