Shtjellime

Portretizimi i grave në artin e shtatë

Në ekranin drejtkëndësh të vendosur në mes të dhomës jo shumë të ndriçuar zhvillohej skena e aktrimit e një prej serialeve vendore. Një zë gruaje dëgjohej duke i thirrë me dialekt lokal pjesëtarët e tjerë të familjes për të ngrenë bukë: “Çonu! Ecni! Hajdeni, hungjuni se u bonën llokumat!” Që prej kur seriali shfaqet në ekranet televizive, ai e ka paraqitur rolin e gruas si të një shërbëtoreje, gruaje që jeton me paratë e burrit dhe të një vajze të pamençur.

Kur një vajzë e re e shikon këtë pjesë, sikurse shumë të tjera si kjo, ajo dhe familja e saj mund të mos e dinë se seriali është duke konstruktuar pavetëdijshëm një realitet në mendjen e tyre. Duke i paraqitur si vlera tiparet e jomençurisë, mosarsimimit dhe nënshtrimit të gruas, mijëra qytetarëve, të cilët u ekspozohen përmbajtjeve të tilla, fillon t’u krijohet një version për ta parë botën vetëm mbi këto pseudovlera.

““Stereotipet të cilat dominojnë mediat sot kanë qenë të njëjtat me ato para 10, 20, 30 dhe 50 vitesh: gruaja shtëpiake, gruaja llafazane, gruaja-objekt seksi, gruaja pa sex-appeal që mbetet e vetmuar pa një bashkëshort (e mjera!), gruaja nënë, etj,” shpjegoi për Grazetën studiuesja e filmit, Fjoralba Miraka. Ajo shtoi se këto janë stereotipe shumë të rrezikshme të cilat “brez mbas brezi po rriten duke i konsumuar në përditshmëri dhe duke formuar identitetin e tyre gjinor bazuar në këto stereotipe. Si rrjedhojë, mediat riciklojnë dhe ne konsumojmë po të njëjtat receta”.

Sipas përmbajtjes së shumë filmave dhe serialeve, gruaja nuk është asgjë më shumë se objekt seksi dhe nënë, motër ose vajzë e një personazhi.

“Duke pasur qasje në burimet me të cilat të jepet mundësia të krijosh produkte kulturore/art, je në pozitë të zgjedhësh se çfarë vlerash do të përcjellësh me artin tënd. Gjithashtu, duke pasur qasje në burimet me të cilat mëson të analizosh, kritikosh dhe filtrosh produktet kulturore, je në pozitë t’i pranosh ose t’i refuzosh ato”, tha Miraka për Grazetën.

Dy anët e medaljes

Ajo çfarë i ofrohet publikut nga cilado formë e komunikimit, fillin e ka në atë që beson shoqëria. Kështu mendon aktorja Xhejlane Tërbunja, e cila thotë se në skenën kosovare ekziston tendenca e krijimit të roleve nënçmuese sepse i tillë është edhe mentaliteti.

“Fillimisht mentaliteti jonë, në vendin ku ne jetojmë, është që kështu sillen krejt njerëzit me gruan”, tregon ajo për Grazetën.

Sipas saj, roli që personazhet luajnë ka një kod i cili duhet të dekodohet nga shikuesi.

“Ne, si aktorë që jemi, në fakt luajmë role të cilat i nxjerrin në pah problemet e të tjerëve, p.sh., nëse unë kisha për të luajtur një rol ku një grua është e poshtëruar edhe i ulet vlera, atëherë unë do ta pranoja rolin për ta luajtur sa më mirë që të tregoj qysh nuk është në rregull të jesh sepse në fakt kjo është edhe ideja”, tha ajo për Grazetën.

Miraka është e mendimit se përmbajtja e krijimeve kinematografike është pasqyrim i vlerave që krijuesi ka për botën përfshirë këtu edhe mendimin e tij/saj për barazi.

