Shtjellime

Lufta kundër kancerit të gjirit në Kosovë: Sfidat dhe triumfet

Në muajin e tetorit, kur gjethet e vjeshtës shumëngjyrëshe e mbulojnë natyrën, Kosova vendos fjongo rozë dhe mbledh fuqinë e saj për Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. E në një kohë solidariteti, reflektimi dhe veprimi, Valbona Ismaili, një e mbijetuar e guximshme e kancerit të gjirit, rrëfen rrugëtimin e saj. Me një vendosmërisë të palëkundur, ajo mishëron shpirtin e atyre që përballen me këtë sëmundje.

“Kancerin e gjirit e zbulova në moshën 49-vjeçare pas kontrollave rutinore”, nis rrëfimin e saj për “Grazetën” Valbona. Zëri i saj, i qëndrueshëm dhe i palëkundur, mban peshën e një historie të shënuar nga guximi dhe shpresa. “Meqenëse këtu gjeta një treshe mjekësh të mirë – kirurg, onkolog dhe radiolog – vendosa të trajtohem këtu edhe pse pata mundësinë të kërkoja trajtim në Itali”, vazhdon të tregojë ajo përjetimin e saj. Zgjedhja e Valbonës flet për cilësinë e kujdesit në Kosovë, ku përmes operacionit dhe gjashtë cikleve të kimioterapisë, ajo lundroi në terrenin sfidues të trajtimit të kancerit të gjirit.

“Kam marrë terapitë në klinikën onkologjike në Prishtinë dhe kam qenë e kënaqur me punën e tyre”, shton ajo – një dëshmi e përkushtimit të profesionistëve shëndetësorë në klinikë.

Megjithatë, udhëtimi mori një kthesë të papritur. “Pas katër vitesh, sëmundja u kthye në pjesë të tjera të trupit, me disa metastaza”, tregon Valbona. E përballur me koston e lartë të terapisë hormonale prej 1500 Euro, ajo kërkoi trajtim në Itali, duke vënë në pah sfidat financiare që vazhdojnë në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Si herën e parë ashtu edhe herën e dytë, e mora lajmin shumë qetë dhe pozitivisht, e si rrjedhojë edhe shërimi po shkon shpejtë dhe mirë”, na thotë Valbona duke shfaqur dëshmi të forces së saj të palëkundur.

“Në onkologji kam pasur edhe mbështetjen e psikologut, të cilën e kam konsideruar shumë të nevojshme për atë repart, më ka ndihmuar shumë gjatë terapisë”, shprehet ajo, duke theksuar se rëndësia e mbështetjes psikologjike në rrugëtimin drejt rimëkëmbjes nuk mund të nënvlerësohet.

Megjithatë, tani Valbona nuk mbështetet më tek psikologu. “Nuk e shoh të nevojshme sepse veç jam mësuar me këtë sëmundje”, qesh ajo, ndërkohë që vazhdon të tregojë se gjithmonë e ka pasur mbështetjen e familjes dhe miqve dhe se ndihet me fat për njerëzit që e rrethojnë.

Duke reflektuar mbi përvojën e saj me kancerin e gjirit, Valbona avokon për edukim më të mirë të pacientëve. “Unë kisha propozuar një gjë: të paktën një broshurë ose informacion bazë për trajtimin me kimioterapi. Personalisht nuk kisha asnjë informacion dhe kjo më shkaktoi një frikë të madhe në fillim. Mendoj se pacienti ose familja duhet të informohen për procedurën që kjo sfidë të tejkalohet sa më lehtë”.

Historia e Valbonës është një vepër e thurrur me fijet e guximit, qëndrueshmërisë dhe mbështetjes së palëkundur të njerëzve të dashur. Përvoja e saj, megjithëse është unike, pasqyron udhëtimet e të tjerëve të panumërt që përballen me kancerin e gjirit në Kosovë.

Mjeku Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, është adresa e parë për mjekim për shumë gra e burra të prekur nga sëmundja e kancerit. Ai vë në dukje numrin e rasteve të reja të evidentuara me kancer të gjirit në Kosovë.

“Për këto nëntë muaj janë identifikuar 332 femra me kancer gjiri dhe 4 meshkuj”, thotë doktor Kurtishi për “Grazetën”.

