Shtjellime

Sfidat e grave me mbulesë

Kur flet për periudhën pesëvjeçare të studimeve, buzëqesh. Madje këtë e shoqëron edhe me lëvizje duarsh. Gjatë këtyre viteve të studimeve në Fakultetin e Edukimit, M.Sh. ishte vazhdimisht në listën e studentëve bursistë.

“Gjatë studimeve kam themeluar një organizatë time për çështje lidhur me edukim, pata nderin te zgjidhem përfaqësuese e Universitetit në shkëmbime semestrale jashtë vendit, si dhe kam bërë punë vullnetare në OJQ të ndryshme çdo herë që më është dhënë mundësia,” thotë ajo për “Grazetën”.

Por asnjëra nga këto të arritura nuk ia siguruan asaj një vend pune.

Në njërin nga rastet e shumta të aplikimit, ajo rrëfen për mënyrën se si u trajtua për shkak të mbulesës së saj. M.Sh. kishte aplikuar për edukatore të grupmoshave 0-3 vjec. Për dallim nga kandidatet e tjera, drejtori i kopshtit kishte kërkuar që ajo të hynte në intervistë në gjuhën angleze, edhe pse, sipas saj, kjo nuk kërkohej si kriter.

“Për mua kjo nuk paraqiste asnjë problem, por mendoja se sa shumë vajza të tjera të mbuluara mund të vendosen në një sfidë të tillë vetëm që të gjindet arsye për t’u eleminuar aplikimi i tyre,” thotë ajo.

Gjatë intervistës, M.Sh. thekson se çdo gjë kishte shkuar në rregull, madje drejtori i institucionit kishte theksuar se intervista e saj kishte qenë mjaft e suksesshme.

“Si kopsht i ri nuk guxojmë me marrë një edukatore të mbuluar ngase kjo do ti ‘trembe’ prindërit dhe ata mund të mos i sjellin fëmijët e tyre më këtu,” i kishte thënë drejtori i kopshtit.

Në fund të intervistës, ai kishte kërkuar që M.Sh të jetë pjesë e kopshtit nga distanca, duke iu ofruara idetë e saj për menaxhim e programe dhe krejt këtë shërbim kishte kërkuar ta bënte pa pagesë.

“Thënë më saktë, drejtori më tha se nuk të duam ty por duam punën tende dhe se nuk duam ta dinë të tjerët që ti punon për ne,” rrëfen M.Sh.

Mëgjithatë, ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur M.Sh. është diskriminuar për shkak të besimit që i përket.

Edhe raportet dëshmojnë diskriminimin

Ngjashëm me këtë, raste të diskiminimit janë paraqitur edhe në raportin e Departamentit të Shtetit të ShBA-së të vitit 2019 ku Kosova renditet në vendet që kanë problem të trashëguar në çështjen e lirisë së besimit fetar.

Në këtë raport është përmendur rasti kur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) raportoi dy raste të diskriminimit në lidhje me punësimin ndaj praktikuesve të besimit islam. Disa zyrtarë të BIK-ut deklaruan se shkalla e nxitjes së ndjenjave antimyslimane në media u rrit dhe kjo mund të dëmtojë mundësitë e punësimit për myslimanët e devotshëm.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, çështja e besimit fetar dhe praktikimit të tij është e rregulluar. E drejta e punës dhe liria për manifestimin e fesë garantohen me Nenet 38 dhe 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Madje është saktësuar se liria për manifestimin e fesë mund të kufizohet me ligj me qëllim të mbrojtjes së sigurisë dhe rendit publik, mbrojtjen e shëndetit publik ose mbrojtjen e të drejtave të personave të tjerë.

Sipas juristes Nora Huseinovic-Veliu pikërisht nga ky përcaktimi kushtetues rrjedh se shteti nuk ka të drejtë t’ia kufizojë asnjë qytetareje lirinë për manifestimin e fesë në vendin e saj të punës kur një kufizim i tillë nuk është i parashikuar me ligj.

“Çështja kyçe lidhur me diskriminimin në punësim të vajzave dhe grave me mbulesë në institucionet publike është se atyre u kufizohet liria për manifestimin e fesë në vendin e punës, duke u bazuar në dispozitat e akteve nënligjore (udhëzime administrative e rregullore) të institucionit publik përkatës dhe jo duke u bazuar në ndonjë dispozitë ligjore,” tha Huseinovic-Veliu për “Grazetën”.

Sipas Huseinovic-Veliut, kufizimet e tilla të të drejtave dhe lirive kushtetuese në institucionet publike, në mënyrë të pakontestueshme janë masa arbitrare të ushtruesve të pushtetit ekzekutiv. Këto masa e kufizime, sipas saj, nuk kanë bazë ligjore e kushtetuese dhe si të tilla janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Mes përjashtimit social dhe papunësisë

Mungesa e punësimit përveç aspektit ekonomik dëmton edhe anën emocionale të individit. Ndërsa në rastet kur kjo ndodh për shkak të diskriminimit dhe steriotipizimit barra rëndohet edhe më tepër. Sipas psikologes organizative Besarta Fazliu, disa studiues theksojnë se etnia dhe shamia mund të interpretohen si stigma të identitetit të grupit. Stigmat janë atribute individuale që shihen si të meta personale nga shoqëria e zakonshme. Si të tilla, ato shpesh çojnë në zhvlerësim, paragjykim dhe diskriminim. Meqenëse stigmat janë të ndërtuara shoqërisht, ato preken nga vlerat kulturore normative dhe mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

“Gratë që mbajnë shami mund ta përjetojnë këtë refuzim veçanërisht sepse ato sinjalizojnë identifikim më të madh me grupin mysliman. Sipas Teorisë së Identitetit Social, individët që identifikohen më fort me një grup vuajnë nga nivele të rritura të diskriminimit dhe zakonisht përjetojnë më shumë diskriminim sesa të tjerët,” tha Fazliu për “Grazetën”.

