Uncategorized

Rrëfime lufte nga fëmijët e viteve ’90-ta – Pjesa e dytë

*Ky artikull është vazhdimësi e rrëfimeve për luftën nga sytë e fëmijëve. Artikulli përmban fragmente që mund të jenë shqetësuese për disa lexues.

Kur lufta ta rrëmben fëmijërinë, ende pa lindur!

Ardhja e saj në jetë ishte në rrethana të pazakonta. Fati dukej sikur nuk ishte në anën e saj, që pa lindur. Samira Fatma Baručija nga Sarajeva lindi në shkurt të vitit 1994, vetëm pesë ditë pasi babai i saj ishte vrarë nga forcat serbe. Gjithë jeta, puna, karriera e ëndrrat siç shprehet ajo janë paracaktuar që përpara lindjes së saj. Ajo nuk mban mend gjë nga lufta por luftë të përditshme e ka që fëmijët e tjerë të mos kenë fëmijëri si të sajën. 

Lufta në Bosnje e Hercegovinë i mori shumë anëtarë të familjes, përfshirë siç thotë ‘heroin e saj’. Ndonëse lufta përfundoi një vit pas lindjes së Samirës, boshnjaket po kacafyteshin me mbijetesën në një qytet qe jetonte në rrënoja.

“Si një fëmijë që jam rritur pas luftës, më kujtohen shumë mirë shkatërrimet në qytet të cilat më frikësonin shumë, por nuk e kuptoja pse ishin të shkatërruara”, shprehet ajo për Grazetën.

Lufta ia mori nënës së saj rininë e vëllait fëmijërinë. I vëllai i lindur në vitin 1988 realitetin e vetëm që njihte ishte lufta. Vitet e para të jetës së tij, ishin  duke u fshehur në vende të ndryshme nga frika që mund të goditet për vdekje.

“Nëna ime ma ka treguar një histori se si vëllai im luante kur ishte vetëm katër vjeçar. Një ditë ai po luante në oborr dhe po i godiste veturat lodra me çekan. Kur nëna e pyeti se pse po e bënte këtë vëllai im i tha që po e rregullonte veturën. Imagjino, një fëmijë si ai nuk e kishte parë kurrë një veturë si dukej dhe veturat e dëmtuara i perceptonte si normale”.

No description available.
Samira me vëllain

Ardhja në jetë në kohë lufte, humbja e babit, fëmijëria e humbur e vëllait dhe varfëria e skajshme e pas luftës, padiskutueshëm ia kanë definuar gjithë jetën.

“Lufta më ka instaluar një gjendje të vazhdueshme të kujdesit, që më ka shtyrë të punojë më shumë si edukatore për paqe me qëllimin e vetëm që fëmijë të tjerë të mos vijnë në jetë, në rrethanat që unë kam ardhur”.

Vetëm qindra kilometra larg Bosnjës e Hercegovinës, fati i njëjtë si i familjes së Samirës, do i priste edhe shumë familje të tjera në Kosovë.

“Nuk do të doja të isha prind kur plasi lufta”

Arbër Selmani, në vitin 1999 ishte vetëm shtatë vjeç. Kur i kërkova të rrëfejë historinë e tij lidhur me luftën, tha që kujtimet për atë periudhë edhe tani pas më shumë se dy dekadave ‘vijnë furishëm dhe ia ndalin frymëmarrjen’.

“Më kujtohet një tablo e tillë: pa rrymë, mbyllur në banesën tonë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, zhurma të ndryshme që vinin prej jashtë – klithma njerëzish që përziheshin me të shtëna, një pjesë e fqinjëve kishin ardhur në banesën tonë, dhe po rrinim në terr të kobshëm, me një qiri të ndezur poshtë një tavoline, sa për të ekzistuar diku një dritë minimale që nuk i jepte dritë ekzistencës së asnjërit prej neve”, tha për Grazetën.

Ai së bashku me prindërit dhe motrën me aftësi të kufizuara pak ditë pas bombardimeve të NATO-s ishin larguar për në Tetovë.

“Atëbotë, e mendoj sot, vështirësinë më të madhe e kishin prindërit. Nuk do të doja të isha prind kur plasi lufta”.

Udhëtimin nga Kosova për në Maqedoni nuk e mban mend mirë, por fshati ku kaloi muajt si refugjatë mbetet thellë i ngujuar në kujtesën e tij. Ndoshta sepse për Arbërin ai vend nuk është thjeshtë një vend që i siguroi kulm mbi kokë!

“Muajt e luftës i kam kaluar atje, në këtë fshat të mahnitshëm – sot më del kaq i qartë në mendime, e di çdo rrugë, çdo çeshme uji, çdo grua e çdo burrë që më ka kapur faqen e ka ndjerë për mua një gjynah të madh”.

“Kujtimet traumatike fshihen në tru si një hije”

Të pestë personazhet që i kam intervistuar për të treguar rrëfimet për luftërat që ndodhën në Ballkanin e viteve ’90-ta, atëkohë kanë qenë fëmijë. Edhe pse fëmijë, kujtimet për luftën i kanë ende të freskëta. Me eskalimin e gjendjes në Ukrainë, ata janë shprehur që iu janë ringjallur kujtimet dhe frika.

Frika më e madhe e Samirës është një luftë potenciale në vendin e saj. Teksa bisedonim ajo tregoi që kjo ndjesi iu është rikthyer fuqishëm këto ditëve të fundit, pas ngjarjeve në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë ka nxitur tek unë shumë emocione dhe frikë. Çdo humbje njeriu dhe çdo dhimbje më bën të ndihem keq. Nuk e lejoj vetën që të bëhem imune ndaj luftërave. Për vite të tërë kam përcjell situatat në Siri, Irak, Afganistan, Palestinë, Izrael e Jemen dhe nuk dua për asnjë moment ta kthej kokën pasi nuk do të doja që njerëzit ta kthenin kokën nëse një gjë e tillë do të ndodhte në Bosnje”.

Frikë të njëjtë ndien edhe Arbëri.

“Prej atij mëngjesi kur nisi lufta, as gjumi im nuk është i rehatshëm: sidomos natën e parë pas një dite me plot luftë në Ukrainë, rreth orës 2 në mëngjes, më del gjumi dhe prej banesës sime e shoh Veterrnikun. Atë natë, me fytin tim të terun prej ngarkesës, piva ujë dhe e pashë Veterrnikun dhe për një moment një vizion i tankeve serbe më vjen kaq i kthjelltë, sa i mbylla e hapa sytë me shpejtësi, dhe u binda se është veç halucinacion i imi”.

Sipas psikologes, Brikena Krasniqi-Hoti edhe pse në kohë lufte personat mund të jenë të vegjël, edhe ata ndiejnë frikë.

“Fëmijët e lexojnë frikën në sytë e prindërve dhe mënyrës se si ata sillen, pasigurinë që ata e ndjenjë. Në të vërtetë, shumë prindër mund të mos e kuptojnë as që po i përcjellin padashur frikën dhe ankthet e tyre tek fëmijët. Kjo ndodh nëpërmjet sinjaleve verbale dhe joverbale të prindërve tek fëmijët e tyre”.

Për shkak që ende janë të freskëta dhe të patrajtuara traumat nga lufta e fundit në Kosovë, Krasniqi-Hoti, thotë që shumë persona po ndjejnë frikë.  

“Studimet tregojnë që kujtimet traumatike fshihen në tru si një hije. Në fillim, kujtimet e fshehura ose të harruara, që nuk mund të arrihen me vetëdije mund ta mbrojnë individin nga dhimbja emocionale e kujtimit të ngjarjes, gjë që mund të ketë ndodhur për shumë njerëz në këto vite pas luftës”.

Ajo shtoi që pas lufte shoqëria jonë më shumë është marr me sigurimin e kushteve materiale, gjë që ka ndikuar në injorimin e vështirësive emocionale dhe psikologjike nga traumat e luftës – të cilat mund të rikthehen kur shohin konflikte që mbulohen aq shumë mediatikisht,  si ai në Ukrainë.

 “Tani kur gjithçka që shohim dhe dëgjojmë, na kujton diçka që e kemi përjetuar jo shumë larg në kohë, na bën të ndihemi sikurse po e rijetojmë të njëjtën gjë. Dhe frika, ankthi, pasiguria e tmerri përjetohen pothuajse njëjtë”.

E pasigurt ndihet edhe Samira dhe sipas saj luftërat nuk duhet trajtuar asnjëherë  si diçka normale. Prandaj edhe jetën po ia kushton ndërtimit të paqes.

“Nuk e lejoj vetën të bëhem e pandjeshme nga lajmet. Ndjej emapti për njerëzit që për shkak të luftës, ndajnë të njëjtin fat si familja ime”.

*Për këdo që përjeton ankth nga pamjet dhe lajmet nga Ukraina, ju mund të kërkoni ndihmë duke telefonuar tek Linja e Jetës në numrin 0800 12345.


About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment