Vox

Maskuliniteti Toksik: Çka është dhe si ndikon në shoqëri?

Dictionary.com definon maskulintetin toksik si “koncept kulturor i burrërisë që glorifikon stoicizmin, pushtetin, burrërinë dhe mbizotërimin, dhe që është shoqërisht i maladaptiv apo i dëmshëm për shëndetin mendor.” Duhet përmendur që maskuliniteti toksik është padyshim i dëmshëm për burra aq sa është edhe për gra. I mbushur deri ne buzë me koncepte të vjetëruara që definojnë burrërinë dhe se çka do të thotë te jesh burrë, ky lloj maskulinteti prevalent në shoqërinë tonë nuk i bën mirë askujt.

“Mos u bo si çikë”

Shumë herë, shoqëria jonë ka si reagim te parë kur një djalë gabon, me e shty anash atë gabim se “djali është djalë”. Vajzat, që prej fëmijërie nuk kanë të drejtë t’i bëjnë as gjysmën e gabimeve qe djemtë i bëjnë. Gjithë kjo liri për të vepruar si të kesh dëshirë pa përgjegjësi prej se je fëmijë, askujt nuk i bën mirë. Duke u rritur, merr mësim prej babait që çdo ditë e sheh duke e keqtrajtu’ mamin, se në atë formë e kallëzon burrërinë tënde. Kalon kohë me shokë të moshës tëndë, e që të gjithë janë të rritur në një ambient ku askush nuk iu ka treguar udhën e drejtë. Dëgjon këngëtarët që tërë kohën këndojnë tekste mizogjene, se si duhesh me i pasë “100 femna” e me “dhon jetën per shokë”. Prej moshës së re mësohesh se nëse tregon dhembshuri apo emocion tjetër përveç nervozës, je i dobët ose ka diçka që nuk shkon me ty. Mësohesh se veshja rozë do të thotë që je “si çikë”. E me konotacionet negative të kësaj fjale mëson shpejt që nëse je ashtu i bie që diçka nuk shkon me ty dhe se je “gabim”. “Mos vrapo si çikë”, “Mos u vesh si çikë”, “Mos fol si çikë”, “Mos ngo muzikë të çikave”. Krejt këto të shtyjnë me u rritë me konceptin që gjërat që lidhen me vajzat në shoqërinë tonë, janë gjëra të këqija të cilave duhet t’ju largohesh. Faktikisht nëse ndalesh dhe mendon pak se cilat gjëra rreth neve janë më të urryeshmet, zakonisht ato lidhen me vajzat e reja. Prej muzikës, filmave, librave deri tek drejtimet nëpër universitete ku ka shumicë të studenteve që janë vajza e kështu me radhë. E për shumë djem, me pas diçka në jetën e tyre që shoqëria ka vendosë se “është” për vajza, shndërrohet në njërin nga poshtërimet më të mëdha, asnjëherë tu mos e mendu pse është kështu.  Njëra nga arsyet se pse nuk i sheh burrat të jenë aktivë ne çështje feministe më shumë është e njëjtë me arsyen se pse njerëzit e bardhë nuk janë shumë aktivë ne çështjet e racizmit apo se pse njerëzit heteroseksualë nuk janë më aktivë në çështjet e komunitetit LGBTQ+: ata ndjehen rehat me botën e tanishme. Kjo botë e kjo shoqëri është e ndërtuar për ta.

Ndikimi i familjes

Pa dyshim se problem i madh në këtë socializim janë edhe prindërit qe janë vetë të keq-edukuar për të gjitha këto çështje që pastaj ua përcjellin këtë fëmijëve të tyre. Kjo fillon nga shtatzënia kur kuptojnë se fëmija është vajze, e ku shumë prej tyre edhe dëshpërohen. Si mund ta ketë jetën e lehtë një vajzë e cila prej kur se ka filluar të formohet si qenie njerëzit e urrejnë? Për shumë familje Kosovare me i lind 5 ose 6 vajza njëra pas tjetrës është mallkim. Ky është mentaliteti që na përçn drejtë një shoqërie që kur nje grua sulmohet seksualisht pyetjet e para janë se çka ka pas veshur ajo? Nuk do të ishte nevoja që të i mbrojmë vajzat tona nësë do i kishim edukuar djemtë tonë mirë e me kohë.  

Si ta luftojmë maskulinitetin toksik?

Mundohu’ që të dëgjosh më shumë se sa që flet. Koncepti i ndegjimit për shumë burra është i panjohur, mirëpo vetëm me dëgjim dhe pastaj punë me qëllim për ta ndryshuar veten dhe rrethin tonë mund të ecim përpara. Gjithashtu qëndrimi anash kur sheh padrejtësi është i gabueshëm. Të largosh mësime dhe një mënyrë të jetesës prej të cilës ke përfituar gjatë gjithë jetës nuk është e lehtë në shumë aspekte. Realiteti qëndron se sapo të bëhesh person i vetëdijshem për dukuritë si feminizmin, anti-racizmin apo anti-homofobinë, menjëherë do të i vëresh veprimet e gabuara tek njerëzit më të dashur në jetë. Por në fund të fundit, Dumbledore, një personazh i dashur për shumëkë nga librat “Harry Potter” ka thënë më së miri; “Duhet një trimëri e madhe për me ju dal dalë ballë armiqve tanë, por duhet po aq trimëri për t’u ngritur kundër miqve.”

About the author

Gentrit Miftari

Gentrit Miftari

Gentrit Miftari është student i Gjuhës Angleze dhe shkruan mbi çështje sociale. Ai është feminist interseksional që në thelb të aktivizmit ka avokimin për të drejtat e të gjitha grupeve të shtypura, me fokus te gratë.

1 Comment

Click here to post a comment