“Me vetë faktin që kurrë nuk kam pas përkrahje nga shteti dhe prapë jam e suksesshme, do të thotë shumë. Kur do me i arrite synimet dhe vizionin që e ke përpara nuk ka barriera, ka sfida të cilat me guxim dhe vetëbesim tejkalohen” tregon Shemsije Dërmaku e cila nuk ka marrë ndihmë nga shteti edhe pse që 21 vite ka biznesin e saj të dekorimeve, Grand Decor.
Koha e pandemisë ishte hera e parë kur shteti ia shtriu dorën në kuadër të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Edhe pse viteve të fundit është rritur numri i grave sipërmarrëse, sfidat e tyre në fushën e biznesit janë ende evidente.
Mirëpo sfidat nuk ndaluan Shemsijen të heqë dorë nga ëndrrat e saj, sepse përveç që krijoi një vend pune për vete, këtë ua siguroi edhe shumë grave tjera.
“Paragjykime kam pasur në fillimet e biznesit pasi që kam qenë e vetmja grua në atë kohë edhe nuk ka qenë e lehtë aspak, mirëpo përkrahja më e madhe e imja ishte bashkëshorti im, me të cilin fillova biznesin. Në fillim ishim vetëm ne të dy, e tash në Grand Decor janë 10 punëtore të rregullta, kurse punëtorët sezonal gjatë kohës së verës tejkalojnë numrin 50”.
Përderisa më herët ishte e vështirë depërtimi në ekonomi tregu, sot kjo për gratë shqiptare, ka ndryshuar.
Sipas platformës elektronike “Bizneset e Hapura”, në Kosovë numri më i madh i bizneseve që udhëhiqen nga gratë janë sallonet e bukurisë. Sipas kësaj platforme, rreth 3000 biznese që udhëhiqen nga gratë janë sallone të floktarisë dhe biznese që ofrojnë trajtime të tjera estetike.
Por gratë kosovare nuk e kanë kufizuar veten, vetëm në këtë fushë.
Njëra ndër to është edhe Arbërorja, e cila arriti që për dy vite e gjysmë të hyjë në treg me produktet e saj 100% natyrale për flokë dhe fytyrë me biznesin e saj të cilin e quajti “HUUMë”.
“Përderisa keni një ide të qartë se çfarë dëshironi të ndërtoni, asnjëherë mos u gjunjëzoni, por vazhdoni me vetëbesim të plotë dhe punë të ndershme, sepse një ditë ideja dhe pasioni do t’u realizohet. As Roma nuk është ndërtuar për një natë, andaj edhe suksesi mund të merr kohë, por vazhdo rrugëtimin e sigurte se ka po shkon” – kështu i motivon gratë Arbërore Riza për të jetësuar ëndrrat e tyre.
Pavarësisht se është përballur me njerëz që nuk kanë besuar në jetësimin e kësaj ideje, ajo e ka dëshmuar të kundërtën.
“Ka ndodhë që njerëzit nuk më kanë besuar në jetësimin e kësaj ideje. Dy raste konkrete, më kanë thënë që nuk mund të merrem me këto produkte sepse nuk i’a vlen, por nuk u tundova as edhe për një çast që mendimet e tilla të më zbrazin, sepse e kisha të qartë se çka dua të bëj dhe ku dua të arrij”.
Përveç paragjykimeve, problem tjetër i grave në biznes është edhe mungesa e kapitalit.
Luljeta Demolli drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore ka thënë për Grazetën se problem kryesor për fillimin e një biznesi të ri, është mungesa e regjistrimit të bizneseve në emër të grave.
“ Janë vetëm 13.8% e bizneseve në Kosovë që janë të udhëhequra nga gratë dhe këto biznese janë kryesisht të vogla, ku 20% e këtyre bizneseve në këtë kohë janë prekur edhe nga pandemia, ndërsa 86% e grave në Kosovë janë të papuna, mirëpo jo aktiviteti është i madh pasi 60% e tyre as nuk kërkojnë punë.”
Në Kosovë ekziston LIGJI I PUNËS, i cili ka për qëllim të rregullojë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.
Neni 49 i këtij ligji rregullon çështjen e pushimit të lehonisë ku thotë:
- Femra e punësuar gëzon të drejtën prej 12 muajve, të pushimit të lehonisë.
- Për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, kurse për 3 muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë.
- Femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për 3 muaj të tjera pa pagesë”
Por, pagesa nga punëdhënësi për 6 muaj paraqet problem sepse disa biznese mendojnë se është e padrejtë që ata të paguajnë 70% të pagës kurse Qeveria vetëm 50% të pagës mesatare.
E për të gjetur zgjidhje për këto, Demolli thotë se QKSGJ-ja është e përqendruar në ligjin e ri të punës dhe kërkesa e tyre është që shteti ti paguajë pushimet që grave iu takojnë.
“Ne avokojmë që pushimi i lehonisë me kalu dhe me u pagu i tëri nga shteti, që nga kjo të lirohet sektori privat. Avokimi jonë është që të paguhet edhe përvoja e punës(praktika) prej gjashtë muajve nga shteti me një rrogë minimale, që kjo të inspirojë gratë të mësojnë një punë të caktuar në të ardhmen”
Mirëpo shumë gra, tregojnë se motivimin për të filluar një biznes e gjejnë nga pasionet që ato kanë.
Ashtu ishte edhe për Diellza Mjekun, pronaren e një biznesi të ri në Kosovë e cila përmes gurëve të ndryshëm të natyrë, mbledh gurë në Kosovë e Shqipëri vetëm që të paraqesë dëshirat dhe mendimet e njerëzve në forma artistike.
“Biznesin e kam menduar më shumë si hobi sepse gjithmonë kam qenë e pasionuar pas artit. Por nga kjo, familjarët dhe miqtë më kanë ndihmuar që këtë pasion ta kthej në biznes timin personal. Gurët i mbledh në vende të ndryshme për t’i dhënë punimit karakter gjeografik dhe spirituoz dhe të gjithë materialin e kam nga natyra, aty ku edhe inspirohem për të punuar”
Diellza thotë se një ndihmë të madhe në biznese e kanë teknologjinë e cila sipas saj ka përparuar shumë. Falë teknologjisë, ajo ka arritur të prezantojë produktet e saj në mbarë botën përmes Instagramit të saj “Art House Jana”.
“E vlerësoj përkrahjen e klientëve të cilët më kanë besuar krijimin e kujtimeve të tyre, është kënaqësi e veçante kur me dërgojnë fotografi te punimeve te mija te ekspozuara ne ambientet e tyre familjare apo të punës, duke shprehur mirënjohjen e tyre. Në këtë mënyrë, shumë klientë punën time e prezantojnë tek shoqëria e tyre”
Emëruesi i përbashkët i këtyre zonjave të suksesshme në fushën e biznesit është se ato me shumë dashuri i këshillojnë të gjitha vajzat e reja që të mbështesin njëra-tjetrën në tregun e punës.
Add Comment