“Koncepti i kinemasë si mjet për të reflektuar realitetin është diçka e rrezikshme përderisa gjithçka që tregohet në kuadër është gjithmonë një vendim i dikujt që punon mbrapa kamerës dhe bën zgjedhje për çfarëdo që do jetë përbrenda apo jashtë kuadrit,” tha Miraka, duke shtuar se “këto zgjedhje bazohen në idealet dhe vlerat që ai person ka për botën, për jetën, për njerëzit dhe “aty bazon dhe historitë që do të tregojë për të reflektuar mbi to”.

Artet, argëtimi dhe rekreacioni, sipas një raporti të Institutit Gap të publikuar së fundi, kanë pasur gjatë pandemisë 82% më pak të hyra. Mungesa e mbështetjes financiare ka bërë që filmi të konsiderohet më shumë si biznes thotë Luan Morina, kritik i filmit.

“Derisa televizioni, filmi, arti, duhet të shihen si mjete edukative që ndihmojnë zhvillimin e shoqërisë, tek ne [arti] përdoret për të bërë biznes. Jo që nuk ka të tillë që ia kanë dalë në projekte të ndryshme, por këto mbeten në plan të dytë dhe shfrytëzohen vetëm për shfaqje publike më shumë se sa për afrimin ndaj një ideje më të dashur e të favorshme për gratë”, thotë Morina.

Para disa vitesh në televizionet tona paraqitej seriali “Vikendi”, që “udhëtonte në kohë” duke krahasuar dy gjenerata të ndryshme. “Vikendi” theksonte dallimet ekstreme të jetës kohë më parë, me atë sot, duke përçuar kështu një mesazh mbi emancipimin. Xhejlane Tërbunja, aktorja e cila ka luajtur rolin e gruas në këtë serial, tregon për Grazetën se qëllimi i këtij produksioni ka qenë përqeshja e dukurisë.

“Ne (Vikendi) e kemi bërë me qellim këtë send, qysh ka qenë, deri si janë emancipuar të dytë [burri dhe gruaja], që duhet t’i kenë të drejtat e barabarta. Ne e kemi përqeshur vazhdimisht këtë dukuri”, tregon ajo.

Arti i margjinalizimit

Në skenën kulturore të Kosovës mungon edhe pasqyrimi i jetës së komuniteteve të margjinalizuara. Si në jetën e përditshme, personazhet e grave lezbike, biseksuale, transgjinore dhe personave të komuniteteve RAE janë të ndërpërfaqësuara nga skena artistike.

Kultura e përjashtimit të grave të komuniteteve të margjinalizuara krijon hapësirë për stereotipizimin e një bote bardhë e zi.

“Duke qenë kryesisht një art pamor, filmi është një formë që kuptohet lehtë nga masa të mëdha, pra e ka dinamikën të ndikojë mbi mënyrën se si perceptojmë botën tonë, rrethanat që na shoqërojnë dhe pozitën e secilit prej nesh në to,” thotë Miraka për Grazetën.

Gratë kosovare, në përgjithësi, kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin e shoqërisë, por këto histori kanë mbetur pa u treguar.

Aktorja Geena Davis, shpjegon Miraka, ka thënë se “Nëse mund të sheh, ajo mund të bëhet ajo”.  Kështu, përfshirja e shumëllojshmërisë së historive të suksesit bën që vajzat e reja, të cilat u ekspozohen këtyre përmbajtjeve, të identifikohen dhe ta përdorin si rol model një person të seksit të njëjtë dhe të mos bien në grackën e një stereotipi të vetëm. Personazhe të tilla të suksesit të grave mungojnë në skenën tonë.

“Nuk kemi histori suksesi, nuk kemi karakter grua që të inspirojë shikuesin, vetëm një ide që të gjitha gratë kanë jetë të mjerë, dhe mjafton të dalin nga ai mjerim”, shpjegon Morina për Grazetën.

Gratë për gratë në film

Gratë regjisore kanë filluar t’i japin ngjyra perspektivës bardhë e zi të Kosovës. Filmat si “Zana”, “Shtëpia e Agës”, “Gardhi”, “Një tregim Prishtine” e shumë të tjerë si këta janë të prodhuar nga gratë regjisore ku pasqyrohet jeta e gruas në Kosovë. Këtu protagonistet kryesore janë gratë dhe i tërë filmi sillet rreth problemeve të përditshme të jetesës së tyre.

