Shtjellime

Shtatzëni dhe depresion

Njëra kishte qarë për muaj me radhë, tjetra nuk dinte se çka po përjetonte. Në mendjen e tjetrës vinin mendimet nga më të këqijat, ndërsa dikush kishte kuptuar se çfarë po kalonte. Ato i kishin paramenduar ndryshe ditët e para të mëmësisë, por realiteti i ballafaqoi me diçka tjetër. Përzierja e dashurisë, frikës, pasigurisë, stresit, depresionit dhe distancimit nga më të dashurit e tyre i karakterizoi ditët e para të paslindjes, ditë për të cilat ato kishin thurur ëndrrat më të mira. E përbashkëta e këtyre katër nënave, krahas ndjesisë së amësisë, është depresioni që kanë përjetuar pas lindjes së fëmijëve.

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 13% e grave në mbarë botën përjetojnë depresion pas lindjes. Të qarit, afeksioni ndaj foshnjës, tërheqja nga familjarët, humbja e oreksit ose ngrënia më tepër se zakonisht, insomnia ose gjumi i tepërt, lodhja e madhe dhe humbja e energjisë, nervozizmi dhe zemërimi, frika se nuk je nënë e mirë, ndjenja e pavlefshmërisë, humbja e përqendrimit, ankthi dhe sulmet e panikut, etj., janë disa prej simptomave që Mayoclinic ka identifikuar e të cilat e përcjellin depresionin postpartum (depresionin pas lindjes). Jetëgjatësia e ndjesive të tilla, sipas ekspertëve të Healthline, nuk mund të përcaktohet. Sipas tyre, depresioni pas lindjes mund të shfaqet diku nga disa javë deri në 12 muaj pas lindjes dhe nuk ka gjatësi mesatare të kohës që zgjat. Por, me shumë raste, depresioni kalon 3 deri në 6 muaj pasi të fillojë.

Gërshetim ndjenjash

Pak pa i mbushur 5 vite martesë, A.Sh. kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, i cili në fillim ia kishte dhuruar ndjenjën më të pastër në botë, por e cila ishte zbehur me kalimin e kohës. “Në ditët e para ka qenë një emocion i pa përshkruar, një ndjenjë tjetër e dashurisë. Dëshira e vetme ishte ta mbaja beben në dorë, nuk dëshiroja ta kisha larg. Këtu filloi edhe stresi, një depresion, nuk isha në gjendje të qëndroja asnjë sekond larg fëmijës. Pastaj, krahas tyre m’u shfaq edhe një frikë se mos nuk po dija se si ta ushqeja fëmijën me gjidhënie.” Gruaja që sapo kishte marrë titullin “nënë” kishte qëndruar për një kohë në spital, kohë kjo që bashkuar me faktorët e jashtëm, kishte ndikuar negativisht në psikën e saj. “Motrat terë kohën nuk na folshin mirë, na folshin me një ton kërcënues se si nuk po dimë qysh me i dhanë gji fëmijës. Stresi që përjetohet pas lindjes vazhdoi të më mbaj akoma dhe bëhej më i madh dita-ditës. Të tjerët afër teje nuk sillen me ngrohtësi, askush nuk të pyet se si je ti por se si është beba dhe të gjithë e harrojnë nënën, të gjithë i kanë sytë nga beba dhe ti fillon dhe mendon që nuk je e zonja të kujdesesh sa duhesh.” Por, A.Sh. ishte e vetëdijshme për fazën të cilën po e kalonte, e cila nuk ngjasonte me normalitetin e saj, ani pse tashmë statusi i saj kishte ndryshuar. “Kam pas njohuri rreth stresit dhe depresionit. Nga ndjenjat që kisha dhe nga ato që përjetoja fillova të mendoj më ndryshe dhe kuptova që jam në fazat e para të ndonjë depresioni. Nervozë, stres, ndjenja të ndryshme, mendime të ndryshme, mendja më shkonte edhe te më e keqja.”

Jo të gjitha arrijnë ta identifikojnë se nëpër çka po kalojnë

Specialistja e psikologjisë klinike dhe e psikoterapisë, Brikena Krasniqi-Hoti, për Grazetën thotë se fatkeqësisht shumë gra kjo gjendje i gjen të papërgatitura dhe të painformuara, duke mos e ditur se çfarë po ndodhë, duke e ndier veten në faj dhe të turpëruara. Sipas saj, depresioni perinatal është i zakonshëm dhe i shpeshtë tek gratë, në proporcion 1 në 7 gra që vuajnë nga depresioni pas lindjes. Se po kalon nëpër një gjendje mendore e emocionale më ndryshe, e kishte vërejtur edhe F.D. kur para disa dekadash solli në jetë fëmijën e saj të parë. Por, në atë kohë, ajo nuk e kishte dalluar që të qarat për gjashtë javë ishin pjesë e depresionit postpartum, të cilin ajo e kishte përjetuar për 2 muaj, ndonëse të qarat zbeheshin me kalimin e kohës. “I kam lind tre fëmijë. Ma shumë kam pas depresion në lindjen e parë. Jam mërzitë shumë, jam frikësu, nuk kam pasë gji me ushqy’ djalin e vogël, tani prej kësaj kam qarë shumë, për çdo natë, 2 muaj rresht. Po me kërkond nuk kam folë. Nuk doja me i bo merak të tjerët.”

Një prej simptomave të depresionit postnatal, krahas shumë të tjerave, është edhe humbja në peshë. “Fëmija ka lind i shëndoshë po tani i ka hup do kilogramë. Edhe vet i kam hup 13 kilogram. U shndërrova në njeri tjetër njeri. Ka pasë raste kur familjarët, të afërmit, nuk më kanë njohur se kush jam. Por, prapë, kjo nuk ma ka largu dëshirën me u bo nënë përsëri. I kam përjetuar edhe dy lindje të tjera të cilat kanë qenë më të lehta.”

Depresioni që prek këdo

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se në vendet në zhvillim e sipër, shifrat e llojit të depresionit gjatë shtatzënisë dhe të paslindjes janë më të larta – 15,6% e grave përjetojnë këtë depresion gjatë shtatzënisë dhe 19,8% pas lindjes së fëmijës.

Ndonëse D.K, edhe gjatë shtatzënisë edhe paslindjes, kishte qëndruar në një shtet perëndimor, prapë ishte ballafaquar më këtë depresion. “Ka qenë gjithçka larg asaj qysh e kom paramenduar. Ai depresioni ka filluar ditën e dytë pas lindjes. Kam qarë tërë kohën. Nuk e kuptoja as vetë pse po qaj, por kam vazhduar tërë kohën, kurrë pa u ndalë.” Por, D.K. kishte lindur me prerje cezariane dhe ishte e detyruar të qëndronte për disa ditë në spital, andaj kjo e bënte edhe më të vështirë gjendjen nëpër të cilën po kalonte, shto këtu edhe faktin që nuk kishte pasur informacione rreth asaj që po e përjetonte.
“E kam ndier veten të varur për shkak se i shikoja aty, të tjerat që kanë lindur normal, çoheshin sikur mos me pas lind foshnjën para disa ditësh. Thjesht nuk kam qenë menjëherë vetvetja pas lindjes, edhe pse kuptohet që gjithçka nuk mund të jetë menjëherë qysh ka qenë para lindjes. Ditën e tretë i kam kallëzuar një motrës aty që po qaj e nuk po e di pse. Ajo me kallëzoi që është një lloj depresioni që e përjetojnë shumë nëna pas lindjes.” Kjo periodë tek nëna 23 vjeçare atëbotë kishe zgjatur më shumë se dy javë. Në fakt D.K. i kishte përjetuar vetëm fillet e para të depresionit, atë që në njihet si “Baby Blues”.

Psikologja Brikena Krasniqi- Hoti tregon për Grazetën, rreth këtij dallimi. “Edhe pse simptomat në shikim të parë mund të duken të ngjashme, tek “Baby Blues” ato janë më të lehta dhe zgjasin deri në dy javët e para pas lindjes. Ato të depresionit janë më intensive, më të qëndrueshme dhe zgjasin më shumë se dy javë pas lindjes. Po ashtu, depresioni pas lindjes mund të shfaqet në çfarëdo periudhe deri në një vit pas lindjes, por është më e zakonshme në tre muajt e parë pas lindjes. Shumë gra nuk e kuptojnë se kanë depresion pas lindjes sepse këto simptoma mund të zhvillohen gradualisht. Ekspertët e shëndetit mendor potencojnë se simptomat e depresionit pas lindjes në 50% të rasteve fillojnë ose janë prezente qysh gjatë shtatzënisë.”

