Koncepti i punës ka ndryshuar në vitet e fundit. Tashmë punëtorët i kushtojnë shumë rëndësi se sa një punë u ofron qetësi e rahati ne aspektin e shëndetit mental dhe sa të përmbushur janë me punën që bëjnë. Më herët fokusi më i madh ka qenë te paga, mirëpo sot vetëdija e klasës punetore ka ndryshuar duke u përqendruar më shumë në përfitimin e të pasurit një mirëqenie e cila ndikon drejtpërdrejt edhe tek familja dhe te rrethi.
Secili dëshirojmë të kemi një epror që promovon balancin “jetë-punë”, duke marrë parasysh që kjo është qenësore që ne si qenie të ndihemi të përmbushur.
Hulumtimet kanë treguar se puna e tepërt nuk është e mirë për punonjësit ose kompanitë e tyre dhe megjithatë, në praktikë, mund të jetë e vështirë të kapërcehen zakonet e pashëndetshme të punës dhe të arrihet një ekuilibër më i qëndrueshëm mes punës dhe jetës. Por, gjërat mund të jenë më ndryshe kur në krye të organizatës/kompanisë është një epror që e di rëndësinë e balancit jetë-punë dhe i inkurajon punëtorët e tyre të kultivojnë një kulturë të tillë të barazpeshimit.
Florentina Dushi, psikologe, shpjegon për “Grazetën” rëndësinë e barazpeshimit të jetës dhe punës.
“Balanci jetë-punë ndikon pozitivisht në mirëqenien, shëndetin dhe motivimin tonë. Të gjithë këta faktorë ndikojnë në efikasitetin dhe produktivitetin tonë të punës. Balanci jetë-punë e zvogëlon mundësinë e përjetimit të harxhimit professional, thotë Dushi, duke shtuar se balanci jetë-punë na lejon të krijojmë hapësirë për zhvillim të metutjeshëm profesional, krijim të gjërave të reja, produktivitet, motivim dhe avansim profesional.
Një studim nga Heilman dhe Parks-Stamm (2007) heton marrëdhënien midis konfliktit punë-familje midis punonjëseve gra, mbështetjes së mbikëqyrësit, mbështetjes organizative dhe ngjashmërisë gjinore. Qëllimi i studimit ishte të përcaktonte nëse ngjashmëria gjinore, mbështetja e mbikëqyrësit dhe mbështetja organizative mund t’i ndihmojnë punonjëset gra të balancojnë punën dhe familjen. Konflikti punë-familje është termi i përdorur për të përshkruar vështirësitë dhe konfliktet që lindin kur tentohet të balancojë detyrimet e punës me përgjegjësitë familjare.
Ky studim përdori një mostër prej 300 punonjësesh gra nga sektorë të ndryshëm në Pakistan. Konflikti punë-familje është një çështje e zakonshme, veçanërisht për prindërit që punojnë. Analiza u krye për të eksploruar marrëdhëniet midis disa variablave, si ngjashmërinë gjinore, mbështetjen e mbikëqyrësit dhe mbështetjen organizative.
Ngjashmëria gjinore, mbështetja e mbikëqyrësit dhe mbështetja organizative u hipotezuan për të reduktuar nivelet e konfliktit punë-familje të përjetuar nga punonjëset gra. Në mënyrë të veçantë, punonjëset gra në Pakistan që kishin mbikëqyrëse gra, morën inkurajim nga menaxheret e tyre dhe perceptuan mbështetje organizative e po ashtu raportuan nivele më të ulta të konfliktit punë-familje. Studimi theksoi rëndësinë e diversitetit gjinor dhe mbështetjes nga organizatat dhe menaxherët në promovimin e ekuilibrit punë-familje midis punonjësve gra.
Sipas psikologes Florentina Dushi, mënyra se si udhëhiqet ndikon shumë në shëndetin mental tek ekipi.
“Stili i udhëheqjes përcakton mënyrën e komunikimit në ekip. Mënyra se si ne komunikojmë ndikon në mirëqenien tonë. Andaj, mënyra e komunikimit dhe udhëheqjes ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në aspektin tonë mental,” shprehet për “Grazetën” psikologia Dushi, duke sqaruar po ashtu se gjithnjë duhet të sigurohemi që mënyra e udhëheqjes të jetë motivuese për punonjësit. “Stili ynë i udhëheqjes përcakton suksesin profesional dhe zhvillim personal të ekipit,” tha ajo.
Ndërsa, Delvina Haxhijaha, e cila punon në Open Data Kosovo ku mban pozitën e menaxheres së programeve tregon eksperiencën e saj me udhëheqëset gra për një periudhë prej 13 vjetësh.
“Gjatë gjithë rrugëtimit tim profesional, kam pasur privilegjin të punoj për 13 vjet me gra të talentuara dhe të afta, të cilat kanë shfaqur cilësi të forta drejtuese, vendosmëri dhe njohuri të gjera në fushat e tyre përkatëse,” tha Haxhijaha për “Grazetën”.
Ajo tutje e përshkruan punën në një ambient me eprore gra.
“Kam dalluar se puna nën udhëheqjen e grave shpesh është karakterizuar nga komunikimi i hapur, bashkëpunimi dhe një mjedis pune mbështetës. Një aspekt i dukshëm i punës me lideret gra është aftësia e tyre për të krijuar mjedise pune gjithëpërfshirëse. Ato shpesh kanë prioritet ndërtimin e marrëdhënieve, nxitjen e punës në grup dhe inkurajimin e perspektivave të ndryshme,” u shpreh Haxhijaha për “Grazetën” dhe shtoi se personalisht për të, nga eksperienca e saj, kjo ka rezultuar në një ndjenjë sigurie dhe besimi brenda ekipit.
Çfarë mund të jetë arsyeja që një grua i kupton më shumë punëtorët e saj? A janë gratë më empatike se sa burrat? Ta marrim një shembull të thjeshtë.
Në Kosovë nuk ka pushim menstrual. Janë të rralla organizatat apo kompanitë që ua mundësojnë grave të marrin të paktën ditën e parë pushim kur ato e kanë ciklin, duke e marrë parasysh që dhimbjet menstruale janë raportuar nga 84.1% e grave në botë.
Në këtë rast, nëse në krye të një kompanie apo organizate është një grua, pritet që të ketë mirëkuptim, ose thënë në gjuhën e popullin: “gratë ia dinë hallin grave”.
“Në ODK, punonjësve gra u jepet fleksibilitet për të punuar nga shtëpia ose për të marrë ditë pushimi, në varësi të nevojave dhe nivelit të rehatisë. Kjo mundësi na lejon që të prioritizojmë mirëqenien tonë, dhe të menaxhojmë çdo sfidë fizike ose emocionale që mund të përjetohet gjatë periudhës së ciklit”, shtoi tutje për “Grazetën” Haxhijaha.
Shteti që së fundmi vendosi që të ketë pushim menstrual ishte Spanja, duke u bërë shteti i parë në Evropë me këtë ligj. Mirëpo edhe shume shtete tjera shumë më herët i kanë paraprirë kësaj iniciative dhe me ligj kanë rregulluar pushimin menstrual për gratë, të tilla si: Japonia, Korea Jugore, Zambia, Indonesia e Tajvani.
Nganjëherë gjinia mund të jetë përcaktuese në mirëqenien e ekipit, sikur ne shëmbullin që morëm më lartë.
Por, si qendron situata në këtë aspekt në vendin tonë? A preferon klasa punëtore në Kosovë një burrë si epror apo një grua?
Të dhënat e RCC “Barometri i Opinionit Publik (2022)” përfshinin Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë. Anketa ka përfshirë gjithsej 6029 të anketuar, me 1002 prej tyre nga Kosova. Brenda Kosovës, të anketuarit janë pyetur për preferencën e tyre për një shef mashkull apo femër në punë.
Në pyetjen “A preferoni të keni një shef femër apo mashkull në punë?” rezultatet janë si më poshtë: nga 1002 të anketuar, 246 (24.5%) preferonin një shef femër, 209 (20.9%) preferonin një shef mashkull dhe shumica e të anketuarve, 54.6%, nuk kishin asnjë preferencë.
Si konkluzion, në përpjekjen për të krijuar një kulturë të punës të drejtë dhe të barabartë në institucionet, si publike ashtu edhe private, është e rëndësishme të kemi një qëllim të përbashkët, dhe ai qëllim duhet të jetë mirëqenia e të dy gjinëve. Duke u përpjekur për të krijuar një mjedis pune ku të gjithë punëtorët, pavarësisht gjinisë së tyre, ndjehen të vlerësuar dhe të inkurajuar për të kontribuar me aftësitë e tyre, mund të sigurohet një rritje e performancës së përgjithshme, krijimin e një atmosfere të harmonisë dhe të bashkëpunimit, si dhe zhvillimin e një mjedisi të frytshëm ku idetë dhe ndjenjat e të dy gjinëve marrin një rëndësi të barabartë.
Një kulturë e punës e fokusuar në mirëqenien e të dy gjinëve do të sjellë jo vetëm përfitime individuale për punëtorët, por gjithashtu do të kontribuojë në rritjen e barazisë gjinore në të gjitha sferat e shoqërisë.
Prevalence of menstrual pain in young women: what is dysmenorrhea? – PMC (nih.gov)
Regional Cooperation Council | Balkan Barometer Public Opinion 2022 (rcc.int)
Add Comment