“New post”. “Write a caption”. “Share”.
Termat e lartcekur janë hapa tejet të familjarizuar për shumicën nga ne, me të cilët, nëse domosdo nuk e fillojmë ditën së pari duke hapur telefonin, gjithsesi se do e kalojmë një pjesë të ditës duke lundruar në botën kaotike digjitale dhe duke përmbushur veten me të rejat e ditës.
Është shndërruar në një ritual të pashmangshëm, pjesë e së cilës janë edhe prindërit, të cilët nëpërmjet përdorimit të platformave digjitale ndajnë me njerëzit e tjerë momente nga më të ndryshmet të fëmijëve të tyre.
Ndonëse kjo lloj praktike nuk nënkupton në radhë të parë shkaktim dëmi, për shumicën e prindërve ky lloj përdorimi mund të kalojë në një lloj shprehie e cila mund të definohet si “sharenting”.
Termi “sharenting” rrjedhë nga bashkimi i fjalëve “share” (ndarë) dhe “parenting” (prindërim), i cili kur përkthehet në gjuhën shqipe nënkupton shprehinë e tepërt të prindërve të cilët shpërndajnë detaje apo informata të fëmijëve në platformat digjitale.
“Përderisa ‘sharenting’ mund të jetë një metode efikase për të krijuar lidhje me të tjerët dhe për të kërkuar mbështetje, në anën tjetër nuk duhet të injorohet ndikimi në privatësinë, autonominë dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha për “Grazetën” Fiona Muhaxheri, psikologe e fëmijëve.
Duke qenë se zhvillimi i teknologjisë nuk ka kufinj të definuar sa i përket qasjes dhe përdorimit të saj për shkak të avancimit konstant, kjo na shpie në anën tjetër të medaljes sa i përket sigurisë në internet, e cila përfshin sulmet kibernetike ndaj fëmijëve, duke përdorur informata të gatshme në platformat digjitiale të prindërve dhe që bëhet për cenim të privatësisë, vjedhje të identitetit, cenim të sigurisë fizike dhe psikologjike, etj.
Siguria kibernetike e fëmijëve, veçanërisht e vajzave, sa vjen e bëhet më e cenueshme për mirëqenien e tyre.
“Përveç pasojave të përgjithshme që mund të shfaqen te secili fëmijë, ‘sharenting’ paraqet rrezik të veçantë për vajzat, duke i vendosur ato në pozita të cenushme. Portretizimi i vajzave në internet përmes një lensi të filtruar mund të krijojë pritshmëri jorealistike për mënyrën se si duhet të sillen dhe duken vajzat dhe kjo rrjedhimisht rrit presionet shoqërore, prej të cilave ndikohet mirëqenia e atyre vajzave”, shton Muhaxheri.
Nga kjo nuk përjashtohet edhe fakti se, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, pedofilë të shumtë janë duke gjeneruar foto e video të fëmijëve, me të cilat po krijojnë imazhe reale të fëmijëve duke përformuar akte seksuale ose, siç njihet ndryshe, pornografi e fëmijëve.
“Inteligjenca Artificiale ka krijuar mundësi që janë përtej kontrollit të cilitdo njeri e shtet, por shtetet si Kosova kanë më pak kapacitete mbikqyrjeje dhe kontrolli për efektet e saj. Mekanizmat aktualë janë të pamjaftueshëm edhe për situatën aktuale të sigurisë në internet. Gjithsesi, kjo është një çështje e hapur që kërkon trajtim të vazhdueshëm”, tha për “Grazetën” Shkodran Ramadani, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime të Avansuara – FIT. Se si është e rregulluar çështja e sigurisë kibernetike të fëmijëve në Kosovë, Ramadani thotë se në lidhje me krimin kibernetik, vlen të përmendet se përderisa Kodi Penal përshkruan disa e vepra penale, nuk mbulohen të gjitha aspektet.
“Këtu hyn në lojë Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, duke përcaktuar një sërë krimesh të lidhura me kibernetikën”, thotë Ramadani.
Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik parasheh dënime deri në 3 vjet për autorët e krimit, madje deri në 10 vjet për raste më të rënda.
Se sa të informuar janë prindërit në Kosovë sa i përket sigurisë në internet, Ramadani shprehet se nga përvoja në terren, niveli i informimit të prindërve rreth kësaj teme nuk është edhe shumë i kënaqshëm.
“Një pjesë e konsiderueshme është neglizhente, kurse një pjesë tjetër është e interesuar, por ndonjëherë hasin në vështirësi për t’u informuar drejt për shkak që shpesh informacionet në internet janë konfliktuoze,” shtoi për “Grazetën” Shkodran Ramadani.
Ai tha gjithashtu se nga vjedhja e të dhënave mund të ketë pasoja të rënda për një person, si në aspektin financiar, ashtu edhe atë të reputacionit dhe shëndetit mendor dhe për shkak që kemi të bëjmë me internet, atëherë pasojat mund të zgjasin edhe gjithë jetën, për shkak të riprodhimit të vazhdueshëm të të dhënave. Çfarë mund të bëjmë nëse një i/e mitur pëson nga veprimet e palejueshme në internet?
“Nëse një fëmijë ka pësuar sulm kibernetik, e para dhe më e rëndësishmja është t’i ofrojmë mbështetje dhe ta dëgjojmë”, thotë për “Grazetën” psikologia Muhaxheri.
Ndër të tjera, ajo thekson se një shkëputje e përkohshme nga interaksionet e ndryshme në rrjetet sociale mund të jetë ndihmuese që fëmija të mund të rimarrë veten emocionalisht dhe se ndërkohë të ndihmuarit e fëmijës për të ndërtuar reziliencë dhe vetëbesim është më se i rëndësishëm.
Ajo bën thirrje që kur fëmijët pësojnë çfarëdo sulmi kibernetik, të kërkohet ndihmë profesionale.
“Në rastet kur sulmet kibernetike përfshijnë kërcënime, gjuhë të urrejtjes, aktivitete ilegale apo të ngjashme, inkurajoj që të përfshini zbatimin e ligjit. Mbi të gjitha, nëse konsideroni se fëmija juaj është ndikuar nga një ngjarje e ngjashme, inkurajoj që të konsultoni një profesionist të shëndetit mendor në mënyrë që të siguroni mbështetje shtesë”, thotë Fiona Muhaxheri.
Parandalimi është mbrojtja më e mirë për fëmijët sa i përket sigurisë dhe privatësisë së tyre kibernetike.
“Ne besojmë se secila pikë e trekëndëshit Shtëpi – Shkollë – Institucione duhet të funksionojë me koordinim në mënyrë që të krijohet një mjedis i përshtatshëm për fëmijët”, thotë Ramadani.
Gjithashtu, Ramadani e rekomandoi një platformë, e cila përmban rekomandime për prindërit, mësimdhënësit dhe të rinjtë rreth internetit të sigurt: www.isigurt.org.
Add Comment