Filmi “Shpia e Agës” tregon përmes aktores Adriana Matoshi një prej realiteteve më të hidhura të jetës së gruas kosovare: “M’ndrrun për një kali. Nejse, ata paret ja kanë dhanë se nuk më kanë shit”. Trajtimi i grave si objekte në Kosovë gjatë viteve të paraluftës i ka kaluar suazat e normales. Kjo dukuri, edhe pse jo me ato përmasa, vazhdon ende. Regjisorja përmes personazheve ka arritur që në një mënyrë të mrekullueshme të vendos perspektivën e jetës se pajetë të grave kosovare.

Në vitin 2018, gratë përbënin vetëm 8% të regjisorëve në krye të filmave me 250 fitimet më të mëdha në Evropë.

Ndonëse hapin për të vendosur në agjendën filmike perspektivën e gruas e kanë filluar gratë regjisore, ato deri vonë nuk janë mbështetur financiarisht nga shteti i Kosovës. Vetëm në vitin 2012, për herë të parë regjisorja Blerta Zeqiri kishte marrë buxhet për prodhimin e filmit të metrazhit të gjatë “Martesa” nga Qendra Kinematografike Kosovare, kishte treguar regjisorja Lindita Zeqiraj në një intervistë për Kosovo 2.0.

Filmi ka ndikimin në atë se si ne e shohim kulturën dhe ka fuqinë t’i luftojë pabarazitë gjinore kundruall gruas. Me vazhdimin e krijimeve të roleve që paraqesin gratë vetëm si objekte seksi, amvise dhe të pashkolluara, shoqëria nuk do të ketë rrugë të hapur për t’u zhvilluar.

“Një ide do të ishte rrënimi i të gjitha ndryshimeve dhe zhvillimi i barabartë i historisë, me një pikënisje ku nuk ka dallime gjinore, të cilat as nuk do të shfaqeshin më pas”, thotë për Grazetën kritiku i filmit Luan Morina.

Industria e filmit duhet të ndryshojë mentalitetin e krijimit të personazheve gra të pazhvilluara, duke filluar t’i japin vajzave të reja rol modele të grave liderë e profesioniste.

Sipas studiueses së filmit, Fjoralba Miraka, pa një ndryshim të tillë nuk mund të presim ndryshimin e këtyre imazheve.

“Që të përdoret filmi si mjet i ndryshimit, ne së pari duhet të hetojmë dhe ndërhyjmë në strukturat e pushtetit brenda industrisë së filmit në përgjithësi sepse përfundimisht pa një ndryshim të tillë nuk mund të shpresojmë për një ndryshim në imazhet dhe normat që shoqërojnë artin e filmit tani, nuk mund të kemi alternativat me të cilat audiencat duhet të përballohen”, tha ajo për Grazetën.

Fuqia që nuk po përdoret për të mirë nga filmat

Sekuencat filmike të cilat u ofrohen në përditshmëri fëmijëve përmes programeve të caktuara për ta, janë të mbushura me stereotipe e paragjykime për rolet gjinore. Në këto programe, personazhet heroike janë gjithmonë djem, kurse vajzat gjithmonë kanë nevojë për ndihmë që t’i arrijnë synimet e tyre.

“Më e keqja është që audiencën më të madhe e gjejnë tek fëmijët dhe moshat e reja, të cilët pa ndonjë mbikëqyrje adaptojnë diçka të tillë në jetën reale”, shpjegon Luan Morina.

Një seri e tillë, përplot vlerash negative ishte shfaqur edhe në ekranet tona kohë më parë ku fëmijët luanin rolet e budallait. Produksionet e tilla ndikojnë në edukimin që prindërit u japin fëmijëve, shpjegon për Grazetën psikologia Shpresa Frrokaj.

