Shtjellime

Vezoret Policistike: Jeta dhe (mos) mjekimi

Sindroma e Vezoreve Policistike (PCOS) është një çrregullim hormonal tek gratë në moshën riprodhuese. PCOS shkakton cista të vogla në shtresën e jashtme të vezoreve dhe si pasojë gratë me vezore policistike kanë cikël jo të rregullt menstrual për shkak të hormonit mashkullor të quajtur androgjen.

“.. Në një periudhë të shkurtër nuk isha më e njëjta”

Kur Fortesa Raifit i kishin ardhur menstruacionet për herë të parë, ajo kishte qenë në klasë të tetë të shkollës fillore. Nga ajo që kishte dëgjuar nga nëna dhe çka kishte lexuar, ajo e dinte që periodat të vinin një herë në muaj – së paku tek shumica e grave. Por jo në rastin e saj! Pas herës së parë ajo i priste menstruacionet edhe në muajin pasues, por kjo gjë nuk ndodhi.

Ndonëse cikli menstrual supozohet të jetë i përmuajshëm, Fortesa që nga hera e parë ciklin menstrual e kishte një herë në katër muaj apo edhe më rrallë. Ajo pak dinte atë kohë që menstruacionet jo të rregullta ishin simptomë e Sindromës së Vezoreve Policistike dhe që fiziku dhe gjendja emocionale e saj do përjetonte ndryshime drastike.

Gjatë adoleshencës ajo pësoi ndryshime të mëdha në fizik dhe për dallim nga shoqet me cikël të rregullt menstrual, ajo filloi që të kishte efekte më të dukshme që vinin si pasojë e menstruacioneve jo të rregullta.

“Ndryshimi më i dukshëm kanë qenë aknet të cilat janë shkaktuar nga çrregullimet hormonale. Nuk kisha pjesë në fytyrë në të cilën nuk kisha akne, madje akne kisha edhe në pjesën e prapme të qafës. Shtimi i peshës së menjëhershme ishte bukur i dukshëm, në një periudhë super të shkurtë nuk isha më e njëjta”.

Përveç shtimit të peshës, gratë me vezore policistike një prej simptomave e kanë edhe hirsutizmin (qimet në fytyrë) që ndodh për shkak të hormonit androgjen.

“Rritja e tyre nuk ishte normale. Nuk është që kjo gjë nuk e ka tund vetëbesimin tim”, shprehet duke qeshur me zë teksa tregon për luftën e përditshme që e kishte me qimet që për shkak të PCOS-it rriteshin tej mase.

Për ta mbuluar këtë problem ajo refuzonte që të vishej si dikur e që të dilte mbrëmjeve siç bënin moshatarët e saj.

“Fillova të mos ndihem rehat, fillova të vesh rroba të cilat nuk ishin të masës sime por që patjetër duhesha t’i vesh që t’i mbulohem e të mos ekspozohem. Refuzoja të dilja në mbrëmje pasi nuk ndihesha rehat me dukjen time”.

Ndryshimet në fizik tek një adoleshente siç ishte në atë kohë Fortesa, ndikonin tej mase edhe në vetëbesimin e saj, duke ndikuar edhe në mësime. Por ajo që e shqetësonte më së shumti atë, ishte ndryshimi i humorit që po ndikonte edhe në relacionet e saj me njerëzit e dashur.

“Isha gjithmonë e lodhur, kisha ndjesinë e urisë edhe nëse nuk isha realisht e uritur. Isha super agresive, bëhesha nervoze shumë shpejtë dhe për të mos i larguar njerëzit e mi të afërt, fillova të distancohesha nga ata. Rrjedhimisht, nga një person që ishte super aktive në aspektin social, më nuk isha”.

Mjekimi me medikamente, i vështirë për shëndetin mendor

Ndryshimet e mëdha që pësoi për një periudhë të shkurtër kohore e bënë Fortesën, atëkohë adoleshente, dhe nënën e saj, që të drejtohen tek mjekët.

“Me kohë fillova të rritesha e bashkë me mua u rritën edhe problemet me hormone. Me mungesë të paraqitjes së periodave, rritja e qimeve me sasi tejet të madhe, shtimi i peshës e të gjitha këto ishin faktor që medoemos duhet të drejtohesha tek një endokrinolog për të parë se çka nuk ishte në rregull me mua”.

Ishte pikërisht kjo vizitë që e bëri atë të kuptojë që në fakt vuan nga Sindroma i Vezoreve Policistike (PCOS). Diagnostifikimin me vezore policistike nuk e priti aspak lehtë.

“Kam shkuar tek një gjinekolog dhe u konstatua që kam vezore policistike por sipas meje e kishte gabim dhe shkova tek një gjinekolog tjetër, ku edhe ky i fundit ma dha po të njëjtën përgjigje. As kjo nuk mjaftoi, vendosa të shkoj jashtë vendit dhe mora po të njëjtën përgjigje”.

Vizitat tek gjinekologët dhe endokrinologët do të bëheshin rutinë për Fortesën.  Të gjitha kontrollet përcilleshin me një ngarkesë të madhe emocionale për të. Në përgjithësi ajo shprehet që mjekët ishin shumë të hapur dhe flisnin me terme të përditshme për gjendjen e saj por thotë që nuk e harron asnjëherë se si është pritur nga një mjek. Nëse Sindroma e Vezoreve Policistike nuk trajtohen me seriozitet atëherë gratë që vuajnë nga kjo, kanë rrezik më të lartë të sterilitetit. Fortesa ishte e vetëdijshme për këtë fakt ndonëse mënyra se si iu transmetua nga një mjek sipas saj ishte tronditëse.

“Në momentin kur i jam drejtuar më është përgjigjur: “Ani de, se fëmijë nuk je tu dasht por edhe me dasht, nuk mundesh”. Fatkeqësisht po i citoj këto fjalët e mjekut që për mua kanë qenë tejet shokuese dhe kanë ndikuar në aspektin tim emocional”.

Kjo eksperiencë nuk e ndaloi që të kërkojë ndihmë nga mjekët e tjerë. Pas konsultave me gjinekolog dhe endokrinolog asaj i sugjeruan që të përdorë këto medikamente: Kontraceptiv “Diana”, Inositol dhe Metformin (1000 miligram). Këto ilaçe parashihej t’i konsumonte çdo ditë në mënyrë që cikli menstrual të vinte çdo muaj. Deri këtu në rregull po të mos ishte puna e efekteve të tjera anësore. Ajo çfarë mjekët nuk i kishin komunikuar kishte të bënte pikërisht me efektet anësore të këtyre medikamenteve.  Për shkak të terapisë cikli menstrual ishte i rregullt por Fortesa shprehet që më “emocionalisht nuk ishte e njëjta”.

Ndonëse ishte e dërrmuar sa i përket aspektit mendor, ajo vendosi që të vazhdojë me terapinë pasi në fund të fundit cikli menstrual po i vinte çdo muaj dhe simptomat fizike po zbeheshin.

“Kisha dhimbje të tmerrshme, dhimbje koke të tmerrshme sa filloi të bëhej e përditshme. Kisha ndryshim të humorit, kisha dhimbje në pjesën e poshtme të stomakut, kisha të vjella kohë pas kohe, sidomos pasi merrja një tablet nga Metformini. Kisha marramendje për një periudhë të caktuar kohore ku pas saj patjetër më duhej të shtrihesha sepse humbisja ekuilibrin dhe nuk kisha forcë të ecja”.

Në muajin e parë pasi filloi terapinë ajo mendonte që do të ishte e gatshme të shoqërohej sërish me njerëz, por efektet e medikamenteve në shëndetin mendor ia pamundësuan këtë gjë. Ndonëse më nuk i kishte simptomat fizike si shtimi i peshës apo edhe rritjen e qimeve, ndikimi i ilaçeve ishte bërë i padurueshëm.

“Isha në një stad që gjithmonë isha e nervozuar, isha në vaj dhe gjithmonë isha unë ai personi që e prishte atmosferën me reagime të papranueshme, edhe për më të voglin detaj. Thënë shkurt gjithë çfarë bëja ishte relacioni punë – shtëpi dhe asgjë tjetër, duke u munduar të kem kontakt minimal me kolegë, shok e shoqe”.

Ndonëse në fillim të terapisë Fortesa mendoi që do të mund t’i përballojë efektet që vinin bashkë me ciklin e rregullt menstrual, më vonë e kuptoi që efektet e shumta anësore po ia vështirësonin përditshmërinë. Vazhdimi i terapisë nuk ishte më opsion për të, prandaj përveç konsultave me mjekët ajo filloi të lexojë për eksperiencat dhe metodat që gratë e tjera me PCOS i përdornin.

“Mjekja më sugjeroi që nëse nuk do merrja terapi atëherë duhet të kem aktivitet fizik dhe të kujdesem për ushqimin. Fillova një dietë të thjeshtë duke përdorur vetëm ushqime të shëndetshme dhe konsumoja më tepër ujë, pemë dhe perime”.

Vite pasi ka vendosur që të mos përdorë më terapi  për rregullimin e ciklit menstrual, ajo me kujdes në ushqim dhe me ecje së paku gjysmë ore në ditë, ka arritur që të stabilizojë pasqyrën hormonale dhe ka cikël të rregullt.

Diagnostifikimi dhe trajtimi i vezoreve policistike

Sipas PubMed Central botërisht 26.7 për qind e grave nga mosha 15 deri në 44 vjeç vuajnë nga PCOS. Në Kosovë nuk ka të dhëna zyrtare se sa gra janë me vezore policistike por sipas gjinekologut Fatos Muhaxhiri çdo ditë në Spitalin ‘Fati Im’ ku edhe punon, vjen së paku një grua që diagnostifikohet me PCOS.

No description available.
Fatos Muhaxhiri

“Zakonisht lajmin për vezoret policistike nuk e presin dhe aq mirë, pacientët mendojnë që kanë të bëjnë me një çrregullim i cili nuk trajtohet. Kjo zakonisht ndodh tek pacientët të cilët nuk kanë dëgjuar për këtë çrregullim më parë”.

Sikur edhe shumë çrregullime të tjera shëndetësore edhe vezoret policistike janë trashëguese.

“Për arsye se sindroma e vezoreve policistike është sëmundje autosomale dominonte bën që të ketë çrregullime sidomos tek gjenet të cilat janë përgjegjëse për sintezën e androgjenëve dhe gjeneve të cilat janë përgjegjës për obesitetin dhe rezistencën insulike”.

Muhaxhiri thotë që me pacientet me PCOS duhet me patjetër që përveç me gjinekologun të konsultohen edhe me endokrinolog, për arsye se PCOS është çregullim endokrin që shoqërohet me disbalancim të shumë hormoneve. Diagnostifikimi i vezoreve policistike, sipas Muhaxhirit, mund të bëhet në disa mënyra.

“Me anë të shenjave klinike dhe simptomave që kanë të bëjnë me çrregullimet ciklike, pastaj hirsutizmi, aknet, rënia e flokëve. Metoda tjetër me anë të ultrazërit e cila është një metodë e cila ndihmon vizualizimin ultrasonografik të vezoreve policistike si dhe me anë të analizave hormonale”.

Sipas Muhaxhirit simptomat fizike që gratë me vezore policistike i kanë, reflektojnë edhe në gjendjen e tyre emocionale.

“Vezoret policistike shkaktojnë ndryshime që janë aspak të dëshirueshme për trupin e grave, ndryshime këto të cilat menjëherë reflektohen në gjendjen e tyre emocionale, sidomos tek ato të moshave të reja. Kjo bën që gratë të jenë shumë të ngarkuara psiqikisht dhe të shqetësohen për pamjen e tyre”.

Nëse PCOS mbetet e patrajtuar, sipas Muhaxhirit kjo ndikon drejtpërdrejt në fertilitet, prandaj ai thotë që gratë që kanë vezore policistike duhet t’i nënshtrohen tretmanëve mjekësore. Por jo gjithmonë medikamentet janë për secilën grua, pasi gratë të cilat kanë së paku tetë cikle menstruale brenda vitit mund të trajtohen me mënyra të tjera.

Kurse për ato gra për të cilat ilaçet janë të domosdoshme, Muhaxhiri shprehet që efektet anësore janë nga më të ndryshmet, për shkak që pilulat përmbajnë estrogjen dhe progestin.

“Si rezultat i vlerave të shtuara hormonale gjatë përdorimit të kontraceptivëve oral të PCOS rritet rreziku për mpiksje të gjakut, atak në zemër (sidomos tek gratë me mbipeshë), dhembje koke, migrenë, probleme me mëlqinë, shtypje të lartë arteriale, shtim në peshë, ndryshim humori, stres, depresion, marramendje, ngërçe barku, gjakderdhje e çrregullt në mes të periodave”.

Ndonëse disa gra mund të përdorin me vite pilula për stabilizimin e hormoneve, ato sërish mund të jenë rezistente ndaj tyre. Prandaj sipas Muhaxhirit për këto raste, mund të bëhet ndërhyrje kirurgjike.

“Drilling-u ovarial me anë të laparaskopisë mundëson që të rivendosë cikël menstrual të rregullt tek rreth 70 për qind e grave me vezore policistike. Mirëpo kjo është një metodë e cila zakonisht përdoret te gratë të cilat janë rezistente në terapi hormonale ose i takojnë grupit të pacienteve me çrregullime shumë të rënda”.

Muhaxhiri sugjeron që të gjitha gratë që kanë vezore policistike të kenë kujdes edhe dietën e tyre. Ai rekomandon që të shmangen ushqimet që përmbajnë më pak karbohidrate dhe yndyra dhe rekomandon konsumimin e pemëve dhe perimeve.

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment