Shtjellime

“Mos ta nin, a je djalë?”

Kur Bind Skeja ishte fëmijë dhe kishte probleme me ankthin, përgjigjja që merrte nga shoqëria kur kërkonte mbështetje emocionale, nuk ishte aspak ajo që priste.

“Mos ta nin, a je djalë?’’, i thoshin të tjerët kur ai tregonte që ka nevojë për ndihmë emocionale. Si fëmijë Bindi nuk e kuptonte që kjo vinte pikërisht nga mënyra se si rriten djemtë dhe vajzat në shoqërinë tonë. Djemtë nuk qajnë dhe nuk kanë nevojë për mbështetje emocionale.

“Kjo dhe përvojat e tjera që e kanë vu në pyete maskulitetin tim prej një moshe të hershme, sot e kuptoj si simptomë e sistemit ku jetojmë”.

Ndonëse Bindi është rritur në një familje ku punët nuk janë ndarë në baza gjinore, ai shprehet që ka qenë e pamundur pa u ndikuar nga agjentët e tjerë social.

“Shtypjen e cila e ndjeja ka qenë kryesisht nga presioni për me u sillë në mënyra të caktuara krahas shprehjes emocionale time. Sot, nuk e shoh më vetën të shtypur po si person në luftë me rregullat e pashkruara që shoqëria i cakton ndaj ndjenjave të burrave”.

Bindi e kupton që edhe nga shtypja që i bëhet atij nga shoqëria patriarkale, gëzon më shumë të drejta se personat e tjerë.

“Si burrë heteronormativ, unë gëzoj të drejtën që të revoltohem pa u vrarë, përdhunuar dhe heshtur në mënyrë të dhunshme. Në këtë mënyrë, sado paradoksale, edhe shtypja ime është më e privilegjuar në krahasim me përvojat e grave, dhe përvojat e komunitetit LGBT+”.

Bindi që është themeluesi i organizatës joqeveritare “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social”, e thotw që si një burrë që jeton në Kosovë, ka disa privilegje që gratë dhe personat që i përkasin komuniteteve të margjinalizuara nuk i kanë, prandaj përmes punës së tij mundohet që të ngritë zërin kundër tyre.

“Ndihem i privilegjuar çdo natë që muj me ecë pa shoqërim, pa e thirr dikon në telefon dhe pa u ndjerë në rrezik. Ndihem i privilegjuar në takime me palë të ndryshme, kur mendimi im dëgjohet më qartë se sa koleget e mia (edhe pse e thojmë të njëjtën gjë). Ndihem i privilegjuar që nuk kontaktohem prej predatorve dhe tipave të ndryshëm në rrjete sociale. Pra, shpesh e shoh vetën të privilegjuar”.

Për të luftuar steriotipet gjinore sipas Bindit ndryshimi së pari duhet të fillojë nga vetvetja, duke u zhveshur nga sjelljet dhe mendimet të cilat imponohen nga sistemi patriarkal.

“Ne ekspozohemi prej burimeve të ndryshme, (qoftë mediat, bisedat me persona të ndryshëm, reklama, etj) ndaj mentalitetit patriarkal; nuk është çudi nëse në mungesë të njohjes së vetvetes ne paraqesim sjellje dhe mendime të cilat janë të imponuara. Është mirë të ndihemi të revoltuar ndaj vetvetes kur i dallojmë këto sjellje/mendime, se na qojnë drejt përmirësimit. Pra, për mua kisha thënë se manifestohet në formë të vazhdueshme të rinjohjes sime dhe të vlerave të mija”.

Nga një Bind që dikur merrte për përgjigje ‘mos ta nin, a je djalë?’ tani ai është shndërruar në një person që heshtjen e së kaluarës e ka kthyer në revoltë të së tashmes.

“Të qenit i dashur, i butë dhe i kujdesshëm është parë si dobësi”

Besnik Leka është rritur në një familje me pesë fëmijë. Babai i tij është kujdesur gjithmonë për të pestë fëmijët dhe punët e shtëpisë janë ndarë në mënyrë të barabartë mes të dy prindërve. I rritur në një frymë të tillë, Besniku ia dedikon prindërve gjithë meritat pse ai tani është një burrë feminist.

“Të dy prindërit na kanë motivuar që t’i tejkalojmë dhe t’i sfidojmë këto norma”.

Por jashtë dyerve të shtëpisë trajtimi që ai merrte krahas motrave ishte i ndryshëm.

“Si fëmijë i vogël dallimi i cili i është bërë motrave për dallim nga mënyra se si më kanë trajtuar mua shoqëria, më kanë bërë të vetëdijshëm që ne nuk trajtohemi në mënyrë të barabartë”.

Shtypjen e ka ndier edhe në lëkurën e tij. Besniku shprehet që ai është një person shumë i dashur, prandaj shpeshherë është paragjykuar nga shoqëria.

“Sistemi patriarkal përveç që ka dënuar shumë vajza dhe gra, ka dënuar dhe diktuar edhe stilin e jetesës edhe për shumë burra dhe djem. Të qenit i butë, i dashur dhe i kujdesshëm është parë si dobësi”.

Njëjtë si Bindi ai e kupton që padrejtësisht i ka disa privilegje nga të qenit burrë që jeton në Kosovë.

“Fakti që liria ime për të dal në çdo kohë, duke u ndier i sigurt dhe duke mos pasur frikë nga ngacmimet e mundshme në rrugë, më kanë bërë të ndihem më i sigurt apo edhe i priviligjuar”.

Shtypjen që e ka ndier si burrë që jeton në një shoqëri patriarkale, Besniku kryesisht e lidhë me pamundësinë për t’i shprehur lirshëm ndjenjat dhe për të qenë vetvetja. Për t’i luftuar këto padrejtësi që u bëhen edhe burrave ai përmes punës së tij 15 vjeçare në organizata joqeveritare është mundur t’i luftojë steriotipet gjinore.

Përmes klubit “Bonu Burrë” ku Besniku ishte një nga nismëtarët ai është mundur që t’i sfidojë rolet gjinore, duke u kërkuar burrave që t’i bashkohen lëvizjeve feministe për të promovuar të drejta të barabarta për të gjithë.

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment