Ka vite që kam ndaluar së numëruari epitetet dhe fyerjet që iu veshen grave. Por, që e njëjta fjalë të përdoret në kuptime të ndryshme, nuk të rastis të dëgjosh shpesh. Të mjafton një orë qëndrimi brenda një hapësirë publike ku arrin të dëgjosh lloj-lloj kuptime të termit “kurvë”.
Gjatë rrugëtimit për në shtëpi nga puna, rrugës mund të hasësh persona të ndryshëm që shprehin lirshëm mendimet, shpifjet e fyerjet për persona të tjerë.
Një i ri po u thoshte “dostave” të tij: “aii, kurvë është ajo”, duke folur për një vajzë të re e cila ishte ende duke vijuar shkollën e mesme, sepse ishte parë nja dy-tri herë me disa persona të gjinisë së kundërt vetëm duke biseduar.
Kurvë për disa të tjerë etiketohej ajo grua e cila i kishte kritikuar disa punonjës për joprofesionalizimin e tyre dhe tjetra që e ngriste zërin për të drejtat e saj.
Vazhdova rrugën për në shtëpi duke menduar që dëgjova versione të mjaftueshme të kësaj fjale. Por, qenkam gabuar. Matanë rrugës disa vajza nën buzëqeshje përshëndesnin njëra-tjetrën me “Shumë bukur po dokësh, bitch”.
Pastaj, kur futesh në botën virtuale sheh gjithandej persona e llogari të rrejshme tek komentojnë “kurvë” (ose “bitch”) si lavdërim e si fyerje.
Por, si ‘definohet’ në shoqërinë tonë patriarkale fjala “kurvë” në dëgjim të parë?
Normat e vendosura patriarkale parashohin se kur një grua ka më shumë se një partner seksual ajo quhet “kurvë” dhe shihet si një “peshk i lehtë” për t’u zënë nga burrat, por jo edhe si një “çikë e shtëpisë”. Këtë epitet lehtësisht e fiton edhe një vajzë adoleshente e cila mbase ka humbur virgjerinë, ka vendosur të bejë cfarë të dojë me jetën e saj.
Sipas Nita Lucit, profesoreshë në Departamentin e Etnologjisë dhe Antropoligjisë Kulturore në Universitetin “Hasan Prishtina”, ‘kurva’ janë ato gra të cilat i kundërvihen tendencës që morali të caktohet me trupin e tyre.
“Duhet të kujtojmë se ‘kurvat’ janë para se gjithash ato gra të cilat nuk e pranojnë këtë dyzim, ndarje të pamundur dhe vënë në pyetje vetë strukturat ekonomike të cilat të gjithë barrën e rendit moral e vendosin në trupin e vajzave dhe grave,” tha ajo për Grazetën.
Një tjetër situatë ku mund ta fitosh epitetin kurvë është kur ti, si vajzë ose grua, nuk u përgjigjesh mesazheve fyese nëpër rrjete sociale, komenteve provokuese e ngacmimeve seksuale në rrugë ose edhe brenda hapsirave të punës.
Po vendose të dalësh të premteve mbrëma, me një fustan të shkurtër, në një nga lokalet e qytetit ku konsumohet alkool e duhan dhe nuk kthehesh në shtëpi deri sa ndeja të përfundojë, “urime”, sapo fitove epitetin “kurvë”!
Kurse, Fjalori i Gjuhës Shqipe e definon termin “kurvë” si: “femër e përdalë; lavire; prostitutë ”, fjalë të cilat bartin në vete gjykim dhe përshkruhen vetëm në konotacion negativ, pa përjashtim.
Bir kurve
Ekzistojnë shumë versione të fjalës kurvë (lavire, bitch, slut, whore, puta…) të përdorura globalisht – të gjitha këto epitete për gratë – por nuk ekziston as edhe një version i vetëm për ta përshkruar negativisht “kurvërinë” (seksualitetin) e burrave.
