“Në shoqërinë tonë duhet me qenë revolucionare për me i përballu paragjykimet sepse ideja parësore e njerëzve, kur e shohin një grua me aftësi të kufizuara, është se nuk mundet… nuk mundet me mësu, me u shkollu, me kriju familje, me pastru e me gatu” thotë Shkurte Bregovina, e cila nuk posedon aftësinë e të pamurit.
Çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë, e cila ka për qëllim të zhvlerësojë dikë, është diskriminim. Si dukuri sociale, diskriminimi ka rrënjët në stereotipe të thella të krijuara në nivel kulturor e të bazuara në paragjykime. Paragjykimi, në anën tjetër, shënon një emocion karshi njerëzve të një grupi të ndryshëm social, duke bërë vlerësime të shtrembëruara ndaj atij grupi.
E lindur nga njëra apo tjetra, diskriminimi e paragjykimi janë pjesë e pandashme e jetës së një vajze dhe gruaje me aftësi të kufizuara.
Ato përballen me diskriminim në familje, shkollim e punësim.
Shpeshherë, përjashtimi fillon prej familjes për shkak se disa prej familjeve në Kosovë nuk pranojnë faktin se e kanë një vajzë me aftësi të kufizuara, duke e fshehur faktin se ato kanë këtë nevojë dhe kësisoj e minimizojnë aktivizimin e tyre në shoqëri.
Veç gjallë nuk mjafton të jesh
Kur flitet për vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, shoqëria kosovare shpeshherë i ka përkufizuar ato si të paafta për të kryer çfarëdo pune.
“Kur kam pas problem me unaza, është dashur të kontrollohem tek një fizioterapeute. Nana jem i tregojke asaj që unë jam e verbër, mirëpo që në të njëjtën kohë unë shkollohem e jam çikë e aktivizume. Ajo po më drejtohet mu “pse po aktivizohesh? Ki probleme me sy, nuk ki nevojë me mësu, mjafton me u bo kuzhiniere, me ditë me gatu diçka,” thotë Shkurta, studente e Psikologjisë në nivelin master, e cila ndan këtë kujtim me “Grazetën” si kujtim të hidhur.
Ajo thotë se për shumë njerëz, kur je me aftësi të kufizuara, mjafton të marrësh frymë e të merresh me gjëra më të lehta.
“Sipas shoqërisë kosovare, njeriu me aftësi të kufizume po mjaftoka me qenë gjallë,” thotë Shkurta.
Ajo ngriti edhe një çështje tjetër, e cila është krijimi i marrëdhënieve romantike, vështirësitë që kanë ato për të pasur lidhje me dikë, temë të cilën e ka hulumtuar edhe akademikisht.
“Për një vajzë me aftësi të kufizuara është vështirë edhe të krijojë një lidhje, për arsye se njerëzit shumë shpesh shprehen se një grua me aftësi të kufizuara duhet ta gjejë një ‘sakat’ ose qashtu qysh oshtë vetë. Kjo na bon me konceptu se ne nuk qenkemi atraktive”.
Madje në një hulumtim të cilin Shkurta e realizoi për temën e diplomës, rezultatet treguan se respodentët burra me aftësi të kufizuara theksojnë se në bashkëbisedim me burrat pa aftësi të kufizuara, kanë deklaruar se gratë me aftësi të kufizuara nuk janë atraktive për intimitet.
Shoqëria shpeshherë ka qenë përcaktuese për fatin e një gruaje me aftësi të kufizuara, duke i detyruar ato të martohen me dikë që është shumë më i vjetër se ato. Ose shumë herë i kanë bërë të mendojnë që edhe nëse duan të martohen, partneri i tyre duhet të jetë patjetër me aftësi të kufizuara.
Një fjali e cila përdoret në këso raste e që dëgjohet shumë në mentalitetin tonë diskriminues është: “ajo duhet me gjetë akranin e vet”.
Kjo është pasojë e asaj që ndër vite një grua perfekte është menduar ajo grua e cila i përkushtohet punëve të shtëpisë, që i plotëson dëshirat burrit, etj.
Rrjedhimisht, kjo ka krijuar paragjykime ndaj grave me aftësi të kufizuara, të cilat, sipas këtij mentaliteti, “nuk bëjnë për grua”, pasi që nuk mund të realizojnë detyrat e tyre ndaj shtëpisë dhe familjes në mënyrën më të mirë të duhur.
Diskriminimi i dyfishtë
Paaftësia për të ecur nuk e ka ndalur asnjëherë dëshirën e punës për Ardita Bilallin, e cila ka lindur me sëmundjen e quajtur “Spina bifida”. Kjo sëmundje i ka shkaktuar asaj probleme me shtyllën kurrizore, gjë e cila ia pamundëson ecjen.
“Unë merrem me punë dore. Pavarësisht se jam person me nevoja të veçanta, kam vullnet për të jetuar e për të punuar,” thotë ajo për “Grazetën”.
Ka vullnet e shpresë për jetë, por Ardita hasi në vështirësi për t’u punësuar diku ku do të mund ta shprehte talentin e saj.
“Kam kërkuar punë në një argjendari, pasi që edhe vet merem me këtë punë. Pa ndonjë shpjegim, më kanë thënë më falni, por nuk mundemi me të pranu në punë,” rrëfen Ardita.
Ajo ka një dëshirë – njerëzit përreth tyre të besojnë se edhe ato mund të arrijnë sukses përmes punës së tyre.
“Jam mësuar me faktin që i bëj gjërat ndryshe, në mënyrë unike. Nëse Zoti m’i mori këmbët, ma la mendjen dhe do të realizojë çdo ëndërr timen, pavarësisht vështirësive. Dua shumë që njerëzit të mos na shohin si objekte, por si të barabartë, sepse edhe ne mund të arrijmë suksese në fushën në të cilën punojmë,” thotë ajo.