Në vitin 2016 F.K., mësimdhënëse e lëndës së Biologjisë ishte larguar nga puna për shkak se kishte vendosur të mbante mbulesën.

“Të kemi paralajmëru, më thanë: ose punën ose shaminë. Me shami shko rri në shpi,” kujton ajo në rrëfimin e saj për “Grazetën”.

“Njëri nga ta e mori ditarin nga banka dhe tjetra që ishte grua më tha ‘liroje klasën!’ Jo, i thashë, nuk kam pse me e liru. Ajo më kapi nga krahu, ndërsa nxënësit filluan të qanin. I kërkova veç pak minuta me i qetësu nxanësat, të cilëve ju thashë: ‘Arsimtarja ka me u kthy, mos mbani dert ju. Tash qetësohuni dhe vazhdoni me detyrat,” rrëfen ajo. Sipas saj, për performancën e treguar si mësimdhënëse ajo edhe ishte shpërblyer me mirënjohje, por çdo gjë ndryshoi kur ajo vendosi të mbulohej.

“E kisha të qartë se ata do të më pengonin, por asnjëherë nuk ma ka marrë mendja që në mënyrë të dhunshme do të më nxirrnin nga klasa,” kujton F.K. Ajo priti nëntë muaj që të rikthehej në vendin e punës nga ku ishte larguar padrejtësisht. “Kur e kam fitu rastin nuk kam fitu vetëm unë, por krejt gratë me shami. Me u mundu me e ndal zërin tonë është si me e ndal rrjedhën e lumit.” Sipas psikologes Fazliu, ekziston një bindje e përhapur në psikologji se përgjigja ndaj ngjarjeve stresuese, siç është papunësia, merr formën e progresit nëpër faza. Tronditja tenton të karakterizojë fazën fillestare, gjatë së cilës individi është ende optimist. Kur e njëjta situatë vazhdon, individi bëhet pesimist dhe vuan nga ankthi, derisa në fund bëhet fatalist për situatën e tij dhe përshtatet në mënyrë joentuziaste me gjendjen e tij të re.

“Të papunët priten të shfaqin shëndet më të dobët mendor për shkak të niveleve të ngritura të ankthit, zhgënjimit dhe depresionit. Për më tepër, këto ndjenja ka të ngjarë të jenë më të theksuara midis atyre që mbajnë përgjegjësi më të mëdha financiare dhe personave me një sens më të madh të vetefikasitetit të nxitur nga suksesi i mëparshëm në një mori fushash, duke përfshirë shkollën dhe punën,” tha Fazliu për “Grazetën”.

Pritje të gjata, drejtësi e vonuar

Gratë e mbuluara, edhe përkundër paragjykimeve, nuk kanë rreshtur së luftuari për të drejtën e punës dhe atë kundër diskriminimit.

Qefsere Fazliu, një mësuese në shkollën “Isa Boletini” në fshatin Busi të rrethit të Prishtinës, u përjashtua nga puna në vitin 2005 pasi vendosi të mbulohej me shami. Në një betejë ligjore 8 vjeçare dhe pas një vendimi të Gjykatës Themelore, Fazliu fitoi të drejtën legale në korrik të vitit 2013, për t’u rikthyer në punë një vit më pas. Ky rast shënon njërin nga rastet e para ku gratë me mbulesë fitojnë të drejtën me vendim gjykate që të jenë pjesë e institucioneve.

Indira Mujaj, u përjashtua pesë vite më parë nga puna si shërbyese civile në Policinë e Kosovës. Kjo për shkak se ajo vendosi që të mbulohet. Mujaj për këtë ushtroi padi në Gjykatën Themelore e cila së fundi i dha të drejtë dhe me një aktgjykim e obligoi Policinë e Kosovës që ta kthejë në punë. “Nuk ka asnjë arsye ose justifikim të pranueshëm për të vënë në diskutim fenë e një personi, ritualet e lidhura me të apo simbolet fetare. I vetmi diskutim i justifikueshëm është vetëm perspektiva dhe aftësia e individit për të kryer punën e tij dhe përgjegjësitë me të cilat ngarkohet në vendin e punës,” thotë Fazliu.

Gratë e mbuluara në Kosovë për vite të tëra kanë luftuar dhe po vazhdojnë të luftojnë përballë institucioneve deri sa të vlerësohen të arritura e tyre dhe jo identiteti fetar.

About the author

Avatar

Liridona Bregovina

Liridona Bregovina ka përfunduar studimet për Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Temat të cilat i ndjek në fushën e gazetarisë kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ndërsa është aktiviste për të drejat e personave me aftësi të kufizuara. Pasioni i saj është leximi i letërsisë klasike.

Add Comment

Click here to post a comment