E këto shifra të zymta ofrojnë një pamje të gjallë të betejës që po zhvillohet brenda mureve të klinikës.

“Përveç këtyre rasteve të identifikuara, këtë vit 332 janë më shumë se 400 nga viti paraprak. Plus, gratë që janë në ndjekje ‘me follow up’ apo terapi Hormonale, që janë mbi 1000”, vazhdon doktor Kurtishi.

Vetëm në vitin 2022 janë identifikuar 432 femra dhe 6 meshkuj me kancer gjiri. Derisa, sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, kjo klinikë ofron trajtime moderne sipas protokolleve.

“Klinika e Onkologjisë ka kapacitet për trajtimin e të gjitha femrave të prekura me kancer dhe ofron trajtimin modern të këtyre sëmundjeve sipas protokolleve të tyre, si në aspektin e mjekimit me barna ashtu edhe në atë me rrezatim”, pohon për “Grazetën” doktor Kurtishi.

Qasja në medikamente specifike dhe kostoja terapive që nuk mbulohen nga Ministria e Shendetësisë mbetet një shqetësim, me farmacitë private që kanë rol kryesor në tejkalimin e këtij hendeku. Për fat të keq, nuk kemi arritur të sigurojmë përgjigje nga farmacistët për disponueshmërinë e barnave dhe çmimeve, ngase të njejtit kanë refuzuar pyetjet tona. Ndërkaq, sipas të dhënave të siguruara nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), numri i përgjithshëm (total rastet) i vajzave/grave të diagnostifikuara me kancer në Kosovë në viti 2022 është 2422, ose 55% e numrit të të gjitha rasteve me kancer duke përfshirë dy gjinitë. E 1119 raste të identifikuara me kancer të gjirit vitin e kaluar, përbëjnë 46.2% të numrit të përgjithshëm të rasteve me kancer te femrat.

Në mes të rrugëtimit të Valbonës dhe përpjekjeve të përkushtuara të profesionistëve të kujdesit shëndetësor si doktor Ilir Kurtishi, sfidat vazhdojnë.

Komuna e Prishtinës kryeson me numrin më të madh të rasteve të diagnostifikuara me kancer të gjirit në vitin e kaluar, me 212 raste (18.8%), ndjekur nga Prizreni me 76 raste apo 6.8% dhe Gjakova me 75 raste apo 6.7%.

Sa i përket grupmoshës më të prekur nga kanceri i gjirit në Kosovë, te numri i vajzave/grave të diagnostifikuara në vitin 2022, prin mosha 55-59 vjet me 17.2% të të gjitha rasteve, sipas IKShPK-së.

Ngjashëm, edhe në nivel global, kanceri i gjirit mbetet një shqetësim i madh. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), më shumë se 2.3 milionë raste të kancerit të gjirit regjistrohen çdo vit, duke e bërë atë formën më të zakonshme të kancerit midis burrave dhe grave së bashku.

“Në 95% të vendeve, kanceri i gjirit është shkaku i parë ose i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri i femrave. Deri në vitin 2040, më shumë se 3 milion raste të kancerit të gjirit dhe 1 milion vdekje parashikohen të ndodhin çdo vit në mbarë botën. Kanceri i gjirit duhet të jetë një prioritet për ministritë e shëndetësisë dhe qeveritë kudo”, thekson publikimi “Nisma globale për kancerin e gjirit” i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërsa muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit po mbyllet, duhet rikujtuar se nëpërmjet kontrollave rutinë mund të arrini zbulimin e hershëm dhe përmes zbulimit të hershëm e trajtimit të tij përmirësohen shanset për mbijetesë dhe për shërim.

About the author

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri ka përfunduar studimet Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Në po të njejtin departament ka vazhduar edhe studimet master, derisa për një semestër ka studiuar në Kristianstad të Norvegjisë për Gazetari Globale. Ajo ka në përfundim edhe fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2016 ka punuar vazhdimisht si gazetare dhe hulumtuese në fushat e politikës dhe ekonomisë, ndërkohë ka përfunduar edhe praktikën e punës në mediumin Deutsche Welle në Bonn të Gjermanisë. Aktualisht, Agnesa punon si gazetare dhe redaktore e emisionit për ekonomi “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment