Në Kosovë, gratë shkojnë në spitale për të sjellë jetë – por shpesh largohen të dhunuara, të poshtëruara dhe me plagë që nuk shërohen kurrë. Dhuna obstetrike nuk është një përjashtim i rrallë, por një realitet i përditshëm për shumë gra, i heshtur dhe i normalizuar nga një sistem që nuk i respekton gratë dhe trupat e tyre.
Frazat si:
“Mos bërtit, vetë ke lypë mu bo’ nanë!”
“S’je e para që po lind! Mbylle gojen!”
“Prej qefit ke ardhë në këtë pikë!”
Këto nuk janë thjesht fjalë. Janë forma të dhunës psikologjike që u thuhen grave ndërkohë që përballen me dhimbje të jashtëzakonshme dhe cënueshmëri ekstreme. Një moment që duhet të jetë i mbushur me kujdes dhe mbështetje, shpesh shndërrohet në një përvojë traumatike që lë pasoja për vite me radhë.
Si manifestohet dhuna obstetrike në Kosovë?
- Procedurat pa pëlqim të informuar
Në shumë spitale të Kosovës, gratë detyrohen të kalojnë nëpër procedura mjekësore pa i pyetur fare: epiziotomi të panevojshme, anestezi të dhunshme, apo edhe prerje cezariane pa diskutim. Ky nuk është kujdes shëndetësor, është shkelje e të drejtave themelore të një gruaje mbi trupin e saj. - Neglizhenca që vë jetën në rrezik
Kujtojmë rastet tragjike të grave që kanë humbur jetën sepse dhimbja e tyre është shpërfillur. Kur një grua në repartin e lindjes lihet vetëm, kur nuk dëgjohet dhe nuk trajtohet me kujdesin e duhur, kjo është dhunë. Dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim. - Turpërimi dhe poshtërimi verbal
Komentet fyese gjatë lindjes janë aq të zakonshme saqë gratë shpesh nuk i konsiderojnë dhunë – sepse janë mësuar me to. Por të thuash një gruaje që vuajtja e saj është “e tepërt” apo “nuk ka rëndësi” është një mënyrë për t’ia mohuar zërin dhe përvojën e saj. - Normalizimi i dhimbjes së panevojshme
“Kështu është lindja” është fraza që maskon mungesën e kujdesit dhe empatisë. Por lindja nuk duhet të jetë një betejë për mbijetesë. Dhimbja e gruas nuk është diçka që mund të shpërfillet.
Add Comment