Vox

Profesionet pink për gratë

“Kë do më shumë nga prindërit?” dhe “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” mund të jenë pyetjet të cilat kanë qenë pjesë e fëmijërisë së shumë prej nesh, e derisa e para përherë shkaktonte tension për nga ngushtësia e përgjigjes që kërkohej, e dyta ishte krejt e kundërt, pikërisht për shkak se aty horizonti i dëshirave dhe imagjinatës nuk haste kufij. Ndonëse të panjohur hollësisht me detajet e profesionit, entuziasmi për t’u bërë pjesë e botës së të rriturve dhe për të jetuar frymëzimin që ndryshonte nga koha në kohë e nga njëri film vizatimor në tjetrin, arsyetonin zgjedhjet tona të cilat gjersa perceptoheshin si “të fëmijëve” ishin krejtësisht në rregull dhe të pranueshme nga shtatlartit. Mirëpo kalimi nga “fëmijë” në “vajzë” e “djalë”, duket se përbënte ndryshim. Kjo nuk kishte të bënte shumë me thurjen e dëshirave se sa me përshtatjen e asaj thurjeje brendapërbrenda një thurjeje tjetër: atë të roleve gjinore të ndërtuara nga shoqëria.

E përcjellur dhe nga procesi i fuqishëm i socializimit me të katër agjentët e saj: familjen, shkollën, bashkëmoshatarët dhe masmedian, përbrendësimi i roleve gjinore bëhet thuajse i natyrshëm ashtu që nga lojërat me kukulla për vajzat, kalimi në mëmësi si funksion kryesor i gruas bëhet lehtësisht i pamohueshëm, ashtu edhe për një djalë në kalimin nga lojërat jashtë shtëpisë (në domenin e publikes) dhe me armë, në burrin vendimmarrës i cili ka përparësi të udhëheqjes dhe përgjegjësive racionale, meqë ato emotive thirren e justifikohen biologjikisht me gratë.

Kësisoj mënyra se si gjinia si konstrukt social ndërton pritshmëri të caktuara të sjelljes dhe i strukturon ato, bën që vendimi i karrierës për vajzat adoleshente të jetë i ngjyrosur kulturalisht me atë se çfarë titulli i tyre i ardhshëm si grua duhet të bëjë dhe ku e ka vendin. Këtu flasim për stereotipet gjinore të cilat definohen si perceptime të përgjithësuara se si mendohet të jenë dhe duhet të jenë performimet e sjelljeve dhe roleve të grave dhe burrave në shoqëri.

Në kuptimin e zhveshur nga lokaliteti gjeografik, për gratë kjo del të jetë sfidë e radhës pas asaj të fitimit të së drejtës së shkollimit dhe heqjes së idesë se investimi në edukimin e grave është harxhim koti, ide kjo që ka jehuar përgjatë shekujve të kaluar. Megjithatë është interesante se si me rritjen e shkollimit masiv të grave, qysh në fillim hapen departamente të veçanta për gratë – për të mos pasur përfshirje me burrat, apo mbahen edhe kurse të veçanta amvisërie, dhe kjo përsëri shënjon shoqërimin e hijes së konsiderimit të grave në hapësirën private dhe në shërbim të të tjerëve në familje, pra në të ashtumenduarin, habitat natyral të tyre. Megjithatë sot edhe pse nuk ka departamente të tilla studimi, joformalisht dhe në heshtje vazhdon të jetë i nxitur algoritmi i kombinimit të fushës së studimit me rolin e gruas, ashtu që sa më e mirëkoordinuar të jetë kjo lidhje, aq më shumë ulen gjasat e paragjykimeve se përkushtimi në karrierë e bën një grua të paaftë për t’u marrë me punët e shtëpisë a familjen, e në raste të tjera edhe për të neutralizuar kundërshtimin patriarkal mbi pavarësimin intelektual të gruas. Njëri nga profesionet më të famshme në këtë kuptim është ai i mësimdhënëses, kryesisht në ciklin e ulët dhe të mesëm të lartë shkollor, meqë si natyrë e punës përngjan mjaftueshëm me rolin e mëmësisë dhe njëkohësisht pretendohet të sigurojë më shumë kohë në përkushtim ndaj familjes dhe detyrimeve të tjera që derivojnë nga të qenurit grua në shtëpi. Mirëpo në të njëjtin kuadër, atë të mësimdhënies, veçse në nivel akademik, statistikat e grave në krahasim me burrat dallojnë ndjeshëm: ta zëmë në Universitetin e Prishtinës me tituj akademikë janë 123 gra dhe 356 burra. Kjo flet për problemin tjetër, atë se sa pak grave u përbrendësohet bindja se arsimimi është aspekt qendror i jetës së tyre e jo vetëm aspekt kalimtar që mbaron në një X moshë e cila do të duhej të veçohej për angazhime të tjera jetësore.

