Shtjellime

Hapet zyrtarisht Java e Krenarisë në Kosovë

Fjala “T’du qashtu qysh je”, duke simbolizuar njëherazi pranimin e pakushtëzuar të dashurisë, praninë e diversitetit dhe lirisë së zgjedhjes, njëkohësisht shërbeu si moto kryesore për hapjen e Javës së Krenarisë 2023 në Kosovë.

Dje, më 5 qershor, në orën 18:00, u hap zyrtarisht Java e Krenarisë në Kosovë, event i cili u mbajt nën patronimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit pranë Zyrës së Kryeministrit. Në këtë event, të pranishëm ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, drejtori ekzekutiv i CEL, Blert Morina, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, drejtori i zyrës së Këshillit të Evropës, Frank Power, zyrtarë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë e aktiviste, si dhe përfaqësues të mediave, të cilët patën rastin që të ndjekin fjalime të shumta të cilat u mbajtën gjatë eventit për nder të Javës së Krenarisë dhe të adresonin çështje të shumta rreth personave të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë.

Ndër fjalimet të cilat u mbajtën përgjatë eventit, theksohej fuqimisht fjala dashuri, nëpërmjet së cilës tentohej të tregohej se respekti i dashurisë është elementi kyç i një shoqërie dhe vendi, për të fuqizuar secilin pjesëtar/pjesëtare të shoqërisë pa dallim, për të respektuar dhe mbrojtur me çdo kusht të drejtat themelore të njeriut.

“Përgjatë vitit që lamë pas, kam pasur mundësinë që të bashkëbisedoj me shumë nga ju se si mund të punojmë së bashku për t’i adresuar këto sfida, për t’u siguruar që orientimi seksual nuk është faktor i cili përçan njerëzit, por një mundësi për ta njohur më mirë njëri-tjetrin e për ta respektuar më shumë njëri-tjetrin. Sepse barazia e diversiteti nuk janë vlera vetëm për disa, por janë vlera për të gjithë pa dallim”, ishin një ndër fjalitë e fjalimit të mbajtur nga presidentja Osmani, e cila gjatë fjalimit të saj po ashtu potencoi se Java e Krenarisë është një mundësi e shkëlqyer nëpërmjet së cilës mund të diskutojmë për rëndësinë e mbrojtjes, adresimin e sfidave të personave të komunitetit LGBTI+ dhe për fuqizimin e kauzës për barazi.

Ndër të tjera, presidentja e vendit shtoi se në mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk duhet bërë kompromis dhe se ato u takojnë të gjithëve pa dallim.

Ndër fjalimet tjera ishte ai i kryeministrit Kurti, i cili e filloi fjalimin e tij me një tekst nga simpoziumi i Platonit, miti i Aristofanit. Përgjatë fjalimit të tij, kryeministri Kurti elaboroi konceptin e dashurisë, duke theksuar rëndësinë dhe fuqinë e saj, nëpërmjet një përshkrimi të detajuar, ku njëkohësisht përmendi se Java e Krenarisë po festohet në një muaj shumë domethënës në të cilin shënohen edhe ngjarje të rëndësishme historike të vendit. “Me fillimin e Javës së Krenarisë, kujtojmë se liria për të dashuruar është e drejtë universale”.

Ndër të tjera ai shtoi: “Dashuria është më shumë se shprehje e dëshirës apo pasionit. Është një kod etike që përcakton ligje për t’u zbatuar, që ndihmon njerëzit për të mbajtur lidhje kuptimplota sociale dhe që na fuqizon të përballojmë e kapërcejmë edhe sfidat më të vështira”.

“Unë edhe sot jam midis jush duke kërkuar liri. Në fakt, duke kërkuar prej jush që të mendoni mirë se përse sot në zyrat e Qeverisë së shtetit, ku edhe unë jam qytetar, më duhet të kërkoj liri. Në fjalët e Margaret Atwood, po kërkoj liri në dy rrafshe, liri për dhe liri nga”, ishin fjalitë e para të fjalimit të Blert Morinës, drejtorit ekzekutiv të CEL.

“Duam dhe kërkojmë liri nga shtypja, përçmimi i përditshëm i njerëzve lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, queer.” Fjali e përmendur vazhdimisht, përgjatë fjalimit, nëpërmjet të cilit Morina dënon praninë e urrejtjes dhe diskriminimit të bërë nga shoqëria ndaj personave të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. “Kërkojmë liri edhe nga shpërfillja, nga mospërmendja, nga përçmimi”.

“Kërkesa jonë mund të duket krejt themelore sepse të drejtat tona krejt themelore nuk njihen dhe shoqëria jonë, krejt në themel, ushqehet përditë me urrejtje.”

Ndër të tjera, Morina shtoi se “urrejtja nuk e zhbën faktin që ne kemi qenë këtu dhe urrejtja nuk do ta zhbëjë faktin e kryer se ne do të jemi këtu”.

Këtë vit, Java e Krenarisë thekson fuqimisht rëndësinë e mbështetjes së mirëqenies fizike, psikologjike dhe emocionale të personave LGBTQ+ në Kosovë, nëpërmjet së cilës synon të ngrit vetëdijen e qytetarëve e institucioneve dhe të adresojë çështje të shumta që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të personave LGBTQ+ në Kosovë, si dhe sfidave të tyre në marrjen e shërbimeve të shëndetit mendor.

Po e njëjta pëmendet edhe në fjalimin e Blert Morinës, i cili thekson se “Urrejtja e kërcënon shëndetin publik”. Po ashtu, Morina argumentoi se “Njerëzit LGBTQ+ nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore. Shëndeti mendor i njerëzve LGBTQ+ është çështje e shëndetit publik. Shkalla e vetëvrasjeve të njerëzve LGBTQ+ është çështje e shëndetit publik”.

“Sot kërkojmë liri si qytetarë të këtij vendi – hiç më pak e hiç më shumë. Sot kërkojmë nga ju, siç kemi kërkuar në vazhdimësi, ta bëni punën tuaj”, ishin fjalitë përmbyllëse të fjalimit të tij i cili u përcoll me duartrokitje e brohorima të fuqishme në sallë.

Pjesë e fjalimeve ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, drejtori i zyrës së Këshillit të Evropës, Frank Power dhe zonja AnnaCarin Platon nga Zyra e BE-së, nëpërmjet të cilave fjalime e theksuan mbështetjen e hapjes së Javës së Krenarisë, gjendjen e tanishme të personave të komunitetit LGBTQ+, duke përmendur çështjen e sigurisë, strehimoreve dhe sfidave të personave LGBTQ+ në Kosovë.

Rolin e pjesëmarrjes së aktivistëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile në event e përfaqësoi në të njëjtën kohë një frymë unifikuese drejt fuqizimit të kauzës për barazi dhe respektim të mbrojtjes themelore të të drejtave të njeriut.

Eventi u përcoll me një koktej përmbyllës, nga ku u sinjalizua njëkohësisht fillimi i shumë aktiviteteteve që do të mbahen në vijim gjatë tërë kësaj jave për nder të Javës së Krenarisë.

About the author

Viola Greiçevci

Viola Greiçevci

Viola Greiçevci është studente e nivelit Bachelor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Viola është autore e disa shkrimeve, me fokus të veçantë shëndetin mendor dhe të drejtat e njeriut, dhe gjithashtu është vullnetare në organizata e projekte të ndryshme.

Add Comment

Click here to post a comment