Vox

Si sistemi ynë arsimor minon barazinë gjinore

Analiza e teksteve shkollore nga këndvështrimi gjinor në kontekstin Kosovar

Analizat e teksteve të shkollës fillore dhe të mesme në aspektin gjinor në përgjithësi tregojnë stereotipizim të roleve gjinore, konkretisht vajzat vendosen në role gjinore tradicionale, dhe shfaqen të pabarabarta me djemët. Tekste të tilla shkollore vazhdojnë të paraqesin sjelljen e vajzave dhe grave  “të kufizuar vetëm në mjedise të vrazhda dhe role të stereotipizuara”, dhe kryesisht të përfshira në role tradicionale siç janë “një shtëpiake e zonja, një nënë e mirë, një vajzë e urtë dhe e ndershme, etj”.  Në librin “Njeriu dhe Natyra” të klasës të pestë autorët në materialin mësimor pyesin nxënësit “Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?!

Një hulumtim tjetër i bërë nga KEC “Barazia gjinore në librat e leximit në arsimin e detyruar nëntë vjeçar në Kosovë”, rezulton se në librat e leximit të analizuara në shkallën e përfaqësimit të roleve profesionale të burrave në shtojcat figurative, burrat janë dominues në 187 tekste, duke u paraqitur në role profesionale të burrave, ndërsa rolet profesionale të grave paraqiten në 91 tekste më pak sesa burrat. Gratë në këtë hulumtim theksohet se janë në pozitë të diskriminuar sepse vetëm në 3.5% të teksteve me rastin e interpretimit flitet vetëm për gra, ndërsa në 8.6% flitet vetëm për burra.

Ndërsa, sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë, realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese. Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm,dhe të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të biologjisë, edukatës qytetare, historisë, psikologjisë dhe sociologjisë të klasave të 10-12. Një nga 100 formulimet që përçojnë paragjykim dhe stereotip gjinor në tekstin e psikologjisë së klasës së 11-të sipas kësaj analize është “…të dy trurët janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”.

Impakti i procesit të socializimit gjinor në shkolla

Socializimi gjinor është procesi me të cilin ne mësojmë rregullat, normat dhe pritjet që lidhen me gjininë e kulturës sonë. Agjentët më të zakonshëm të socializimit gjinor apo njerëzit që ndikojnë në këtë proces – janë prindërit, mësuesit, shkollat dhe mediat. Përmes socializimit gjinor, fëmijët fillojnë të zhvillojnë bindjet e tyre rreth gjinisë dhe në fund të fundit formojnë identitetin e tyre gjinor. Këto modele, kryesisht përqendrohen në fëmijërinë e hershme, sesi fëmijët e zhvillojnë një koncept të gjinisë së tyre dhe atë të të tjerëve.

Studimet kanë treguar që ky proces fillon që në moshën gjashtë muajshe, dhe midis 11 dhe 14 muajsh, fëmijët zhvillojnë aftësinë për të asociuar shikimin dhe zërin, duke përputhur zërat mashkullor dhe femëror me fotografitë e burrave dhe grave. Deri në moshën tre vjeç, fëmijët kanë formuar identitetin e tyre gjinor. Ata gjithashtu kanë filluar të mësojnë normat gjinore të kulturës së tyre, duke përfshirë cilat lodra, aktivitete, sjellje dhe qëndrime lidhen me secilën gjini. Por, socializmi gjinor vazhdon përgjatë gjithë jetës. Duke mos mohuar aspak rolin e secilit nga faktorët e lartpërmendur në edukimin e nxënësve, një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edukimit që fëmijët marrin nga shkollat dhe materialet mësimore. Përsëri, duke parë tekstet shkollore që iu paraqiten fëmijëve, shumë stereotipe fillestare gjinore janë të pranishëm dhe përforcohen nga mjediset edukative që nga fëmijëria e hershme. Imazhet që fëmijët e vegjël marrin nga këto libra janë: gra me foshnje në duar, apo gra që përgaditin ushqim, ndërsa në profesione si: në gra infermiere, dhe gra mësuese.

Në të njëjtën kohë burrat janë zakonisht ushtarë, duke luajtur një sport prestigjioz, ekzekutimin e një pune të rëndë, dhe, natyrisht në pozita udhëheqëse. Këto çojnë në ndarje të mëtejshme të gjinisë, stereotipizim dhe në perceptimin që gratë duhet të japin dhe të pranojnë dhe burrat duhet të marrin dhe të imponojnë! Prandaj, angazhimi i burrave dhe grave në arritjen e barazisë gjinore kërkon vëmendje shumë më të madhe për stereotipet gjinore dhe pritjet për rolet dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri.

Mësuesit gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin e stereotipeve gjinore. Mësuesit shpesh kanë pritje të ndryshme për studentët djem dhe vajza, sepse ndonjëherë mundohen të lehtësojnë procesin edukativ-arsimor  duke e shënuar gjininë si të rëndësishme dhe duke e përdorur atë për të etiketuar dhe organizuar nxënësit, mirëpo nuk janë të vetëdijshëm se po bëjnë paragjykime gjinore tek fëmijët. Stereotipet e tilla vazhdojnë të vendosin theks të madh, si dhe vlerë më të madhe, në rolin e burrave dhe djemve në jetën publike dhe në vendin e punës, në krahasim me rolin e grave në punën e papaguar të familjes, dhënien e kujdesit dhe punën në komunitet. Shoqëria patriarkale është një shoqëri e dhunshme. Por, dhuna është diçka që mësohet, dhe për ta luftuar atë na duhen metoda të tjera të mësimdhënies dhe një hapësirë për ta diskutuar atë hapur. Kjo hapësirë u mungon djemve dhe vajzave.

Për të ndryshuar këto modele, është e nevojshme një rimendim i plotë i procesit të socializimit gjinor dhe arsimit në përgjithësi, dhe shumë më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet metodave të mësimdhënies për vlera të barabarta si për djemtë dhe vajzat. Djemtë gjithashtu mund të qajnë, dhe vajzat mund të jenë të forta!

About the author

Alba Hajdini

Alba Hajdini

Alba Hajdini është Psikologe e diplomuar dhe është në përfundim të studimeve Master në drejtimin Psikologji Shkollore dhe Këshillim. Punon si Asistente Administrative në MASHTI dhe Psikologe Këshillimi në klinikën “Empatia”. Ka marrë pjesë në konferenca dhe trajnime për çështje të ndryshme të edukimit dhe shëndetit mendor.

Add Comment

Click here to post a comment