Vox

Goodbye my love, goodbye

Që kur babi u sëmur, gjithmonë i jam frikësuar zileve të telefonit, sidomos kur nuk isha në shtëpi. Prej katër vitesh, që nga dita kur ai u sëmur, telefoni ka qenë gjëja që e mbaja më afër se çdo gjë tjetër. Çdo mëngjes, edhe kur shkoja në punë, por sidomos në muajt që isha jashtë Kosovës, ndihesha sikur e prisja atë telefonatën, që erdhi herët në mëngjesin e 20 nëntorit. Ende pa folur motra, e pyeta: “Ka vdekë babi apo?” Mijëra kilometrat mes meje dhe saj u zhdukën në çast, sepse pesha e dhimbjes ishte më e madhe… Por sapo e mbylla telefonin dhe fillova të kërkoja bileta për t’u kthyer në shtëpi, ato kilometra morën përmasa reale.

***

Futa pompën e gjirit dhe pasaportën në çantë dhe dola me nxitim për në aeroport. Udhëtimi deri në shtëpi m’u duk një përjetësi. Vetëm kur aeroplani u nis, fillova ta përpunoja që po kthehesha në shtëpi. Dhe aty shpërtheva në lot. Te cila shtëpi po shkoj?, e pyeta veten. Sepse shtëpia nuk janë muret apo çatia, por njerëzit që jetojnë aty. Dhe unë po shkoja për t’i thënë lamtumirë për herë te fundit njeriut që e bënte shtëpinë të ndjehej si e tillë.

Axhi ma tregoi një fotografi të babit kur ishte rreth 15-16 vjeç. Për një moment, nuk më dukej si ai, sepse ne, fëmijët, shpesh harrojmë që prindërit tanë kanë pasur një jetë të tyre plot ëndrra dhe përvoja shumë përpara se ne të lindnim. Nuk e di pse kemi prirjen të besojmë se jeta e tyre fillon aty ku fillon kujtimi ynë i parë me ta. Kjo fotografi më bëri të mendoj për kujtimet rreth babit, përpara se ai të sëmurej, pasi sëmundja e tij nuk dua që ta përkufizojë kujtimin tim për të.

Muajt e fundit babi i kishte shumë të vështira prandaj unë ende luftoj me mendjen time që të mos e kujtoj në atë gjendje. Sëmundjet janë të poshtra, t’i rrëmbejnë gjithë kujtimet e bukura dhe me një egoizëm duan që të triumfojnë e të bëhen përkufizues i njeriut tënd. 

Tani përpiqem të kujtoj gjithçka të bukur për të, përpara se sëmundja ta ndryshonte. Dua që kujtimi për të të jetë ai i një njeriu shumëngjyrësh, plot dritë dhe dashuri.


***

Babi ka qenë njeriu më liberal që kam njohur. Idetë dhe qëndrimet e tij shpeshherë ishin më progresive se të mijat. Ai nuk predikonte moral, nuk na ka lënduar kurrë me fjalë, e aq më pak me vepra. Për të, respekti nuk ishte diçka që kërkohej me forcë – as nga ne, vajzat e tij, dhe as nga të tjerët. Babi kërkonte gjithmonë mendimin tonë dhe nuk ndërhynte kurrë në jetët tona personale. Ai na deshi shumë, por mbi të gjitha, deshi më shumë mamin.

Unë jam me fat që jam rritur nga një baba që e kishte mamin në qendër të universit të tij. Nuk mbaj mend asnjëherë të jenë zënë, dhe mami gjithmonë kishte fjalën e fundit në shtëpi. Si duket, babi kishte kuptuar sekretin e një martese të lumtur -“që gruaja ka gjithmonë të drejtë”.

***

Babi e adhuronte muzikën dhe kërcimin. Në të gjitha fotografitë dhe videot kur ishte mirë me shëndet, ai shihet duke kënduar dhe kërcyer me atë stilin e tij të veçantë, me gishtin e vogël te ngritur, ku mbante gjithmonë një unazë. Ishte gjithmonë me mamin për dore. Ata të dy ishin kërcimtarë që shkëlqenin në çdo aheng. Kudo që ishim të ftuar, sapo fillonin të kërcenin, skena bëhej e tyre dhe duartrokitjet nuk mungonin.