Madje, as përdorimi i termit “kurvë mashkull” nuk përdoret për të definuar e ofenduar “sjelljet e pakëndshme” të një burri. Përkundrazi, përdoret për të shprehur dominim ndaj një “burri të butë”, “burri të dobët”, duke e cilësuar atë si grua, pra një qenie e pamjaftushme, e butë dhe lehtësisht e dominueshme.
Diçka tjetër që mund të vërehet lehtësisht në zhargonin bisedor është edhe shprehja “bir kurve”, e cila fatkeqësisht përdoret nga gjeneratat e reja si lloj përshendetje – “ku je o bir kurve”.
Se kjo fjalë nuk mund të reprezentojë konotacion pozitiv e thotë edhe Qëndresa Hyseni, studente e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
“Është mjaft problematike që në një shoqëri që ka premisa të theksuara të patriarkalitetit, fjala ‘kurvë’ të përdoret në konotacion pozitiv. Përderisa shoqëria jonë nuk evoluon në aspektin emancipues rreth të drejtave të grave, çdo përdorim i fjalës, qoftë edhe në aspektin pozitiv, mund të keqkuptohet e keqinterpretohet mjaft shumë,” thotë Hyseni për Grazetën.
Normat shoqërore kosovare janë krijuar duke i kryqëzuar vajzat që të mos shoqërohen me askënd deri sa të martohen me një person që edhe familja e konsideron ‘adekuat’ dhe në momentin që një vajzë e re guxon t’i sfidojë këto norma, shoqërohet me këdo, kërkon të drejtën e saj, flet kur i bëhen padrejtësi, ajo, pashmangshmërisht, në sytë e shoqërisë është e përdalë osë kurvë.
Sipas Hysenit, kjo fjalë në shoqërinë kosovare ëshë e lidhur ngushtë me moralin.
“Etiketimet me fjalën ‘kurvë’ në shoqërinë kosovare janë të lidhura ngushtë me moralin. Morali, si koncept i strukturuar nga burrat për t’i mbajtur nën kontroll gratë e vajzat, ka edhe limitet e tij që në të gjitha rastet është tejet cungues në zhvillimin normal të jetës sociale e seksuale për gratë; është tendencë e vazhdimit të ndrydhjes së instikteve e lirshmërisë së lëvizjes, në të gjitha format e saj,” tha Hyseni për Grazetën.
E drejta e votës u kushtoi grave me një epitet më shumë
Zanafilla e fjalës ‘kurvë’ vjen nga emërtimi i qenit të seksit femëror që nga viti 1000 pas lindjes së Krishtit. Sipas Fjalorit të Gjuhës Angleze të Oksfordit, ky term filloi të përdorej si etiketim përçmues për gratë rreth shekullit XV.
Ky term nuk u konsiderua si fyerje universale ndaj grave deri në vitet ‘20 kur papritmas përdorimi i saj u rrit me shpejtësi. Mollë sherri i gjithë këtij fillimi të fyerjeve ishte arritja e të drejtës së votës për gratë.
Gjatë viteve ‘80, në hip-hop filloi promovimi i dhunës së lidhur me këtë term, kryesisht nga rap-artistët burra si Dr. Dre me këngën “Bitches Ain’t Shit”, NWA me “A Bitch Iz a Bitch”, Ice-T me “Six in Da Morning”, etj. Mirëpo gratë artiste filluan të rebelohen kundrejt këtij termi.
Queen Latifah, një rep-artiste grua, e refuzoi këtë term në këngën e saj të vitit 1993 “U.N.I.T.Y.”, e cila hapet me pyetjen: “Kë quan kurvë?”
Në vitet ‘90, gratë që më parë ishin kundër kësaj shprehje, filluan ta përdornin atë në favorin e tyre. Madonna kishte deklaruar në një intervistë më 1991: “Unë jam ambicioze dhe kam punuar shumë për të arritur atje ku jam. Unë kam bërë mirë duke u sjellë keq. Por unë nuk jam kurvë.” Vetëm katër vite më vonë, në një intervistë tjetër, ajo deklaroi: “Unë jam e ashpër, ambicioze dhe e di saktësisht se çfarë dua. Nëse kjo më bën një kurvë, në rregull.”
