Shtjellime

Frika, vetvetja dhe gratë në hapësira publike

A.S., në një ditë me diell të muajit prill, ishte duke ecur rrugicave të lagjes së saj së bashku me shoqen e saj, aktivitet të cilin e bën shpesh kur arrin të gjejë dikë t’i bashkëngjitet asaj. Biseda e zhvilluar mes tyre nuk dukej se do ndalonte ndonjëherë, por çdo gjë ndryshoi kur pranë tyre ndaloi një makinë me disa burra të cilat kishin vendosur kokën jashtë. Fjalët u ndaluan e fytyrat u vërtitën. Kjo situatë jepte përshtypjen se ato ishin shndërruar në makineri ku mendja e tyre për momentin ishte e pauzuar dhe vetëm këmbët ecnin pa ndonjë komandë.

Kjo heshtje mes tyre mbizotëroi deri sa ato u larguan nga vendi ku automjeti kishte ndaluar.

“Situata të tilla ndodhin shpesh. Kur ndihem e pasigurt në hapësira të tilla, më kaplon një ndjenjë e stresit dhe shpeshherë shtoj ritmin e të ecurit që ta kaloj sa më shpejt atë pjesë, pasi mendimi se kam dikë mbrapa ose dikush është duke dashur të më sulmojë pa pritur nuk më largohet deri në momentin kur kam arritur pjesë më të sigurta ose që ka lëvizje më të shpeshtë të personave të tjerë”, tregon për Grazetën A.S., e cila kërkoi që identiteti i saj të mos tregohej.

Në pozita të tilla frikës si A.S. ndodhen një pjesë e madhe e vajzave dhe grave në Kosovë, gjë që vazhdon nga mungesa e ofrimit të sigurisë në hapësira publike dhe rastet e ngacmimeve e abuzimeve seksuale të dëgjuara.

“Në zhvillimin që është duke i ndodhur qyteteve tana, por edhe fshatrave, dhe nga mungesa e infrastrukturës, ose më mirë të themi nga vonesat në përcjelljen e infrastrukturës nga ana e nivelit qendror dhe atij lokal, është duke iu mundësuar individëve me precendentë kriminalë të shfrytëzojnë vakumin dhe të targetojnë gratë për t’i vjedhur ose edhe sulmuar”, thotë për Grazetën eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Tkurrja e hapësirave të sigurta

Hapësirat publike janë shndërruar në një burim frike e traume për gratë e Kosovës. Frika nga abuzimi i ka bërë ato që shpesh të heqin dorë nga aktivitet ku kanë dashur të marrin pjesë, ta ndalojnë ecjen natën ose të shmangin disa pjesë të qytetit.

“Deri vonë nuk kam udhëtuar diku nëse më është dashur të udhëtoj me kombibusët privatë”, tregon A.S. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Leonita Hasanaj.

“Po, edhe e kam bërë, jo vetëm menduar. Disa herë nuk kam marr pjesë në aktivitete të caktuara nga parandjenja se mos do më ndodhte diçka”, shtoi ajo për Grazetën.

Ky realitet ka pasoja të mëdha në çdo aspekt social, psikologjik e ekonomik të zhvillimit të gruas dhe e redukton lirinë e lëvizjes.

“Në vendet patriarkale, gratë rriten me ndjenjën e pasigurisë, pamjaftueshmërisë dhe paaftësisë për të kontrolluar situatat që varen nga faktorët e jashtëm. Hapësirat publike janë burim i të gjithë faktorëve që potencialisht kërcënojnë mirëqenien e njeriut,” shpjegon për Grazetën psikologia Kaltrina Ajeti, duke shtuar se duke qenë kështu, shumë gra dhe vajza privojnë veten nga shërbime të caktuara për shkak të ngjarjeve dhe paralajmërimeve të dëgjuara për rrezikshmërinë e këtyre ambienteve. “Natyrisht që i kufizojnë”, shtoi ajo, “jo vetëm aktivitetet e përditshme por edhe çfarëdo vendimmarrje në jetën e tyre”.

Në një përgjigje për Grazetën, Policia e Kosovës ka thënë se, sipas të dhënave, vetëm “në 3-mujorin e parë të këtij viti janë raportuar 19 raste të ngacmimit seksual, ndërsa 55 gjatë vitit 2021”.

Por, ka edhe shumë të tilla nuk raportohen.

Mungesa e mbrojtjes

Përderisa Leonita tregon se nuk ka pasur përvoja personale të ngacmimit, A.S. ka një histori tjetër.

