Vox

Shëndeti si akt rezistence – Historia e Lisës dhe “Tip 1 Omël”

Unë jam Lisa, 21 vjecare, studente e Psikologjisë dhe themeluesja e organizatës “Tip 1 Omël”. Historia ime është celës për të kuptuar themelimin e kësaj organizate. Unë jetoj me Diabet Tip 1 prej moshës 6 vjecare. Ashtu si shumica e personave në Kosovë që diagnostifikohen në fëmijëri, ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua dhe familjen time.

Simptomat para diagnozës po keqësoheshin çdo ditë e më shumë. Ndërrova 4 pediatra dhe askush nuk na dha një përgjigje të saktë. Kur mendoj për atë kohë, nuk mund të kuptoj se si mbijetova. Përveç kohës së diagnozës, sfidat vazhdojnë çdo ditë.

Si një vajzë në klasën e parë, që është detyruar nga drejtoria e shkollës “Meto Bajraktari” ta fshehë gjendjen shëndetësore, sfidat ishin sa fizike, aq edhe psikologjike. Jam detyruar nga drejtoria të mas glukozën e të marr insulin në banjo, ku kushtet ishin të mjerueshme. Jeta më ndryshoi kur u transferova në shkollë private, ku tregova për sëmundjën time, ndava historinë dhe I gjithë stafi shkollor ishte shumë përkrahës. Aty kuptova sa me rëndësi është të jem e hapur për faktin se jam me diabet tip 1.

Jam shumë falenderuese për prindërit e mi, të cilët më dhanë forcën që e mbajë brenda vetes deri sot. Ata janë shtylla e forcës dhe vullnetit tim. Prej momentit që u diagnostifikova, studiuan sëmundjen time në një nivel shumë të lartë. Studiuan glukozën, karbohidratet, si ndikon gjithcka në nivele të glukozës. Gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të informuar për zhvillimet në teknologjinë e diabetit. Më mësuan se diabeti tip 1 eshte i menxhueshëm, se mund të jetojë një jetë normale dhe pa komplikime. Prindërit e mi më përcollën pasionin për të ditur më shumë për diabetin.

Kaluan 6 vite që injektohesha me insulinë disa herë në ditë. Lëkurën e kisha aq të dëmtuar, sa që nuk kisha vende ku të injektohesha më. Në momentin që erdhën pompat insulinike në Kosovë, familja ime bënë të pamundurën që kjo pajisje jetike të ishte pjese e jetës sime. Edhe pse shumë e kushtueshme dhe shteti nuk mbulon asnjë nga shpenzimet, shëndëti im gjithmonë ka pasë prioritet. Nga momenti që vendosa pompën, jeta ime u permirësua drastikisht. Nuk kisha nevojë të shpohem disa herë në ditë, kështu u përmirësua gjendja e lëkurës sime, vlerat e glukozës janë shumë më mirë, u rrita, shtova peshë… Edhe tash, 9 vite më vonë, jam shumë falenderuese që kam mundësi të kem një pajisje të tillë.

Përveç prindërve, është më se e rëndësishme të rrethojmë vetën me persona përkrahës dhe të informuar mbi diabetin tip 1. Jam në një fazë të jetës ku ky është një ndër tiparet kryesore që I vlerësoj te një person. Rrethoni vetën me njerëz përkrahës, sepse ne si persona me diabet tip 1 duhet të kemi dikë që është aty për ne në momente të vështira.

Barra psikologjike, emocionale, fizike e financiare, mungesa e kushteve për persona me diabet tip 1 në vendin tonë, mungesa e informacionit në institucione e në shkolla: të gjitha këto më kanë shtyrë ta themeloj organizatën joqeveritare ’Tip 1 Omël’, e cila ka për qëllim mbështëtjen e personave me diabet tip 1, rritjen e vetëdijsimit, dhe avokimin për kushte më të mira në Kosovë.

Unë kam një lidhje të thellë personale me Tip 1 omël. I kuptoj thellësisht sfidat që vijnë me të qenurit me diabet tip 1. E kuptoj se çfarë do të thotë të jesh i vetëdijshëm për glukozën në gjak gjatë gjithë kohës, të llogarisësh karbohidratet për çfarëdo që konsumoj, e te shpohesh disa herë në ditë. E kuptoj se sa e lodhshme mund të jetë, dhe sa e vështirë mund të jetë të pranojmë se diabeti do të jetë pjesë e jona përgjithmonë. Por, me përkrahjen duhur, të gjithë këto sfida janë të perballueshme. Diabeti më ka mësuar diciplinë, forcë, kurajo e durim. Nuk është e lehtë, por me përkushtim, dashuri për veten dhe mbështetje të fortë, mund ta kthejmë këtë udhëtim në një mundësi për të rritur durimin, këmbënguljen dhe besimin në vetvete. Për shkak gjendjes sime shëndetësore, unë njoftohem me trupin tim cdo ditë e më shumë. Jo vetëm trupin, por edhe ndërlidhjen mes trupit dhe mendjes. Se si gjendja jonë mentale mund të ndikojë ne gjendjen fizike, dhe anasjelltas.
Diabeti tip 1 është më shumë se një sëmundje kronike, është stil jetese. Jetesë për të cilën luftojmë unë dhe 2,500 persona tjerë në Kosovë. Jetesë të cilën vendi ynë duhet të n’a lehtësojë.

Sikurse vet diabeti tip 1, edhe themelimi i një organizate të dedikuar për të, ka sfidat e veta. Si një nismë shumë e re, në një vend me kaq pak informacion dhe akses në teknologji te diabetit, ne si komunitet duhet të punojmë shumë. Ne si organizate duam të krijojmë një hapësirë të sigurtë për persona me diabet tip 1 e për prindër. Ku mund të mbledhemi, të mbajmë trajnime, t’i ndajmë idetë, të i ndajmë historitë tona, e të ngrisim zërin për neglizhimin që bëhet ndaj diabetit tip 1.

Besoj fuqimisht, se duke ndarë historitë tona për rrugëtimin tonë me Diabet Tip 1, duke krijuar një komunitet, dhe duke ngritur zërin së bashku, mund të bëjmë ndryshime të mëdha në Kosovë.

About the author

Lisa Mehmeti

Lisa Mehmeti

Lisa është studente 21-vjeçare e Psikologjisë dhe themeluese e organizatës “Tip 1 Omël”, e dedikuar për mbështetjen dhe avokimin për personat me diabet tip 1 në Kosovë. E diagnostikuar që në moshën 6-vjeçare, ajo ka përjetuar sfidat e mungesës së informacionit dhe mbështetjes institucionale, gjë që e shtyu të krijojë një komunitet të sigurt dhe të informuar.

Add Comment

Click here to post a comment