Shtjellime

Liberalizimi i vizave dhe emigrimi nxit bizneset kosovare për të punësuar më shumë gra

Në vazhdën e ndryshimeve të tregut të punës në Kosovë, Vlora S., një grua 39-vjeçare, bart një histori që i vë në dukje sfidat me të cilat përballen gra të shumta si punëtore. Rrugëtimi i Vlorës është dëshmi e faktit që gratë në Kosovë përballen me pagën më të ulët për dallim nga kolegët e tyre burra.

“Kam mbi 14 vite përvojë të punës në sektorin e financave dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam kalu sfida të ndryshme, duke përfshirë përballjen me pabarazi në pagë. Për pozitën dhe punën e njejtë jam paguar diku 100 euro më pak se kolegët e gjinisë mashkullore,” tregon Vlora gjatë një bisede me “Grazetën”.

E në përgjigje të pyetjes nëse ka adresuar ndonjë ankesë lidhur me këtë diskriminim në pagë, ajo shprehet se ndonëse ka qenë e ditur qartazi përbrenda kompanisë, ka qenë e pamundur ta dëshmojë.

“Në momentin e parë që më është dhënë mundësia, e kam ndërruar vendin e punës. Nuk mund të qëndroja diku ku ndihesha e diskriminuar dhe e nënvlerësuar vetëm se jam grua. Është koha për ndryshim, që gratë të njihen dhe të vlerësohen për aftësitë e veta”, thotë Vlora, duke përmbledhur vendosmërinë në ndjekjen e barazisë gjinore.

E derisa Vlora përpiqet për vlerësim dhe barazi në vendin e punës, Kosova qëndron në një udhëkryq, duke u përballur me një mori sfidash të tregut të punës.

Shkalla e lartë e papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, së bashku me përqindjet e ulëta të pjesëmarrjes, mungesën e punëtorëve të kualifikuar si dhe zvogëlimin e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, paraqesin një tablo komplekse.Në anën tjetër, na ndajnë vetëm pak ditë nga liberalizimi i vizave për zonën Shengen, ku tashmë 1 janar i vitit 2024 po shihet si mundësi e re për disa e varg sfidash për të tjerë.

Bizneset e vendit janë ato që liberalizimin e vizave po e konsiderojnë si mundësi shtesë për emigrim e fuqisë punëtore nga Kosova. Këtë e thotë edhe një raport i publikuar nga Instituti Riinvest.

“Migrimi i punonjësve mbetet problemi kryesor me të cilin përballen bizneset. Rezultatet e anketës sugjerojnë se 17.59 përqind e firmave raportuan se punonjësit e tyre i informuan se do të emigronin vitin e ardhshëm. Në përgjithësi, bizneset presin që 32.72 për qind e punonjësve të migrojnë vitin e ardhshëm”, shkruhet në raportin e titulluar “Një model i ri për rritjen e qendrueshme ekonomike – dinamikat e tregut të punës: sfidat aktuale dhe të ardhshme”.

Se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim në rritjen emigrimit të qytetarëve të Kosovës, e thotë edhe një raporti i realizuar nga EPPC me 1,967 respondentë ku 45% e qytetarëve thonë se kanë prirje të emigrojnë në vendet e zonës Shengen pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Por, ajo se çfarë po bëjnë bizneset për ta zbutur këtë problem, sipas raportit të Institutit Riinvest, është rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës. Megjithatë, planet e disa bizneseve për ta neutralizuar këtë problem duken interesante.“20.6 përqind planifikojnë të punësojnë gra”, thotë raporti dhe kjo ngrit disa dilema.

A planifikohet të punësohen gratë sepse janë fuqi punëtore më e lirë apo ndonëse nuk do të ketë mjaftueshëm burra në tregun e punës?

Lidhur me këto plane të bizneseve për punësimin e grave, Zana Beqiri, drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, e pohon rritjen e mundshme të numrit të grave në tregun e punës, por shpreh shqetësimin për arsyet themelore.

“Sa i përket këtyre vlerave që potencialisht mund të rritet numri i grave në tregun e punës, është lajm i mirë që do të rritet numri, megjithatë nëse arsyet pse do të rritet numri janë për shkak të nivelit më të ulët të pagës gjithsesi nuk është një lajm i mirë sepse ne, si Dhomë e Tregtisë, si përfaqësues të bizneseve, jemi të prirur t’i shohim bizneset si të barabarta, pavarësisht gjinisë që përfaqësojnë,” thotë Beqiri për “Grazetën” duke shtuar se nëse do të ndodhë një gjë e tillë, do të ndodhë kryesisht për shkak të ndryshimeve në paga.

Planifikimet për punësimin e grave, e veçanërisht atyre në moshë të mesme, Zana Beqiri i sheh si hamendësim të bizneseve dhe shumicës së njerëzve në Kosovë që e parashohin se mosha e mesme ndoshta nuk mund të gjejë vend pune të përshtatshëm në vendet e jashtme dhe që ndoshta ka ngecur në mësimin e gjuhëve të huaja.