Predispozitat për shfaqjen e këtij depresioni
Specialistja e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, Brikena Krasniqi-Hoti, tregon se çdo grua është në rrezik dhe nuk mund të përjashtohet askush, mirëpo ka disa faktorë që, sipas saj, e bëjnë dikë të jetë më e rrezikuar. Ajo thekson disa faktorë që mund të dërgojnë deri te përjetimi i depresionit të paslindjes:

Historia e mëhershme e depresionit apo problemeve të tjera emocionale;
• Historia e abuzimit fizik, seksual apo abuzimit/neglizhimit emocional;
• Stresorët e ndryshëm në 12 muajt e fundit, si vdekja e ndonjë anëtari të familjes, ndarja/divorci, humbja e vendit të punës, etj.;
• Lindja e parakohshme apo shtatzëni e padëshiruar;
• Lindja e vështirë dhe traumatike;
• Nevoja për kujdes intenziv për beben e posalindur;
• Mungesa e përkrahjes nga bashkëshorti apo rrethi familjar në kujdesin ndaj fëmijës dhe ndjenja e të qënit e vetme.

Lindje të parakohshme kishte pasur edhe F.V., e cila para 7 muajsh solli në jetë binjakë dhe kjo njëherësh ishte edhe lindja e saj e parë. “Binjakët i kam lind gjatë kohës kur ka qenë pandemia. Në atë kohë jam ndier shumë e vetmuar. Në fillim, ato 3-4 ditët e para veç kam qarë shumë, tepër shumë. Kjo më ka ndikuar të kaloj në faza të depresionit. Ma vonë, këto janë përcjellë me stres, nervozë, mosdisponim, por energji për me i dashtë e me u përkujdes për fëmijët kam pasë. Kjo ka zgjatë për disa javë.”

Këndvështrim nga prizmi psikologjik dhe ai mjekësor

Specialistja e psikologjisë, Brikena Krasniqi-Hoti, tregon për Grazetën se shpeshherë shqetësimet ose vështirësitë emocionale të gruas, janë neglizhuar edhe nga profesionistët shëndetësorë, duke ia atribuar atë aspekteve të shtatzënisë (p.sh. hormoneve), lodhjes, privimit nga gjumi ose përshtatjes me rolin e ri në jetë. “Trajtimi psikologjik ose terapitë psikologjike janë zakonisht trajtimi i parë i rekomanduar për gratë me depresion pas lindjes. Hapi i parë i ndërmarrë do të jetë një lloj psikoedukimi mbi simptomat dhe të provohet të identifikohen vështirësitë, shqetësimet e gruas, si dhe niveli i funksionimit të përditshëm në raport me kujdesin ndaj vetes dhe kujdesin ndaj bebes/fëmijës. Trajtimi psikologjik ka në fokus mendimet, ndjenjat dhe sjelljet që lidhen me shqetësimin/vuajtjen si rrjedhojë e simptomave të depresionit, si dhe ndërveprimin e nënës më fëmijën.”

Ndërsa, sipas mjekut obstetër-gjinekolog, Nysret Haradinajt, depresioni postpartum nuk ndikon në shëndetin reproduktiv të gruas.
“Trajtimi psikoterapeutik në rikuperimin e shëndetit mental nuk lë pasoja në shëndetin reproduktiv, prandaj [gruaja] duhet t’i nënshtrohet këtij trajtimi që nga paslindja deri në trajtimin definitiv sipas psikiatrit/psikologut. Detyrë parësore/obligim do të ishte një mbrojtje prekoncepcionale perinatal-postnatale, ku do të kishin rol gjinekologu dhe psikologu/psikiatri në mbarëvajtjen e shtatzënisë.”

Për fund, specialistja e psikologjisë klinike, Brikena Krasniqi-Hoti, ka një mesazh për të gjitha gratë: “Mos luftoni vetëm duke shpresuar që kjo do të kalojë. Kërkoni ndihmë së pari nga partneri apo bashkëshorti. Simptomat mund të përkeqësohen nëse lihen të patrajtuara për një kohë të gjatë. Keni parasysh se ju duhet të jeni mirë, të kujdeseni për veten, në mënyrë që të kujdeseni për fëmijën tuaj. Fëmija ka nëvojë për një nënë të shëndoshë.”

About the author

Veronë Selimi

Veronë Selimi

Veronë Selimi ka përfunduar studimet baçelor për Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë redaktore në revistën “INTRO”, ndërsa aktualisht është përgjegjëse për Marrëdhënie me Publikun në organizatën ETEA.

Add Comment

Click here to post a comment