Krejt-kah-pak

Vetëm 6 muaj suspendim dhe pagë për arsimtarin që sulmoi seksualisht të miturën në Pejë

Arsimtari Adem Mustafaj, 64 vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur, është suspenduar nga puna për vetëm gjashtë muaj. Në vendimin e Drejtorisë së Arsimit në Pejë thuhet se mësimdhënësi Adem Mustafaj suspendohet përkohësisht nga puna nën dyshimin se ka kryer vepër penale në vendin e punës dhe ka shkelur detyrat e punës.

Në këtë dokument thuhet se largimi i përkohshëm i tij zgjat maksimalisht gjashtë muaj me 50% të pagës – ndonëse Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Burimet e Grazetës kanë bërë të ditur që ky nuk është rasti i parë që Adem Mustafaj ka kryer sulme seksuale ndaj nxënëseve të mitura. Ata thonë se Mustafaj në shumë raste ka krijuar kaos në klasë duke sulmuar seksualisht vajzat e mitura para nxënësve të tjerë, por ende nuk është denoncuar në Polici për këto raste.