Një video se me çka e identifikojnë këtë term, kanali i famshëm në platformën You Tube, Cut, e ka realizuar një video të moshave të ndryshme ku shumica reagonin pozitivisht.
Ndërsa për Qëndresën ky term nuk përfaqëson asgjë.
“Kjo fjalë për mua në thelb nuk do të thotë asgjë, madje e shoh si tendencë për t`i etiketuar vajzat e gratë që dalin nga ‘binarët’ dhe pritshmëritë e sistemit patriarkal,” u shpreh ajo.
Në vitin 1996, feministet Lisa Jervis dhe Andi Zeisler e themeluan revistën “Bitch” dhe kur u pyetën se si e zgjodhën titullin, Zeisler e shpjegoi: “Do të ishte shumë mirë ta rikthesh fjalën ‘kurvë’ për gratë e forta.”
Kurse tani, në kulturën hip-hop, pop dhe në jetën e përditshme, burrat dhe gratë përdorin këtë fjalë si epitet kundër grave si dhe një mjet për të fyer e shprehur mbizotërimin mbi një person.
“Slut-shaming” (Ta turpërosh dikë duke e quajtur ‘kurvë’) është një fenomen nga i cili është inspiruar edhe marshi “SlutWalk” që kërkon t’i jepet fund kulturës së përdhunimit dhe justifikimit të tij duke iu referuar çdo aspekti të pamjes së një gruaje.
Për herë të parë marshi u mbajt më 3 prill 2011 në Toronto të Kanadasë, pasi një oficer i Policisë kishte thënë se “gratë duhet të shmangin veshjen si kurva në mënyrë që të mos bëhen viktima,” ndërsa tani marshi mbahet në shumë vende të botës për çdo vit. Bashkëthemelueset e kësaj lëvizje, Sonya Barnett dhe Heather Jarvis vendosën që fjala “kurvë” të përdorej për dikë që kontrollon seksualitetin e tyre dhe kjo fjalë të shpreh fuqinë e grave.
Nita Luci, zbërtheu tutje për Grazetën termin ‘Slut-shaming” duke thënë: “është praksa e zakonshme të cilën mund ta shpjegojmë me rëndësinë e vazhdueshme të relacionit në mes të nderit-turpit me shoqërinë tonë. Si e tillë, nuk është një shprehje arkaike, e cila i takon një të kaluare zakonore, por riformulohet në kontekste (në gjuhë, në reprezentime) bashkëkohore.”
Komercializimi i fjalës “kurvë”
Ndonëse arti dhe kultura do të duhej të ishin një zë i fuqishëm kundrejt paragjykimeve shoqërore, rebelimit të normave patriarkale dhe promovimit të vlerave në vendin tonë, sikurse edhe në shumë vende të botës po ndodh e kundërta.
“E shes ni bitch boj biznes / E shes 5000 e ja jap 1000”, “Une jom babë bitch / Nashta mes pa pare, po shkoj e qi ni kurvë që osht’ shumë rich” dhe “Ajo m’thirri n’tel, m’tha hajde apet, i thash naah bitch,” thuhet në mesin e reshtave të këngës “Gang Gang” të rap-artistit Fero, me mbi 18 milionë klikime në rrjetin social Youtube, në të cilën fjala “kurvë” përdoret në aspekte të ndryshme ofenduese. Në rastin e parë, ai paragjykon se një “kurvë” shitet për para dhe është e kënaqur me 1/5 e asaj shume. Herën tjetër, ai cek se është një babë bitch, në formë të lavdërimit ndaj vetes dhe nënçmimit ndaj të tjerëve, si dhe e sheh “kurvën” si një grua me shumë para, të cilën mund ta shfrytëzojë dhe ta refuzojë sipas dëshirës.
Por, kemi edhe rastin e këngës me 54 milionë klikime me titull “Bye Bye” kënduar nga Dafina Zeqiri dhe Tayna, të cilat përmes fjalës “jon ma dhipa se kta bitch-a që i nxojn’ kta” tentojnë t’i ofendojnë burrat, por duke i quajtur “kurva” e që njëkohësisht përbën ofendim edhe për gratë, përmes mendimit se një kurvë mund të jetë më e fortë se një burrë i butë, duke forcuar edhe më shumë stereotipet seksiste ndaj grave nga vete gratë.
