Në vapën e madhe të një dite të mesit të verës, në vitin e parë të pandemisë, takova Artin, një djalë të ri rreth të njëzetave, në Prishtinë. Kishin kaluar disa javë që kur ai u pushua papritur nga puna derisa qyteti, dhe sidomos gastronomia, po përpiqej të kalonte ngadalë drejt një normaliteti të improvizuar, megjithëse me orë të kufizuara operimi.
Arti kishte qenë i punësuar në një nga kafenetë e zhurmshme në qendër të Prishtinës kur mori një telefonatë të papritur nga pronari i kafenesë. Punëndhënesi me keqardhje e informoi atë se, për shkak të masave për reduktimin e fuqisë punëtore, ai nuk kërkohej më të vinte në punë. Duke arsytuar vendimin, punëdhënësi përmendi rënien e të ardhurave, pasi kafeneja luftonte për t’u rikuperuar nga efektet shkatërruese të pandemisë.
Pavarësisht tronditjes dhe nevojës urgjente për punësim, Arti mbeti i qetë, duke ia atribuar shkarkimin e tij pasojave të përhapura të virusit, një gjendje që përkonte me realitetin e gjithë botës në atë kohë. Sidoqoftë, ai vetëm më vonë e zbuloi që e vërteta mund të ishte edhe më dëshpëruese. Ai ishte punonjësi i vetëm i shkarkuar, çfarë ia zgjoi dyshimin për vlefshmërinë e arsyetimit të pronarit të kafenesë. Gradualisht, Arti filloi të dyshonte se orientimi i tij seksual luajti një rol në përfundimin e parakohshëm të punës së tij, sesa vetë pandemia.
Me pandeminë në sfond, Arti e gjeti veten duke u përballur me një realizim dëshpërues — punëdhënësi i tij mund të ketë shfrytëzuar krizën mbizotëruese për t’i dhënë fund punësimit të tij. Udhëtimi i Artit në botën e paragjykimeve, megjithatë, filloi shumë përpara se të godiste pandemia. Që nga dita e tij e parë si kamerier, afërsisht tetë muaj para shpërthimit të virusit, sjellja dhe mospërputhja e Artit me normat tradicionale mashkullore i bëri të tjerët ta perceptonin atë si person gej.
Megjithëse Arti nuk e zbuloi kurrë në mënyrë eksplicite orientimin e tij seksual, zëri i tij i butë, i cili devijon nga pritshmëritë e shoqërisë për burrat dhe maskulinitetin, u bë një katalizator për mundimet që i përjetonte në punë. Gjatë gjithë qëndrimit të tij në kafene, Arti duroi periudha ngacmimesh, përqeshjes, dhe madje përçmimi të plotë. Pavarësisht nga mjedisi sfidues, përvoja aty përfaqësonte periudhën më të gjatë të punësimit që ai kishte përjetuar deri më tani, pasi dy punësimet e tij të mëparshme rezultuan me ndërprerje brenda disa javësh.
Sprovat me të cilat përballej Arti e detyruan atë ta ndryshonte zërin në paraqitjet e tij në punë, duke e thelluar artificialisht në një përpjekje për t’u përshtatur me idealet stereotipike të maskulinitetit. Ky modifikim i vetëdijshëm u lind nga nevoja për ta mbrojtur veten nga reagimet, diskriminimi, dhe pesha e rëndë e stereotipeve shoqërore.
Kur e pyeta Artin nëse do të konsideronte të bënte një ankesë në Inspektoratin e Punës — ai shpërtheu në të qeshura. Reagimi i tij la të kuptohej kotësinë e pritjes së ndërhyrjes institucionale për të adresuar diskriminimin që ai kishte përjetuar. Skepticizmi i Artit dhe mungesa e besimit në një përgjigje institucionale nuk ishin të pabaza, duke marrë parasysh mospërfilljen historike për diskriminimin në vendin e punës ndaj individëve queer.
Gjendja e punëtorëve queer nuk ka qenë kurrë temë diskutimi për asnjë qeveri apo parti politike, duke i bërë betejat e tyre të jenë të padukshme për publikun dhe diskursin politik. Edhe kur shkalla e papunësisë dhe diskriminimi në vendin e punës, qoftë në sektorin publik apo privat, pranohen si çështje të rëndësishme, përvojat e individëve LGBTQ+ mbeten të mbuluara në heshtje, të margjinalizuara nga bisedat kryesore.
Këto përvoja mbeten të kufizuara në kufijtë e organizatave të të drejtave të LGBTQ+, me pak vëmendje përtej atyre qarqeve. Hezitimi i Artit për të ndërmarrë veprime kundër asaj që ai e perceptonte si diskriminim u vërtetua nga kërkimet e mëvonshme në të cilat pata mundësinë të merrja pjesë, të kryer vetëm një vit më vonë.
Hulumtimi ka shqyrtuar aftësinë e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e individëve LGBTQ+ në çështjet e punësimit. Konkretisht, u vu në provë gatishmëria e Zyrave të Punësimit të Kosovës për t’i udhëzuar personat queer që kërkojnë punësim, si dhe përkrahja e ofruar nga Inspektorati i Punës për ata që ishin shkarkuar.
Gjetjet alarmante zbuluan se, mesatarisht, zyrtarët e testuar shfaqën një mungesë shqetësuese të gatishmërisë në trajtimin e individëve LGBTQ+. Ndërsa disa zyrtarë demonstruan një qasje mendjehapur, të njohur me terminologjinë e duhur dhe të gatshëm për të ofruar shërbime, një numër i konsiderueshëm shfaqi shkallë të lartë të paragjykimeve dhe mungesës së mirëkuptimit. Me disa përjashtime, zyrtarët nuk e perceptuan si detyrë të tyre profesionale ofrimin e shërbimeve të përshtatura për individët LGBTQ+, duke marrë parasysh përvojat e tyre unike të jetës.
Hulumtimi hodhi dritë mbi nënzbatimin e madh të kornizës ekzistuese ligjore kundër diskriminimit në Kosovë, pjesërisht për shkak të mungesës së mekanizmave që sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave. Në situatat kur qytetarët LGBTQ+ ndeshen me nëpunës civilë jo-mbështetës, ata duket se janë lënë kryesisht për t’u kujdesur për veten kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të tyre socio-ekonomike. Gjetja më shqetësuese shpalosi mungesën e udhëzimeve të qarta brenda zyrave të punësimit në mbarë Kosovën, lidhur me prioritizimin e individëve LGBTQ+ në ofrimin e mundësive të punësimit, pavarësisht se janë pjesë e një prej grupeve më të cenueshme.
Për më tepër, mungesa e udhëzimeve u shtri edhe në Inspektoratin e Punës, i cili kishte dështuar në krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e individëve LGBTQ+. Raporti ngriti një pyetje thelbësore: A mund të presin në mënyrë të arsyeshme punëtorët që përjetojnë homofobinë dhe transfobinë të gjejnë drejtësi kur, pas gati dy dekadash nga themelimi i Inspektoratit të Punës, institucioni ende nuk ka miratuar udhëzime për trajtimin e rasteve të tilla? Pa procedura të standardizuara të funksionimit, përfundoi raporti, mundësia që individët queer të marrin shërbimet e duhura do të varet shumë nga inspektori specifik që ata do të ndeshen kur i drejtohen institucionit — duke i lënë ata në mëshirën e fatit.
Gjatë aktiviteteve të fundit të organizuara për Muajin e Krenarisë në Prishtinë, pata rastin të takoj Artin. Aktualisht punon si kamerier në një kafene, miqësore për personat queer, në qendër të qytetit, dhe përfaqëson një grup të vogël individësh queer me fat që kanë gjetur një zgjidhje të përkohshme për një vend pune të sigurt. Megjithatë, për shumicën, siguria mund të njëmendësohet vetëm nëse e mbajnë të fshehur orientimin e tyre seksual ose identitetin gjinor që bie jashtë normave binare. Kur e takova përsëri para disa javësh, Arti shprehu zhgënjimin e tij që papunësia dhe mohimi i të drejtave të punës për individët queer nuk kanë gjetur ende një vend në diskursin politik, edhe gjatë Muajit të Krenarisë. Historia e Artit shërben si një kujtesë e fuqishme e paragjykimeve të vazhdueshme gjinore që përshkojnë mjediset e punës.
Pavarësisht ekzistencës së raporteve, hulumtimeve dhe përpjekjeve për mbrojtjen e LGBTQ+, institucionet qeveritare tregojnë pak reagim ose shenja progresi. Komuniteti LGBTQ+ mbetet i margjinalizuar ekonomikisht, dhe njohja dhe pranimi i kësaj duhet të jenë hapat e parë vendimtar drejt krijimit të mekanizmave gjithëpërfshirës që sfidojnë realitetin e zymtë të përvojave queer në vendin e punës.
*Autorja është angazhuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për shkrimin e këtij artikulli në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e autores dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Mbretërisë së Holandës.
Post Views: 636
Add Comment