Gjithashtu përfshirja e paktë e grave në akademi lidhet me vështirësitë që gratë hasin shumëherë më shumë në përkushtimin ndaj studimeve të cilat janë në kohëzgjatje më të madhe dhe duke qenë të paramenduara se ato duhet të bëjnë suksesshëm edhe rolin e gruas, motrës, vajzës, nënës etj., koha e përkushtimit ndaj studimeve nuk bëhet aq ekskluzive në krahasim me burrat. Prandaj studimi në degët si mjekësia që zgjasin me vite të tëra bëhet më pak e zgjedhur pikërisht duke u nisur nga koha e cila që në fillim, në moshën e adoleshencës kur mirret vendimi për studime universitare, duhet të përllogaritet se si dhe ku do të delegohet. Në anën tjetër, me t’u bërë nëna, shumë gra anashkalojnë madje dhe braktisin studimet e tyre, çështje e cila do të duhej të kishte trajtim adekuat nga institucionet përkatëse. Në fund, ky rrugëtim i shkurtë akademik i grave flet edhe për përjashtimin e tyre nga prodhimi i dijes dhe mënyrës se nga kush zotërohet dhe përcillet ajo në përgjithësi.

Patjetër që lista e profesioneve të ngjyrosura me pink-un për vajza e me të kaltërtën për djemtë, po pëson tkurrje dita-ditës dhe kjo të gëzon, megjithatë ajo se çka nevojitet është që të prodhohet më shumë vetëdijësim dhe mbështetje në orientimin dhe zgjedhjen e karrierës ndaj vajzave dhe djemve, të ketë më shumë politika dhe përpjekje për çlirimin e tregut të punës nga profesionet e gjinorizuara, të ulet diskrepanca mes pagave të grave e burrave që kanë të njëjtën përgaditje a vend pune, të ofrohen shanse të barabarta në mobilitetin vertikal në karrierë e pozicione pune e kështu me radhë. Për këtë ndryshim, receta duhet të përpilohet nga hapa të thjeshtë që mund të fillojnë nga pastrimi i teksteve shkollore e filmave vizatimorë që portretizojnë role të caktuara gjinore e deri në artikulimin e duhur mbi gjininë si një konstrukt social që riprodhohet shoqërisht e jo biologjikisht në kontekset jetësore.

About the author

Trina Hoti

Trina Hoti

Trina Hoti është studente e vitit të dytë në Departamentin e Sociologjisë, Fakulteti Filozofik. Që në moshën 13 vjeçare ajo është angazhuar në avokimin për të drejtat e fëmijëve duke qenë kryesuese e Asamblesë Komunale të Fëmijëve - Prishtinë dhe më pas e grupit monitorues të të drejtave të fëmijëve Respect Our Rights, ndërsa aktualisht është fasilitatore e Grupit Referues të të Rinjve në programin e UNICEF-it në Kosovë. Në cilësinë e delegates së të rinjve kosovarë, Trina ka përfaqësuar Kosovën në dy ngjarje ndërkombëtare, siç është ajo e Javës Evropiane për Veprim për Vajza (viti 2018) dhe në samitin e Ballkanit Perëndimor “It takes two to tango: the Western Balkans between hope and reality” (viti 2019). Po ashtu, ajo ka takuar vendimmarrës të lartë kosovarë dhe jo vetëm, dhe ka udhëhequr disa herë seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës me rastin e ditëve ndërkombëtare të fëmijëve.

Add Comment

Click here to post a comment