Krejt-kah-pak

Gjyqtarja që dënoi sulmin seksual ndaj një 15-vjeçareje me vetëm 8 muaj i rikthehet punës

Gjyqtarja nga Peja, Florije Zatriqi, e cila muaj më parë ishte suspenduar nga detyra për shkak të një dënimi kontrovers mbi një akt dhunimi, është rikthyer sërish në punë.

Ndonëse mori përsëri rolin e gjyqtares, Zatriqi nuk ka të drejtë të gjykojë më krime në jetën e saj, pasi KGJK e ka degraduar në mënyrë të përhershme në departamentin për kundërvajtje.

Në vendimin e bërë publik nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës konstatohet se veprimet e gjyqtares nga Peja i kanë cenuar parimet bazë të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe e kanë dëmtuar rëndë imazhin e gjyqësorit në Kosovë.

Gjykatësja Florije Zatriqi ishte suspenduar nga KGJK pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin e aktit të dhunimit ndaj një të miture.

Suspendimi i saj ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila e kishte refuzuar ankesën e gjyqtares ndaj vendimit të KGJK-së.

Zatriqi ishte suspenduar pasi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ndonëse me një numër të madh të shkeljeve disiplinore, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi ta kthejë në punë Zatriqin edhe pse ka vite që përballët me kritika nga vendorë e ndërkombëtare për shqiptimin e masave të buta disiplinore./kallxo.com