Ajo

Edona Haziraj – Rrugëtimi i saj në STEM dhe aplikacioni “Rectify”

Aplikacionet që kanë për qëllim permirësimin e sistemit edukativ kanë filluar të gjejnë zbatueshmëri si në vendet perëndimore, ashtu edhe në vendin tonë.

Njëra nga këto aplikacione që së fundi i është shtuar përdoruesve të Kosovës është aplikacioni “Rectify”, ideuar dhe krijuar nga Edona Haziraj, grua e re kosovare që sapo ka mbaruar studimet në Inxhinieri Kompjuterike.

Aplikacioni “Rectify” ua mundëson përdoruesve t’i raportojnë dhe t’i përmirësojnë gabimet në tekste mësimore dhe ua mundëson qasjen e këtyre raportimeve në kohë reale.

E pyetur se si i ka lindë ideja për këtë aplikacion, Haziraj ka thënë për “Grazetën” se “duke parë numrin e madh të librave të publikuar në vit, e veçanërisht atyre edukative dhe mungesës së një platforme të mirëfilltë për raportimin e gabimeve eventuale në këto tekste, është krijuar platforma Rectify.”

Ajo shtoi se “platforma është anonime dhe falas dhe u mundëson të gjithëve raportimin dhe korrigjimin e gabimeve në tekstet mësimore dhe qasjen në këto raportime në kohë reale.”

Të dhënat që ky aplikacion do t’i gjenerojë mund të hyjnë në shërbim edhe të korrigjimit të teksteve mësimore, por edhe të analizimit të tyre. Haziraj tha se “Të dhënat janë të ndara në kategori dhe të hapura për publikun. Në versionin e ardhshëm shqyrtohet mundësia e dërgimit të foto-raportimit direkt tek Shtëpia Botuese ose Autori/ja dhe vizualizimi i të dhënave.”

Në Kosovë, por edhe në botë gratë nuk janë të përfshira në shkencë në proporcion me burrat. “Grazeta” ka hulumtuar këtë temë në kontekstin e Kosovës në fillim të muajit dhe ka theksuar vështirësitë dhe sukseset e grave kosovare në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikeë). Haziraj tha se “Në përgjithësi, gratë në STEM, jo vetëm në Kosovë, por mbarë botën, sigurojnë përfaqësim të pamjaftueshëm. Vetëm rreth një e katërta e punonjësve të STEM janë gra. Në vendin tonë, sidomos në pesë vitet e fundit, interesimi i vajzave të reja për studimin e shkencave të përpikta është rritur dukshëm, sidomos në Shkencë dhe Inxhinieri Kompjuterike.”

Sa i përket sfidave në profesion, ajo tha se “Si profesion, kërkon shumë përkushtim dhe praktikë, andaj çdokush që ka aftësi analitike dhe disiplinë, mund të arrijë ta përvetësojë këtë profesion.”

Kohëve të fundit Haziraj ka vërejtur se është rritur numri i vajzave që udhëheqin iniciativa, të cilat kanë krijuar aplikacionet e tyre, drejtojnë kompani të programimit ose OJQ, janë të përfshira në STEM mësimdhënie, dhe deklaroi se lidershipi në këto role nga gratë kosovare “ndikon që stereotipi për vajzat në teknologji të zbehet.”

Përvoja e Edonës gjatë rrugëtimit në Inxhinieri Kompjuterike ishte shumëngjyrëshe. Ajo tha për “Grazetën” se dëshira e saj ta nisur këtë rrugëtim dhe për t’iu bashkangjitur botës së teknologjisë, fillimisht ka filluar si sfidë, e pastaj është shndërruar në vullnet për punë. Tutje Haziraj shtoi, “Një hendek mes mësimdhënësve dhe studenteve vajza në Inxhinieri Kompjuterike, më shumë e kam vërejtur në vitin e parë të studimeve. Që nga viti i dytë kam filluar të punoj si Software Developer, shumicën e herave duke i kthyer mundësitë në zgjidhje dixhitale.”

Linkun për shkarkimin e aplikacionit “Rectify” mund ta gjeni më poshtë.
https://play.google.com/store/apps/details?id=rectify.app.platformaegabimeve

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment