Kur bëhet fjalë për të ardhmen e gruas, menjëherë mendohet një profesion i cili e mban më afër punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj familjes.
“Buka të jetë gati kur fëmijët të kthehen nga shkolla, punët e shtëpisë të jenë të përfunduara dhe gruaja të punojë si mësuese, mjeke, rrobaqepëse…” janë disa nga fjalët të cilët mund të dëgjohen në diskutimet familjare, në tavolinat e kafeneve dhe në bisedat të cilat zhvillohen rrugëve në Kosovë.
Dëshirat e ndryshme që kanë vajzat e reja për profesionet e tyre të ardhshme ndonjëherë mbesin vetëm dëshira për shkak të mungesës së përkrahjes nga familja dhe shoqëria.
“Konteksti jonë kulturor, apo të themi më mirë patriarkal, ende gruan e sheh brenda shtëpisë detyrimisht primare dhe pastaj në pjesën e mbetur të kohës ta vazhdojë parcialisht karrierën apo avancimin duke ia veshur disa ‘profesione gjinore’ që i shkojnë ‘për shtati’ rrethanave tona domestike kulturo-sociale, duke e mbajtur kushtimisht të lidhur për detyrime amvisërie dhe duke mos e pavarësuar totalisht, mos ia hequr barrën domestike,” thotë Genc Xërxa për “Grazetën”, duke shtuar se kështu gruas i vështirësohet përkushtimi njëqind për qind në zhvillimin e saj jo vetëm në edukim apo “profile të buta grash” por edhe në shkencë, vendimmarrje, menaxhim etj. për t’ia lënë edhe burrit kujdesin amvisëror si obligim, si përkrahje ndaj gruas në avancimin familjar prosperues por edhe social njëkohësisht.
Profesionet të cilat kanë të bëjnë me shkencën tani më nuk janë tabu për vajzat dhe gratë në Kosovë pasi arritjet e tyre në shkencë na dëshmojnë këtë.
Edhe kur vajzat vendosin të jenë pjesë e shkencës, ato përballen me paragjykimet se këto punë janë për djemtë, se tutje ato do të jenë vetëm me libra në duar ose se me studimet në shkenca do të përfundojnë vetëm si mësimdhënëse.
Shkencëtaret kosovare me suksese ndërkombëtare
Krahas mbështjetjes që ka pasur nga familja, me të njëjtat situata është përballur dhe Erëza Gjikolli, e cila ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në drejtimin “Matematikë Financiare në Banka dhe Sigurime” në Universitetin e Prishtinës dhe më pas studimet master në Universitetin Bentley në Boston, në drejtimin “Analizimi i të Dhënave të Kontabilitetit”.
“Oh sa mirë që po studion Matematikë! Taman si grua, i dedikohesh akademisë edhe mundesh me u bo mësuese ose arsimtare. Kjo nuk të pengon në krijim të familjes,” ishin disa komente që Erëza i merrte asokohe.
“Mësimdhënësit i respektoj shumë, mendoj që kanë një ndër punët më të vështira. Si edukatorë, mbi supet e tyre ata bartin përgjegjësinë e të ardhmes së një nxënësi. Çka më pengon nga fjalia e mësipërme është asocimi që shumica e ka se rezultat i studimeve të matematikës është të bëhesh arsimtare dhe që për një grua puna në arsim është profesion ideal dhe më i lehtë,” thotë Erëza për “Grazetën”, duke shtuar se profesionet sot nuk duhet të asociohen me gjini dhe se vajzat /gratë e reja nuk duhet të kenë limite gjinore gjatë zgjedhjes së profesionit.
Vesa Morina tani është duke punuar si asistente në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, ku edhe ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë. Ajo ka qenë edhe pjesë e programit Erasmus në Universitetin Nova në Lisbonë të Portugalisë. Nita Shillova është duke punuar në një kompani farmaceutike në Saint Louis në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka përfunduar studimet master në drejtimin “Biologji molekulare, Mikrobiologji dhe Biokimi” në Southern Illinois University Carbondale dhe studimet bachelor për Biokimi dhe Biologji Qelizore në Jacobs University në Bremen të Gjermanisë. Edhe Vesa edhe Nita mbështetjen më të madhe që të jenë pjesë e shkencës e kanë pasur nga familjarët e tyre.
Për Vesën asnjë drejtim nuk është i lehtë, secili prej tyre do përkushtim të veçantë dhe vajzave nuk duhet t’iu imponohen që nga fëmijëria e hershme drejtimet e studimit.
“Duhet që të mos ua imponojmë vajzave drejtimet e caktuara, t’i lëmë që të gjejnë vetë rrugën e tyre dhe nëse u pëlqen fusha e shkencës kompjuterike dhe matematika, atëherë të mos frikësohen ta ndjekin këtë rrugë vetëm pse është më shumë e frekuentuar nga gjinia e kundërt. E njëjta vlen për cilindo drejtim,” thotë Vesa për “Grazetën”, duke shtuar se në sistemin tonë edukativ duhet të fillojë që nga shkolla fillore dhe e mesmja të ketë panaire të shkencës, ku dikush mund të gjejë veten pasi që provon ndonjë prej shkencave të prezantuara tek panairi përkatës.
Nita ka përdorur shprehjen “Qentë lehin, karvani ec” për ta shpjeguar gjendjen e grave në shkencë. Sipas saj, një pjesë e njerëzve nuk mendojnë që gratë janë të afta të jenë në pozita edhe në karriera që kanë të bëjnë me shkencën: “shembuj profesionalë nuk kemi sa duhet, por kjo po ndryshon me kohë”.
“Si shoqëri duhet të kujdesemi dhe sigurohemi që puna e grave në shkencë të promovohet, që eksperienca e grave në shkencë të dëgjohet dhe të kuptohet (duke marrë parasysh që gratë shqiptare në masë të madhe e bartin edhe barrën e familjes përmbi atë profesionale), duhet të sigurohemi që gratë të jenë të reprezentuara në pozita të udhëheqjes sepse ato më së miri e kuptojnë vështirësinë e dikujt që është në fazat fillestare të karrierës,” është shprehur Nita për “Grazetën”.
Sipas të dhënave nga UNESCO, 28.8% e grave në botë janë të punësuara në profesione të cilat kanë të bëjnë me shkencën.
“Në përgjithësi, gratë përbëjnë një pakicë të studiuesve të botës. Përkundër kërkesës në rritje për statistika të krahasueshme ndërkombëtarisht për gratë në shkencë, të dhënat kombëtare dhe përdorimi i tyre në politikëbërje shpesh mbeten të kufizuara,” thuhet në publikimin e UNESCO-s.
Erëza, Vesa dhe Nita, tani më si profesioniste në drejtimet shkencore, inkurajojnë vajzat e reja të cilat duan të jenë shkencëtare në të ardhmen dhe kërkojnë nga to që të mos i thonë asnjëherë “Jo” vetes dhe të mos i ndalin ëndrrat e tyre për asgjë.
Shkencëtaret e “vogla” me gjurmë të mëdha
Krahas arritjeve të tyre në gara të ndryshme vendore dhe evropiane, vajzat e reja të cilat kanë synim të bëjnë shkencë kanë filluar të krijojnë mundësi edhe për moshataret e tyre të cilat kanë pasionin e njëjtë, por që nuk dinë nga t’ia fillojnë.
17 vjeçja Era Syla e ka hapur një ueb-faqe përmes së cilës synon ta rrisë pjesëmarrjen e vajzave në garat e matematikës. Era e ka fituar në këtë vit medaljen e bronztë në Olimpiadën Evropiane për Vajzat në Matematikë (EGMO), gjersa vitin e kaluar e pati fituar medaljen e bronztë në Olimpiadën Iraniane për Gjeometri (IGO) dhe çmimin e tretë në Kupën Evropiane të Matematikës (EMC).
“Në ueb-faqe ka shumë libra të cilat i kam përdorur edhe vetë gjatë rrugëtimit tim në olimpida të matematikës, por aty e gjeni bashkangjitur edhe ‘feedback’-un tim për këto libra. Aktiviteti kyç që planifikoj ta organizoj është ‘Takime online me gra të suksesshme në shkencat ekzakte’,” ka thënë ajo për “Grazetën”, duke shtuar se i tërë ky aktivitet bëhet me qëllim të uljes së diferencës midis pjesëmarrjes së vajzave dhe pjesëmarrjes së djemve dhe se aty do ketë folëse vajza që kanë pasur suksese ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Toskë Shala, 17 vjeçare dhe Elsa Izeti, 16 vjeçare, në të ardhmen e shohin veten si inxhiniere në fusha të ndryshme.
Toska së fundmi e ka lansuar aplikacionin “Shoku yt”, për të cilin është shpërblyer në kategorinë “Yll në ngritje i vitit” në eventin ICT Awardsnë Tiranë. Përmes këtij aplikacioni nxënësit mund të kenë më të lehtë shfletimin e orarit, detyrave, notave, kalkulatorit të suksesit dhe kalendarit të testeve.
“Siç e kam vërejtur viteve të fundit, po organizohen një numër i trajnimeve, kampeve dhe bursave për gratë në teknologji. Ky është një fillim mjaft i mirë për t’i vetëdijesuar vajzat se dikush është gati për t’ua mundësuar një shkollim dhe përgatitje adekuate në drejtimet ku ato mendojnë se nuk kanë guximin të përfshihen,” ka thënë Toska për “Grazetën”.
Ndërsa, sipas Elsës, e cila për dy vite radhazi është renditur e dyta në garat e fizikës në Kosovë dhe e ka përfaqësuar Kosovën në “Garat e Evropiane të Fizikës”, e ardhmja e njerëzimit mbështetet në shkencë dhe shoqëria kosovare duhet t’i inkurajojë dhe t’i mbështes vajzat që të ndjekin shkencat.
“Shoqëria, deri më sot, shkencat i sheh si mashkullore. Deri sa nuk tregojnë një sukses të konsiderueshëm, vajzat në shkenca shikohen si më pak kompetente se meshkujt. Duke parë numër të vogël të shkencëtarëve gra në libra, media e shoqëri, vajzat kanë më pak modele për t’u frymëzuar që të jenë pjesë e shkencave. Besimet shoqërore se si duhet të jenë apo duken vajzat në shkencë dhe stereotipat, së bashku me paragjykimet e lartpërmendura, ndikojnë drejtpërdrejt në motivimin dhe interesimin e vajzave për të qenë të përfshira në shkencë,” ka thënë ajo për “Grazetën”.
Sociologu Genc Xërxa, zhvillimin e gruas në një shoqëri e sheh si ecje në drejtimin e duhur.
“Shoqëria jonë duhet në mënyrë të barabartë t’u ofrojë mundësinë e avancimit profesional dy gjinive, me theks të veçantë promovimit të gruas dhe avancimit të saj në karrierë pasi ajo ka mbetur pas nga këta faktorë socio-kulturorë. Njëkohësisht, gratë po dalin më të shkathëta se burrat në disa profesione dhe duhet t’i përkrahim sepse ecja para e gruas do të thotë ecje e shoqërisë në drejtimin e duhur,” ka thënë ai për “Grazetën”.
Bota ka nevojë që gratë të jenë pjesëmarrëse në formimin e saj dhe dëshirat e vajzave të vogla duhet të rriten së bashku me to. Ato nuk duhet të mbesin vetëm ëndrra të cilat ato i shohin çdo ditë.
[…] botë gratë nuk janë të përfshira në shkencë në proporcion me burrat. “Grazeta” ka hulumtuar këtë temë në kontekstin e Kosovës në fillim të muajit dhe ka theksuar vështirësitë dhe sukseset e grave kosovare në fushat STEM […]