Kurse rap-artisti Buta në këngën “My Bitch” thotë: “ti je my bitch / edhe pse s’jem bashk’ hiç / Hala ti je my bitch”. Këtë këngë ia kushton ish të dashurës, e cila sipas tij është pronë dhe se e trajton sikur një objekt të zakonshëm.
Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se ky term përdoret edhe nga vetë gratë të cilat i’u referohen njëra-tjetrës ashtu duke u munduar ta përçmojnë njëra-tjetrën.
E, një gjë të tillë mund ta hasim edhe mes artisteve gra. Për “bitch”-in në shoqëri flitet edhe te kënga “Shoqe bitch” e Xhesika Ndojit dhe Kallashit që ka 16 milionë klikime ku ato i referohen kështu një artisteje tjetër: “T’kam dit’ shoqe t’mir’ / bitch, mos m’hajde mrapa / T’kam dit’ shoqe t’mir’ / bitch, mos m’dil përpara”, duke i forcuar stereotipet seksiste ndaj njëra-tjetrës.
Se shoqëria funksionon ende mbi normën që gratë duhen të martohen dhe të mbyllen në shtëpi, e dëshmon edhe kënga e grupit “Etno Engjujt” me titull “Ti je bitch” pëmes rreshtit: “Shoqet e tua janë martu’, ti vazhdo rrugën e vjetër / ti je vetëm një bitch dhe asnjë gjë tjetër,” duke pretenduar “uniformimin” e grave – martesën në kohë të duhur – për të shprehur ofendim ndaj tyre.
Edhe B2N në këngën “Kurvë e vogël” thotë: “Ti je kurvë e vogël, ty të perdorin si lodër / E ke mendjen për dyshek, ti e shet trupin me lekë” duke e fuqizuar stereotipin që një vajzë nuk duhet të pijë alkool, duhan apo të shihet me persona të gjinisë së kundër sepse do të quhet “kurvë” nga një grup apo tjetri.
Komercializimi i këtij termi, siç po shihet, po shfrytëzohet për industri të klikimeve, për të shprehur qëndrime kryesisht ofenduese e për të forcuar steriotipe.
Pasojat shoqëror të termit “kurvë”
Gjuha është fleksibile dhe mund të ndryshojë nga konteksti dhe perspektiva nga e cila shohim, mirëpo kur vjen puna tek termi “kurvë”, konteksti në të cilin përdoret ky term nuk do të ndryshojë asnjëherë në një shoqëri me norma patriakale si e jona.
Kjo fjalë për shumë shekuj është përdorur që t’i dehumanizojë e denigrojë gratë. Në këtë kontekst përdorimi dhe etiketimi përmes kësaj fjale nxit edhe më shumë paragjykime, forcim të stereotipeve dhe seksizëm në shoqëri.
Disa nga pasojat shoqërore që mund t’i sjellë kjo fjalë janë: dominimi i burrave kundrejt grave dhe vetë burrave, forcimi i stereotipeve ndaj grave dhe fuqizimi i normave patriarkale.
Studimet e ndryshme kanë treguar se përdorimi i këtij termi e rrit dominancën kundrejt një kategorie të margjinalizuar dhe i objektifikon gratë.
Ky term po përdoret gjithnjë e më shumë në sferën publike – qoftë i maskuar si eufemizëm, qoftë drejtpërdrejt. Ajo që ngel shqetësuese është fakti që shoqëria jonë duket sikur është bërë imune kundrejt një dukurie të këtillë negative që, duke normalizuar ofendimin dhe përçmimin e gruas, hap shtigje për normalizimin edhe të dhunës ndaj tyre. Natyrisht, një problem të këtillë nuk e ka vetëm shoqëria jonë dhe ky është një trend global, sidomos në botën e muzikës.
Add Comment