“Serialet që shfaqen në mediat tona janë seriale të cilat kanë shumë pak sekuenca edukative. Këto shfaqje televizive ndikojnë në mënyrën e jetesës brenda familjes, ndikojnë edhe në edukimin që nënat u ofrojnë vajzave të tyre dhe kanë impakt negativ,” thotë ajo, duke shtuar se këto e lëkundin edhe besimin në marrëdhëniet e shëndosha brenda familjes.

Kështu, qysh në moshën e re produktet artistike fillojnë t’u japin fëmijëve leksione se çfarë është realiteti, serialet e filmat e tillë, forcues të stereotipeve, konstruktojnë realitetin e pështirë ku vajza duhet të trajtohet si objekt.

“Një fëmijë nuk është në gjendje ta bëjë dallimin mes një përmbajtje reale të jetës dhe një përmbajtje në TV”, tregon Frrokaj për Grazetën.

Kështu qytetarëve, jo vetëm atyre të Kosovës, qysh në moshën e hershme fillohet t’u krijohet një perceptim mbi realitetin dhe si duhet të jetë ai.

Qasja kritike ndaj përmbajtjeve mediale si zgjidhje

Ndonëse zhvillimi teknologjik ka prekur majat, bashkë me të janë krijuar mundësi të pafundme të konstruktimit të pikëpamjeve, kryqëzimit të grupeve të margjinalizuara dhe thellimit të stereotipeve ekzistuese, si përdorimi i imazhit të gruas si objekt atraksioni për shikuesit.

“Shumica e serialeve vendore, e as mos t’i përmendim programet televizive, gruan e vendosin për ta shikuar, jo për ta dëgjuar”, thotë Luan Morina për Grazetën.

Në një shoqëri në tranzicion është i vështirë kapërcimi nga një mendësi tradicionale në atë më moderne. Andaj, që të filtrohen ato që paraqiten përmes medias, qytetarët në përgjithësi duhet të jenë të pajisur me edukimin medial, pasi që i mëson ata që të shohin me sy kritik çdo përmbajtje që u ofrohet.

Se media luan rol kyç për forcimin e stereotipeve përmes përmbajtjeve mediave e thotë edhe njohësja e edukimit medial, Gentiana Paçarizi.

“Mediat kanë fuqi të jashtëzakonshme t’i përforcojnë, po ashtu t’i eliminojnë, stereotipet ekzistuese në shoqëri. Duke qenë se mediat janë kanale përmes të cilave ne mësojmë rreth botës dhe ndërtojmë një lloj kuptimi të përbashkët, ato shërbejnë si modele të gatshme të sjelljes, të cilat përvetësohen nga individët,” thotë Paçarizi për Grazetën, duke shtuar se përfaqësimi i grupeve të margjinalizuara në shoqëri përmes riprodhimit të stereotipeve luan rol shumë kyç në idenë e përgjithshme të audiencës mbi ato grupe.

Qasja kritike ndaj këtyre përmbajtjeve është jashtëzakonisht e nevojshme për një shoqëri të shëndetshme dhe luftimin e pabarazive dhe jo t’u qasemi çdo përmbajtje verbërisht.

Paçarizi mendon se një shoqëri e fuqizuar është zgjidhja e duhur për luftimin e këtyre dukurive shoqërore.

“Në mesin e kësaj dukurie, janë pikërisht audienca e cila duhet të fuqizohet për ta shfuqizuar këtë qasje. Përmes gjykimit dhe leximit kritik të përmbajtjeve mediale, përdoruesit e medias mund t’i identifikojnë përmbajtjet e dëmshme që përforcojnë stereotipe dhe të mos i konsumojnë ato. Për më shumë, ata mund të luajnë rol të rëndësishëm denoncues të këtyre përmbajtjeve”, shpjegoi ajo për Grazetën.

Nënçmimi i mëtejshëm i grave jo vetëm në jetë por edhe në produkte kulturore duhet të ndalojë dhe vetë shoqëria të distancohet nga përmbajtje të tilla.

About the author

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj ka përfunduar studimet e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Momentalisht është duke u marrë më shumë me fushën e PR si dhe është pjesë e projektit të Deutsche Welle–Balkan Booster.

Add Comment

Click here to post a comment