Sfida e punësimit
Edhe pse Ligji për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara i obligon institucionet që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 të punësuar, ai nuk është se ka gjetur zbatim në Kosovë dhe ky fakt kritikohet nga vetë kjo kategori e shoqërisë.
Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen të drejtat, kushtet, mënyrat e aftësimit dhe riaftësimit profesional për integrimin e tyre në tregun e punës sipas kushteve të përgjithshme dhe të kufizuara të përcaktuara në legjislacionin e aplikueshëm.
Qëllimi i këtij ligji është përkrahja ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuar, duke u mbështetur në principet dhe tretmanin e mundësive të barabarta.
“Aftësimi dhe riaftësimi”, në këtë rast, është ndërmarrje e aktiviteteve në mënyrë të organizuar nga institucionet përgjegjëse, për riedukim të një personi me aftësi të kufizuara, me qëllim gjetjen e një pune të përshtatshme për të.
Ky ligj parasheh që një person me aftësi të kufizuara ka të drejtë në aftësim dhe riaftësim profesional. Në raste të caktuara, kur është e nevojshme për shkak të shkallës, llojit dhe rëndësisë, kjo mund të bëhet në shkollat e kufizuara dhe institucione tjera.
Një person me aftësi të kufizuara, ka të drejtë në punësim, integrim në tregun e punës, në kushtet e përgjithshme dhe të kufizuara të përcaktuara me këtë ligj.
Ligji për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara ka edhe një dispozitë të veçantë me të cilën ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejt ose i tërthortë i personave me aftësi të kufizuara gjatë punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional.
Ndërkohë, është për t’u çuditur fakti se nuk ka të dhëna të sakta ose se është vështirë të gjenden të dhënat se sa përqind e grave me aftësi të kufizuara janë të punësuara në Kosovë.
Mentaliteti përjashtues, si dhe ofendues në të njëjtën kohë, i cili nuk lejon që një grua me aftësi të kufizuara të punojë në një vend për të cilën është e kualifikuar, nuk e lejon integrimin e tyre në shoqëri.
“Në përgjithësi, gratë diskriminohen në punësim. Mirëpo, një grua me aftësi të kufizume, edhe nëse është e kualifikuar dhe adekuate për një punë, në vendin ku aplikon për punë nuk i besojnë që është e aftë për me punu. Në këso rast, edhe nëse e shpjegon mënyrën se qysh e kishe realizu, diskriminohesh deri në atë pikë sa nuk i intereson se qysh e kishe kry ti atë punë,” tregon Shkurta.
Deri më sot asnjë institucion publik apo privat nuk është dënuar për moszbatimin e ligjit. Për shkak se mungojnë statistikat se sa gra me aftësi të kufizuara janë të punësuara, i bie që ligji për të cilin folëm më lartë nuk po zbatohet.
Sipas një raporti të OSBE-së, barazia është një element kyç dhe më se i nevojshëm në kontekstin e punësimit të njerëzve me aftësi të kufizuara. Duhet të sigurohemi që secili individ të ketë shanse të barabarta që të përfitojë sa më shumë nga jeta dhe talentet e veta, duke besuar se askush nuk mund të ketë shanse më të vogla në jetë, për shkak të aftësive të tyre.
E drejta për të punuar në bazë të barabartë si të tjerët ka rëndësi të madhe për personat me aftësi të kufizuara. Sipas këtij raporti, zgjedhja është elementi i parë konstitutiv sepse një person ka të drejtë të zgjedhë lirisht punën e cila i përshtatet dhe askush nuk mund t’ia imponojë dikujt një punë të detyruar.
Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara thotë se e drejta për të punuar në baza të barabarta me të tjerët përfshin të drejtën e mundësisë për të fituar një jetë me punë të zgjedhur ose të pranuar lirisht në një treg pune dhe mjedis pune i cili është i hapur, përfshirës dhe i qasshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Nevoja për t’u integruar në shoqëri
“Ka raste kur Eloida pritet shumë mirë nga njerëzit, por ka raste edhe kur injorohet,” thotë Indira, nënë e një vajze me sindromin Down.
Eloida është 20 vjeçe dhe ka zgjedhur të luftojë për veten. Përkundër paragjykimeve që i bëhen, ajo punon si asistente e një stomatologu në Ferizaj, si dhe është pjesë e qendrës “Down Syndrome” në këtë qytet.
Sipas nënës së saj, diskriminimi shfaqet ende ndaj kësaj kategorie të shoqërisë, mirëpo njëkohësisht thekson se një pjesë e shoqërisë ka filluar që të vetëdijesohet.
“Eloda e njeh dashurinë, injorancën, emocionet dhe ajo ka qejf që të arrijë shumë gjëra, por ne nuk jemi shtet i përkryer që t’u përkushtohemi personave në nevojë,” thotë Indira për “Grazetën”.
Qasja e injorancës, përpos që lëndon vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, drejtpërdrejt i përjashton ato nga çdo aktivitet shoqëror.
Ato nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe mbështetje juridike. Për të lehtësuar jetën e tyre duhet krijuar një infrastrukturë integruese, e cila do ta bënte të mundur ndjenjën e përkatësisë së tyre në shoqëri.
Diskriminimi fillon në familje, në lagje, në shkollë e në rrugë. Paragjykimet fillojnë nga familja, lagjia, shkolla e rruga.
Andaj, përkundër diskriminimit e paragjykimeve, vajzat si Shkurta, Ardita dhe Eloida janë shembull se si vullneti për të thyer çdo barrierë, në mënyrë që ato t’i realizojnë ëndrrat e tyre, nuk do të mungojë asnjëherë.
Add Comment