Më kujtohet një herë, rreth viteve 2003-2004, kur ishim gjithë familja për darkë në një restorant të qytetit, ku organizoheshin mbrëmje muzikore. Vendi ishte i mbushur plot, dhe si pjesë e argëtimit, organizatorët kishin përgatitur një lojë shperblyese për çiftet që kërcenin më mirë. Disa çifte, rreth 10-15, dolën në skenën e improvizuar për të konkurruar, por jo mami dhe babi sepse atij nuk i pëlqenin garat. Megjithatë, sapo filloi muzika, ata nisën të kërcenin pranë tavolinës sonë. Brenda pak çastesh, të gjitha shikimet u kthyen drejt tyre dhe, si gjithmonë, ata “e rrëmbyen” vëmendjen.

Kur erdhi momenti i shpalljes së fituesve, organizatorët, si formë shakaje, erdhën tek tavolina jonë duke i thirrur si fitues ata. Oh, sa shumë turp më erdhi atëherë! Si një para-adoleshente, e urreja gjithë atë vëmendje që babi merrte kudo që shkonim. Sot, do të jepja gjithçka vetëm ta shihja edhe një herë duke kërcyer në atë mënyrë.

***

Babi më ka mësuar shumë për muzikën. Prej tij kam dëgjuar për herë të parë për The Beatles, Queen, Elvis Presley, Abba e Eros Ramazzotti. Ishte ai që ma prezantoi edhe këngën “Goodbye my love, goodbye”  e këngëtarit Demis Roussos, një këngë që së fundmi e donte shumë. Me këtë këngë, babi qante gjithmonë. Në fakt, babi qante shpesh. Mjaftonte një këngë që i pëlqente, dhe lotët i rridhnin. Nuk i fshehu kurrë lotët e tij. Ne u rritëm duke e parë babin të qante me filma dhe këngë, saqë kjo ishte normalja jonë, derisa kuptuam që baballarët “e fortë” të botës nuk qanin kurrë.

Përveç muzikës së huaj, babi e njihte mirë edhe folklorin tonë. Afër shtëpisë sonë në Ferizaj, vitet e fundit të jetës së tij, jetonte folkloristi i njohur Riza Bllaca. Prej tij, babi mësoi shumë për folklorin dhe historinë. Kur shkonim në pushime familjare, gjatë udhëtimit gjithmonë kishte ndonjë kasetë të Riza Bllacës në makinë. Ne i urrenim ato këngë, sepse nuk i kuptonim. Por babi gjithmonë na plotësonte dëshirën dhe vendoste ndonjë kasetë tjetër. Sot, do të jepja gjithçka vetëm ta dëgjonim bashkë Riza Bllacën edhe një herë.

***    

Babi nuk ishte aspak i zakontë në stilin e veshjes. 

Preferonte të kuqen, të verdhën, rozën dhe të gjelbrën, ngjyra që shpesh nuk konsiderohen “tipike” për burrat e moshës së tij. Diskutimet për veshjet ishin të pashmangshme mes nesh. Për të, pjesa më e bukur e ditës fillonte me planifikimin e veshjes që e kishte menduar një natë më parë. Ai na komplimentonte gjithmonë mua dhe motrat kur vishnim rroba me ngjyra, ndërsa mami çdo mëngjes priste ndonjë kompliment nga ai për pamjen e saj.

Shpesh bënte shaka që mami ia kishte “marrë zemrën” kur nga makina e kishte parë “një vajzë me fustan me lule”. Sa herë që e pyesnim për takimin e parë me të, gjithmonë e fillonte me këtë histori të fustanit. Edhe kur shikimi i tij filloi të dobësohej aq shumë, na habiste fakti që gjithsesi i vinte re rrobat e reja që vishnim.

Babi shpesh vishte edhe rrobat tona. Nëse i pëlqente ndonjë xhaketë, nuk kishte zgjidhje tjetër: ose duhet t’ia falje, ose e bënte të vetën me një mënyrë a një tjetër. Për të, rrobat e reja ishin një arsye më shumë për t’u zgjuar në mëngjes. Edhe gjatë dy viteve të fundit, kur shkonte tri herë në javë në dializë, vazhdonte të përgatiste veshjet për spital që një natë më parë.

Ishte gjithmonë sfidë t’i blije rroba, sepse shumica e veshjeve për burra ishin në ngjyra të errëta, të cilat ai nuk i pëlqente. E mbaj mend shumë mirë një rast, para 4-5 vitesh, kur i bleva një xhaketë ngjyrë kafe. Kur e pa, nuk u kursye aspak: “Ku ma ke blerë? Shkoj nesër e ndërroj.” U bëra shumë nervoz kur të nesërmen erdhi me një xhaketë ngjyrë të kuqe të ndezur. Sot, do të jepja gjithçka që ta shihja edhe një herë me atë xhaketë.

***

“Edhe po të mos flisje, do ta dija që je vajza e Isës,” më tha një mjek kur shkova në shtator të këtij viti për t’u konsultuar për babin. Ky koment më ktheu pas në kohë, në adoleshencë, kur nuk i pëlqeja aspak tiparet e fytyrës sime. Ishin pikërisht këto “që kisha marrë nga babi” ato që më shkaktonin pasiguri dhe ulje të vetëbesimit. Sot, është një histori krejt tjetër. Mendimi që kam trashëguar diçka nga ai më jep ndjesinë se babi, në një mënyrë, ende jeton përmes meje.

Por nuk është vetëm pamja. Edhe në karakter i kam ngjarë. Nuk mund të qëndroj në shtëpi. Dua të dal, qoftë edhe për një kafe apo një ecje të shkurtër – mjafton të jem jashtë shtëpisë për disa orë. Edhe babi ishte ashtu. Nuk i pëlqente ecja, por e donte lëvizjen. Gjithmonë përdorte veturën dhe madje hynte me të edhe në vende ku, normalisht, duhet të ecësh. Shpesh qeshnim dhe thoshim: “Babait i pëlqejnë shumë shëtitjet e gjata në natyrë… me veturë.”

Prandaj, kur mbeti i shtrirë pas një sulmi në tru në korrik të këtij viti, e kuptova pse nuk e pranonte kurrë fatin dhe dëshironte të ikte nga kjo botë. Nuk mund të qëndronte ashtu i palëvizshëm. Kjo gjendje e kishte ndryshuar babin, e po, kë nuk do ta ndryshonte në fund të fundit? Nga një njeri që i gëzohej secilit moment të jetës, ai u shndërrua në një njeri të heshtur, të trishtuar, të detyruar të qëndronte 24 orë shtrirë me shikimin e ngulitur në mur.

Në muajt e fundit, babai nuk fliste dhe nuk donte të shihte askënd. Çdo bisedë për të kaluarën e ndërpriste menjëherë. Kur u largova nga Kosova në fund të shtatorit, kur flisnim në telefon, nuk dëshironte të na shihte në kamerë as mua, as djalin tim. Kjo më dhimbte shumë por e kuptoja. Kishte pritur me aq gëzim ardhjen e Bjornit sa, kur kam mbetur shtatzënë, kishte thirrur gjithë familjen, një nga një, për t’ua treguar lajmin. 8 maji 2024 ishte ndër ditët më të lumtura te jetës së tij. Kishte shumë ëndrra për Bjornin, por kur u sëmurë, e kuptoi që nuk do t’i realizonte. Pas sulmit, çdo herë që e shihte Bjornin, qante shumë. Prandaj, në fund, refuzonte të na shihte, si për të ndalur veten nga vuajtja.

Kur axha im ndërroi jetë në tetor, më thanë që babi “e pranoi lehtë” vdekjen e tij. Por unë e dija që jo. Nga ai moment, babai u mbyll edhe më shumë në vete. Axhën Sali e donte më shumë se gjithë vëllezërit dhe motrat e tjera. Për 40 e ca ditë sa jetoi pas vdekjes së axhit, babi nuk e përmendi më kurrë. Mami thotë që nuk kishe mundësi t’ia nxirrje një fjalë për të apo ta bëje të çlironte zemrën nga mërzia.

Babi dhe axha e kishin ndarë çdo ditë të jetës bashkë. Kushdo që kishte njohur njërin, pa dyshim kishte njohur edhe tjetrin. Prandaj, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Tani, të dy pushojnë krah për krah në varreza. Pas sëmundjes së tyre, sot, e di që janë më mirë aty ku janë, bashkë.

About the author

Donika Gashi

Donika Gashi

Donika Gashi ka përfunduar studimet baçelor për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Në janar të vitit 2015 filloi punën si gazetare në Klan Kosova. Për më shumë se pesë vite në këtë television punoi përveç si gazetare edhe si producente dhe moderatore e emisionit 'NIN' dhe emisionit zgjedhor ‘Zona Zgjedhore’. Ajo ka qenë pjesë e disa fellowship-s për gazetarë në Kosovë. Nga janari deri në korrik 2021 ishte pjesë e 'Jiri Dienstbier Fellowship' në Radio Evropa e Lirë në Pragë. Tani është zyrtare për komunikim në organizatën joqeveritare Germin.

Add Comment

Click here to post a comment