“Ata (bizneset) llogarisin që gratë e moshës së mesme do të mbesin në Kosovë sepse s’kanë ku me shku. E kjo nuk është aspak lajm i mirë sa i përket tregut të punës dhe balancit në tregun e punës sepse tash ato gra që hyjnë në treg, me një nënçmim të tillë, ne nuk mund të presim që ato do të kërkojnë të drejtat e tyre. Ato gra duhet të hyjnë në treg me meritën që e kanë, me rrogën që duhet”, thekson Beqiri për “Grazetën”.

Në anën tjetër, Kosovare Ukshini, profesore e ekonomisë, thotë se nuk duhet keqinterpretuar ky trend dhe se emigrimi i fuqisë punëtore nuk përfshin vetëm burrat.

“Nuk mendoj që ikja e fuqisë punëtore jashtë vendit përfshin vetëm gjininë mashkullore, por edhe atë femërore. Për një kohë të gjatë është duke ndodhur qarkullimi i të rinjve, ani pse pak më shumë e shprehur tek meshkujt por kjo nuk përjashton as femrat,” thotë ajo për “Grazetën”, duke shtuar se gratë karakterizohen me një pasivitet të lartë në tregun e punës në Kosovë edhe pse në 10 vjeçarin e fundit kjo dukuri ka pasur zhvillime pozitive.

Tutje, ajo shprehet se bizneset, me planifikimin për punësimin e më shumë grave, mund të kenë për synim aktivizimin e grave në fuqinë punëtore.

“Bizneset mund të synojnë të aktivizojnë fuqinë punëtore pasive të grave duke i inkurajuar ato me paga më të larta dhe politika të tjera. Megjithatë, vetëm kjo nuk do të plotësojë mungesën e fuqisë punëtore,” thotë prof. Ukshini për “Grazetën” dhe shton se gruaja në Kosovë nuk është e integruar në punë të aftësive të lehta ose të ulta, por ajo më tepër është e fokusuar në punë të aftësive të mesme ose të larta, ndryshe më shumë është e orientuar në përkujdesje të familjes.

Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2022, gratë përbënin 22% të fuqisë punëtore, ndërsa burrat përfaqësonin 55.5% nga një përqindje totale e pjesëmarrjes prej 38.6%.E disa nga arsyet kryesore për nënpërfaqësimin e grave në fuqinë punëtore bazuar në disa hulumtime i ka theksuar Elirjeta Beka nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Janë katër arsye kryesore për nënpërfaqësimin e grave në fuqinë punëtore dhe midis pronarëve të biznesit. 1. Legjislacioni diskriminues: Ligji i Punës kërkon që punëdhënësit të paguajnë pushimin e lehonisë. Si rezultat i drejtpërdrejt, shumë punëdhënës nuk punësojnë gra sepse nuk mund të përballojnë humbjen financiare që lidhet me pagesën e pushimit të lehonisë; 2. Disponueshmëria e pamjaftueshme e kujdesit për fëmijët: Hulumtime të ndryshme kanë treguar se një nga arsyet kryesore që gratë nuk mund të punojnë është se kujdesi për fëmijët nuk është plotësisht i disponueshëm për to ose kushton më shumë se sa të ardhurat e tyre; 3. Normat gjinore: Normat gjinore kontribuojnë që punëdhënësit të mos punësojnë gra në sektorë të veçantë ku ata mendojnë se burrat janë punonjës më “të përshtatshëm”; 4. Qasja e kufizuar në kapital pengon aftësinë e grave për të krijuar ose rritur bizneset e tyre: Gratë posedojnë vetëm 19% të pronës në Kosovë (burimi: Agjencia Kadastrale e Kosovës, 2022), gjë që ndikon në qasjen e tyre në kredi, grante dhe subvencione”, tha për “Grazetën” Elirjeta Beka.

Theksojmë se rrugëtimi i Kosovës drejt një fuqie punëtore më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në aspektin gjinor është në një pikë kyçe.

Liberalizimi i vizave pas 1 janarit 2024 sjellë mundësi dhe sfida dhe mënyra se si bizneset e menaxhojnë këtë situatë do të ndikojë në të ardhmen e grave në fuqinë punëtore. Rruga përpara kërkon jo vetëm reforma të politikave, por edhe ndryshim kulturor që njeh dhe vlerëson kontributet e grave në tregun e punës e në zhvillimin të Kosovës.

About the author

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri

Agnesa Qorri ka përfunduar studimet Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Në po të njejtin departament ka vazhduar edhe studimet master, derisa për një semestër ka studiuar në Kristianstad të Norvegjisë për Gazetari Globale. Ajo ka në përfundim edhe fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2016 ka punuar vazhdimisht si gazetare dhe hulumtuese në fushat e politikës dhe ekonomisë, ndërkohë ka përfunduar edhe praktikën e punës në mediumin Deutsche Welle në Bonn të Gjermanisë. Aktualisht, Agnesa punon si gazetare dhe redaktore e emisionit për ekonomi “7 Ditë me Panxhën” që transmetohet në Klan Kosova.

Add Comment

Click here to post a comment