Sinjali për ndihmë nga dhuna në shtëpi është një veprim që mund të përdoret nga një individ për t’i paralajmëruar të tjerët se ndjehen të kërcënuar dhe kanë nevojë për ndihmë gjatë një video-telefonate ose personalisht. Fillimisht, sinjali u krijua si mjet për ta luftuar rritjen e rasteve të dhunës në familje në mbarë botën të lidhura me masat e vetë-izolimit si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Sinjali kryhet duke mbajtur njërën dorë lart me gishtin e madh të futur në pëllëmbë, pastaj duke i palosur katër gishtat e tjerë poshtë, duke e zënë në mënyrë simbolike gishtin e madh në pjesën tjetër të gishtave.
Sinjali për ndihmë u prezantua për herë të parë në Kanada nga Fondacioni Kanadez i Grave më 14 Prill të vitit 2020, dhe më 28 prill të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara nga Rrjeti i Financimit të Grave (ang. Women’s Funding Network – WFN).
Dy ditë më parë, autoritetet ishin në gjendje ta gjenin një vajzë të zhdukur pasi ajo tërhoqi vëmendjen e një shoferi duke përdorur këtë sinjal që u popullarizuara edhe në platformën e mediave sociale TikTok.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Laurel në Kentaki, vajza ishte brenda një makine Toyota me ngjyrë argjendi kur një shofer e pa atë duke përdorur këtë sinjal. Pasi iu kujtua se çfarë nënkuptonte sinjali dhe pa që adoleshentja “dukej në ankth”, shoferi thirri policinë, tha zyra e sherifit në një deklaratë.



Add Comment