“Një rast që me ka ndodhë është kur në mes të sheshit më është vardisur një person i panjohur duke ma kërkuar emrin, snapchat-in dhe të tilla gjëra”.

Ne presim që vajzat ta ngritin zërin, të bërtasin dhe të kërkojnë ndihmë në situata të tilla. E po, kjo nuk është diçka që vajzat ndihen të lira për ta bërë dhe ato tentojnë të gjejnë forma të tjera që të mos ‘shikohen’ nga personat në rreth.

“Jam ndjerë në siklet. Gjëja e parë që më ka ra ndërmend është të bërtas ose telefoni. Në momentin që i kam thënë se do bërtas është ndalur dhe ka humbur mes turmës së njerëzve. Nuk tregojmë sepse shumë shpesh paragjykohemi: ‘hajt se e ke lypë vetë’, ‘i ke thonë vetë diçka e para’… Frikësohesh që edhe personit që do i tregosh ta bën të njëjtën dhe të tilla arsye”, vazhdon A.S. rrëfimin e saj për Grazetën.

Duke mos qenë e sigurt ecja në rrugë, transporti i vetëm alternativ mbet ai publik ose taksitë, por as këto pjesë nuk janë aq të sigurta. Grazeta, para disa muajve, kishte raportuar se dy gra ishin ngacmuar seksualisht ne transportin publik në Fushë-Kosovë. Një rast të tillë shqetësues ka pasur edhe Donjeta 24 vjeçare, e cila në këto hapësira kishte hasur në persona të cilët ekspozojnë pjesët intime të trupit e një tjetër që e prekte.

“Një rast të tillë e kam pasur gjatë studimeve kur udhëtoja me autobusë për Prishtinë. Isha vetëm dhe pastaj hyri një burrë, i cili u ul afër meje dhe ka nxjerrë organin gjenital jashtë. Unë jam ndjerë aq keq sa kam dalë jashtë shumë shpejtë. Pastaj, një herë tjetër, një burrë i moshuar është ulur afër meje në autobus dhe i njëjti filloi të me prekte. Atëherë isha studente dhe si e frikësuar nuk dija as si të reagoja dhe pastaj u ngrita nga vendi”, tregon ajo për Grazetën.

Situatat e tilla e kanë bërë atë që të përdor me frikë këto automjete. “Më kanë mbetur gjithmonë në mendje, aq sa më nuk ndihem shumë e sigurt në raport me njerëz të tjerë, sidomos gjatë udhëtimeve”, shton Donjeta.

Ndërsa Leonita rrëfen: “Shpesh, kur jam kryesisht në taksi, sidomos me ata 1-shat e Prishtinës, jam pa frymë derisa të mbërrij në destinacionin tim. Mënyra se si të shikojnë, pyetjet që t’i bëjnë, të cilat janë personale, ose ‘komplimentet’ e tyre të pavend të japin ndjenjën e frikës”.

Përvoja vetjake, dëgjimi i rasteve të tilla të përvojave si të A.S. dhe Donjetës, ngacmimit, torturës dhe mospërgjegjësia e autoriteteve bën që vajzat që në moshën e re të rriten me një traumë se, në çdo minutë, në çdo vend, mund t’u ndodhë diçka dhe se nuk do kenë fuqi për të bërë asgjë kundër kësaj. Kjo bën që ato t’i frikësohen hapësirave publike.

“Rastet që nuk vuajnë nga agorafobia ose të tilla që nuk kanë pasur përvoja personale të pakëndshme në transportin publik, atëherë kanë të bëjnë me ngarkesën psikologjike që u është formuar nga paralajmërimet e marra që në fëmijëri e tutje. Duke i konsideruar si vende të pasigurta për vajzat dhe gratë, rrezikshmëria e tyre bëhet e mirëqenë pavarësisht se vetë ata persona personalisht nuk kanë pasur përvoja traumatike në këto vende. Frika psikologjike iracionale shkaktohet jo vetëm duke qenë dëshmitar i ngjarjeve traumatike por edhe duke dëgjuar për to ose duke u paralajmëruar nga personat tjerë”, shpjegon Kaltrina Ajeti, psikologe dhe gazetare, për Grazetën.

Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, mjetet e transportit publik janë të pajisur me kamera monitoruese të cilat pastaj gratë mund t’i përdorin kur raportojnë ngacmimin në këto hapësira, por që nuk është e mjaftueshme pasi nevojitet siguria në gjithë hapësirën publike.

“Niveli komunal ka vendosur që mjetet e transportit publik të pajisen me CCTP për të monitoruar çdo parregullsi, por edhe duke përçuar mesazhin e një mase preventive për të gjithë udhëtaret që shfrytëzojnë këto mjete. Por, a është kjo e mjaftueshme? Unë mendoj se në këtë aspekt duhet që komuna të adresojë dhe të hartojë një plan operativ që t’i garantohet siguria të gjithë qytetareve që operojnë dhe shfrytëzojnë hapësirat publike”, thotë ai për Grazetën, ndërsa shton se edhe transporti privat duhet ta ndjek të njëjtën strategji.

Por, sipas tij, ashtu që gratë të jenë të sigurta, edhe qytetet duhet të pajisen me kamera vëzhguese.

“Në anën tjetër, në qendrat e mëdha, siç është Prishtina, Peja, Mitrovica, Gjilani, Prizreni, Ferizaj, por edhe pse jo edhe qytetet e tjera, duhet të ketë një njësi monitoruese të CCTP dhe gjithë qyteti të jetë nën vëzhgim, siç është në metropolet e ndryshme të Evropës dhe kështu të garantohet siguria e përgjithshme, veçanërisht për gratë”, shton Shala.

Ndryshimi i vetvetes dhe frika ndaj errësirës

Mos ecni vetëm pas errësirës, shmangni rrugicat, telefono shoqet ose tregoju familjarëve se ku je duke shkuar, mbani telefonin afër – këto janë “rregullat” që shumë gra “i respektojnë” nga frika se çfarë mund të ndodhë nëse nuk e bëjnë këtë. E, ideja që gratë dhe vajzat nuk ndihen të sigurta dhe janë të frikësuara kur janë të vetme jashtë nuk është diçka e re.

A.S., 22 vjeçare dhe Leonita Hasanaj, 23 vjeçare, tregojnë se ato kanë ndërruar tërësisht sjelljen e tyre pas adoleshencës për shkak të frikës se çfarë mund t’u ndodh jashtë.

“Besoj se sa më shumë të rritesh, frikësohesh më shumë sepse dëgjon më shumë dhe me adoleshencën ndrojtja për të shkuar diku vetëm sa është rritur”, tregon për Grazetën A.S. E, shpesh, kjo pasiguri i shtynë ato të mendojnë edhe përse nuk kanë marrë diçka me vete për mbrojtje. “Më kap panik edhe i them vetes ‘ec më shpejt se kuku’ ose mendoj ‘qysh s’kam diçka me vete’”, vazhdon ajo rrëfimin për Grazetën.

Një kërcënim e frikë e dyfishtë është mungesa e ndriçimit dhe errësirës, gjë e cila mbizotëron në pothuajse në çdo qytet e fshat të Kosovës.

“Të jesh vajzë do të thotë që shumë lehtë të sulmohesh, sidomos në vende ku nuk ka dritë. Duke ditur raste të shumta kur vajzat janë sulmuar dhe maltretuar nga persona të tjerë në vende pa ndriçim, shpeshherë detyrohem të mos kalojë në rrugë të tilla ose të marrë dikë me vete që të mos jem krejt vetë”, vazhdon të tregojë A.S.

Në planifikimet urbane dhe rurale, komunat mënjanojnë diskutimin e sigurisë publike të grave dhe nevojat e tyre nuk merren parasysh.

“Arkitektura është pjesë e përditshmërisë sonë dhe ndikon shumë në sigurinë tonë. Kur i japim formën objektit, është e rëndësishme të dimë t’i bëjmë qasjet sa më të sigurta, të jenë të ndriçuara, të qasshme lehtësisht dhe jo të fshehta, siç i shohim në shumë raste. P.sh., e kemi rastin prej Menzës së Studentëve deri te FSHMN-ja. Nëse e bën një pyetësor ku i përfshin vetëm gratë/vajzat dhe i pyet për sigurinë që ua jep ajo pjesë e rrugës, të gjitha përgjigjet do jenë se nuk kanë siguri, pasi shpesh aty ka munguar ndriçimi”, shpjegon për Grazetën Erza Shala, arkitekte.

Në rrugë, në autobusë dhe në taksi, në shtëpi, në shkollë, në shesh, në klubet e natës, në pazar, gjatë vrapimit dhe ecjes, shumë gra ndihen të pasigurta dhe e kanë të pashmangshme vëmendjen e sikletshme dhe të rrezikshme.

Hapësirat e sigurta për gratë janë shumë të pakta në Kosovë. E për këtë, çfarë do të bëjnë institucionet përkatëse?

About the author

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj ka përfunduar studimet e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Momentalisht është duke u marrë më shumë me fushën e PR si dhe është pjesë e projektit të Deutsche Welle–Balkan Booster.

Add Comment

Click here to post a comment