Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, Serbia kishte filluar fushatën e saj për kundërshtimin e shtetësisë së Kosovës. Fillimisht ajo i ishte drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) me pyetjen “a ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Pasi kishte marrë përgjigje negative nga GJND-ja në korrik të vitit 2010, në shtator të po të njëjtit vit Serbia kishte proceduar një draft rezolutë në OKB me anë të së cilës kërkonte fillimin e një dialogu me Kosovën për të gjitha çështjet e hapura. Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë përmbajtja e kësaj rezolute ishte ndryshuar nga ‘dialog për të gjitha çështjet e hapura’ në ‘dialog për lehtësimin e jetës së qytetarëve’, që do të lehtësohej nga Bashkimi Evropian (BE). Mbi bazën e kësaj rezolute, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë filloi me 8 mars 2011. Një dialog mes dy palëve të pabarabarta, ku Kosova nuk njihej as nga Serbia dhe as nga 5 vendet anëtare të BE-së. Për më tepër, temë e dialogut do të ishin vetëm çështjet e brendshme të Kosovës, por jo edhe ato të Serbisë.
Kosova i kishte hyrë këtij procesi e detyruar nga rezoluta e miratuar në OKB dhe për të zgjidhur sfidat e integrimit të komunitetit serb në vend, si dhe konsolidimin e sovranitetit në tërë territorin. Në anën tjetër, dialogu për Serbinë ishte vetëm edhe një nga mundësitë dhe përpjekjet e radhës për të sfiduar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në këtë fazë të dialogut e kaluara e luftës mes dy vendeve nuk ishte në plan të diskutohej. Serbia ishte amnistuar në dhënien e përgjegjësisë për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë, reparacionet e luftës e të pagjeturit. Argumenti i saj ishte se Kosova i ishte marrë padrejtësisht me ndërhyrjen e NATO-s dhe tani duhej t’i ofrohej diçka në këmbim të realitetit të ri të shpallur më 17 shkurt 2008, argument ky i cili ka qenë dhe mbetet baza e fushatës lobuese të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Përballë kësaj fushate, Kosova ka qëndruar kryesisht pasive. Shteti i Kosovës nuk shfrytëzoi si duhet mendimin e GJND-së dhe nuk ndërmori hapa konkretë për të kërkuar nga organet ndërkombëtare gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga shteti serb. Në këtë drejtim, argumenti kryesor i Kosovës si viktimë e luftës, që ishte edhe baza për çlirim dhe pavarësi, nuk u shfrytëzua nga pala kosovare. Si rezultat, Kosova përfundoi me Gjykatë Speciale, ndërsa ende shumë nga krimet e kryera nga Serbia mbeten të pandëshkuara.
Brenda një viti nga fillimi i dialogut u arritën shtatë konkluza lidhur me lëvizjen e lirë, vulën doganore, njohjen e diplomave, regjistrat civilë, regjistrat kadastralë, IBM-në dhe përfaqësimin rajonal/fusnotën. Qysh në këto dokumente fillestare të dialogut Kosova bëri shumë kompromise. Kompromisi më i madh në këtë fazë ishte pranimi i fusnotës, e cila do t’i vendosej shtetit të Kosovës gjatë pjesëmarrjes në forume rajonale, por edhe në marrëdhëniet e saj me BE-në.
Mirëpo dialogu nuk po përfundonte me kaq. Në tetor të vitit 2012 procesi kaloi në nivel më të lartë edhe të përfaqësimit edhe të ndërmjetësimit. Tani në këtë proces Kosova dhe Serbia do të përfaqësoheshin nga kryeministrat dhe lehtësues i dialogut do të ishte Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së. Në fokus të diskutimit tani do të ishte edhe Veriu i Kosovës. Epilogu i dialogut politik ishte Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve që u arrit më 19 prill 2013. Pjesa kryesore e kësaj marrëveshje ishte themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Përveç kësaj, në përmbajtje të marrëveshjes parashihej edhe emërimi i një komandanti policor regjional për Veriun dhe krijimi i një divizioni të Gjykatës së Apelit në Veri, që ishte në kundërshtim me parimin unitar të sistemit të drejtësisë. Për temat e marrëveshjes së parë në vitet në vijim u arritën edhe marrëveshje të veçanta, siç ishte ajo për energjinë, telekomin, drejtësinë dhe Asociacionin. Kjo e fundit, bashkë me Marrëveshjen e Parë, mbeten dy marrëveshjet kryesore dhe kompromisi më i dhimbshëm për Kosovën.
Pas një periudhe pezullimi nga viti 2017, dialogu mori një kahje të re me përfshirjen direkte të ShBA-së në fillim të këtij viti. Në janar dhe në shkurt 2020, palët kanë nënshkruar tri letra të qëllimit për rivitalizmin e linjës ajrore, hekurudhore dhe autostradat. Këto dhe disa çështje të tjera janë përfshirë më tuje në zotimet që palët kanë nënshkruar ndaj ShBA-së më 4 shtator në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë që kishte në fokus normalizimin ekonomik.
Paralelisht ka vazhduar edhe dialogu i Brukselit, ku palët janë duke diskutuar lidhur me elementet e marrëveshjes finale. Së fundi, procesi është pezulluar sërish për shkak të temës së Asociacionit. Lidhur me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese (GjK-ja) e Kosovës në dhjetor 2015 kishte vlerësuar se marrëveshja e Asociacionit, e arritur më 25 gusht 2015, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën në disa nene të saj. Prandaj, gjatë hartimit të statutit të Asociacionit duhej të adresoheshin vërejtjet e Gjykatës. Kosova ndërmori hapa për themelimin e këtij mekanizmi duke krijuar Ekipin Menaxhues në përbërje të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë. Detyrë e këtij ekipi ka qenë hartimi i statutit të Asociacionit, mirëpo deri më tani ata nuk kanë dorëzuar ndonjë dokument as tek Qeveria e Kosovës dhe as në Bruksel. Kjo ndodhi sepse, pas vendimit të Gjykatës, pala serbe humbi interesimin për të formuar Asociacionin në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe tani ata kanë kërkuar që kjo temë të rihapet sërish në Bruksel. Në këtë drejtim, Kosovës i është kërkuar që të ndryshojë Kushtetutën për të akomoduar kërkesat e palës serbe rreth Asociacionit. Qëllimi i palës serbe është që ky mekanizëm të ketë kompetenca ekzekutive dhe autonome, ndërsa pala kosovare deri më tani ka mbajtur qëndrimin që Asociacioni mund të formohet vetëm në bazë të aktgjykimit të GjK-së. Kosova sërish mund të jetë pala mbi të cilën bie presioni ndërkombëtar për të lëshuar pe për t’i hapur rrugë vazhdimit të dialogut. Kjo ndodhë për disa arsye, duke filluar nga ato gjeostrategjike e deri tek mungesa e një uniteti politik në Kosovë lidhur me dialogun. Në këtë pikë, mbetet e paqartë e ardhmja e dialogut dhe përfundimi i këtij procesi. Qëllimi i Kosovës është njohja, mirëpo shteti serb vazhdon të deklarojë se nuk do ta njoh asnjëherë Kosovën. Megjithatë, ajo që është e qartë është që dialogu është në një fazë kritike dhe do të varet nga qasja e palës kosovare dhe spektrit politik në Kosovë se si do të duket shteti i Kosovës në fund të këtij procesi.
Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.
Add Comment