Shtjellime

Ku e kanë vendin burrat në lëvizjen feministe në Kosovë?

Duke u rritur, shpeshherë na ka rastisur të dëgjojmë frazën “feminizmi është vetëm për gra”. Po ashtu, përmes rregullave të pashkruara si: “burrat nuk qajnë”, “djalë i bukur si çikë” ose “i butë si vajzë”, shoqëria kosovare qysh në fëmijëri ndikon në forcimin e stereotipeve mes gjinive. Strukturat patriarkale i pengojnë burrat të shfaqin emocione që shihen si femërore dhe disa burra ndihen nën presion për të jetuar sipas imazhit “ideal” se si duhet të jetë një burrë. Patriarkati është po ai sistem, i cili qysh moti ka synuar të ketë kontroll të ngushtë mbi gjinitë dhe seksualitetet, mbi atë që duhet dhe s’duhet, dhe ajo që nevojitet për të luftuar këtë fenomen është pikërisht feminizmi. Tek e fundit, a nuk është feminizmi lëvizje universale?

Sipas njohësit të teorisë feministe, Sead Zimeri, asnjë shoqëri në Ballkan nuk është në dijeni të plotë për konceptin universal të feminizmit. Ai thotë për “Grazetën” se feminizmi është koncept i kontestuar gjithandej, por ka përshtypjen se tek ne nuk është i kontestuar aq sa është i keqkuptuar, duke shtuar se “feminizmi nuk është një koncept me një përmbajtje të vetme, por me disa përmbajtje të ndryshme, ku e përbashkët është vetëm gruaja si subjekt që duhet emancipuar.”

Feminizmi universal

Feminizmi në thelb përbën një lëvizje dhe ideologji që ka një qëllim universal të përbashkët: krijimin dhe arritjen e barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, si dhe zhvillimin e të drejtave shoqërore për gratë në krahasim me burrat. Kjo përfshin kërkesat për krijimin e mundësive të barabarta në arsim dhe punësim, pagesa të barabarta për punë të njëjtë, etj.

Në historinë perëndimore, feminizmi ndahet në tri valë të zhvillimit: feminizmi i valës së parë (e drejta e pronës dhe e drejta e votës), feminizmi i valës së dytë (përqendrimi në barazinë dhe antidiskriminimin ndaj grave), si dhe feminizmi i valës së tretë, i cili filloi në vitet ‘90 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.

Gjatë këtyre periudhave, shumë burra e panë të rëndësishme t’i mbështesnin lëvizjet feministe, ndërsa të tjerët u përgjigjën duke formuar lëvizje për të drejtat e burrave. Lëvizja për të drejtat e burrave filloi në fillim të viteve ‘70 si grupe vetëdijësuese për të ndihmuar burrat të lirohen nga kufijtë e roleve seksuale, e cila synonte ta bënte të pranueshme për burrat që të ishin të hapur për emocionet e tyre duke ruajtur maskulinitetin e tyre. Elemente të tjera të kesaj lëvizje ishin idetë se gjinitë nuk mund të ekzistojë pa njëra-tjetrën dhe se gjinia si koncept përbën një konstrukt shoqëror dhe jo një domosdoshmëri biologjike.

Studimet e ndryshme sugjerojnë se edhe burrat janë po ashtu viktima të strukturave patriarkale. Çështja e emocioneve dhe mungesa e aftësisë për t’i shprehur ato janë disavantazhet kryesore që burrat vuajnë për shkak të ndikimit të shoqërisë dhe përcaktimit të patriarkatit, për shkak se shprehja e emocioneve qysh moti është etiketuar si diçka femërore, duke u mohuar kështu tërësisht botën emocionale.

Blert Morina, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL) thotë për “Grazetën” se edhe burrat edhe gratë në pergjithësi janë viktima të këtij sistemi. “Qysh në lindje neve na mësohen disa sjellje, norma… dhe pritshmëritë janë që çdo njëri/njëra me i përqafu’ dhe me i marrë si të mirëqena. Kushdo që del përtej atyre normave dhe heteronormativitetit, gjasat janë shumë të mëdha edhe të paragjykohen – qofshin burrat, qofshin gratë.”

Kurse, sipas Zimerit edhe burri më i shtypur nga sistemet patriarkale, ka një privilegj mbi gruan e tij. “Gruaja është e dominuar nga burri dhe sado të fshehemi pas ligjërimeve akademike që nuk është burri si burrë por janë sistemet patriarkale ku edhe vetë burri është viktimë, këto ligjërime nuk mund ta mohojnë faktin që edhe burri më i shtypur dhe përndjekur nga sistemet patriarkale ka një privilegj mbi gruan e tij,” deklaroi Zimeri.

Ai thotë se një burrë mund të jetë feminist, por do të paragjykohet. “Por paragjykimi nuk zgjat shumë,” thotë ai.  “Paragjykohen megjithatë ata që në mëngjes kanë një mendim e në mbrëmje një tjetër: luftojnë për të drejtat e grave por me gratë me të cilat janë në ndonjë lidhje sillen krejt kundërt nga ajo që predikojnë. Këta paragjykohen dhe me të drejtë, sepse lufta e tyre nuk është luftë e vërtetë, luftë për emancipim të vërtetë por është një përpjekje për ta shtrirë sundimin e patriarkatit nën çadrën e feminizmit,” shton për “Grazetën” njohësi i teorisë, Sead Zimeri.

Aktivisti feminist, Ron Idrizaj, thotë se burrat në shumicën e rasteve paragjykohen si brenda lëvizjes por edhe jashtë saj. “Paragjykimet brenda lëvizjes ndodhin për shkak të frikës se disa burra e shohin angazhimin e tyre si aktivistë feministë vetëm nga perspektiva e burrave, disa që është aktuale dhe disa për qëllime karrieriste. Këto paragjykime shpesh janë valide për shkak se jemi dëshmitarë të shumë burrave të cilët deklarohen feministë, mirëpo pastaj në platformat e tyre nuk punojnë pothuajse asgjë për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore,” thotë Idrizaj për “Grazetën”.

Aktivisti feminist holandez, Jens van Tricht, në librin e tij “Pse feminizmi është i mirë për burrat” argumenton se feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e pozitës dhe statusit të grave, por gjithashtu edhe me lirimin e burrave nga kodet kufizuese që i mbajnë ata prapa.

(Mos)përkrahja e feminizmit nga burrat?!

Për burrat në Kosovë, angazhimi në feminizëm zakonisht nuk është i drejtpërdrejt dhe ka pengesa të konsiderueshme për ta arritur atë. Ky angazhim shpeshherë pengohet përmes paragjykimeve se feminizmi është vetëm për gra dhe se nuk i takon një burri të mirret me diçka të cilën në të vërtetë nuk e përjeton.

Aktivisti Roni Idrizaj, për “Grazetën” shton se organizimi i shoqërisë dhe familjes në baza patriarkale dhe shtypëse e kanë shtyrë atë të merret me aktivizëm. “Fillimisht, observimi i mënyrës të organizimit të familjeve dhe shoqërisë në Kosovë, organizim i cili është me bazë patriarkale dhe shtypëse, më ka shtyrë që përmes aktivizmit tim të flas edhe për të drejtat e grave dhe padrejtësitë të cilat ndodhin ndaj tyre në sferën publike dhe private,” tha ai.

Edhe drejtori ekzekutiv i CEL, Blert Morina, tregon arsyen që e kanë shtyrë të merret me aktivizëm feminist. “Fillimisht, nuk ka ndonjë moment të caktuar kur kam vendosur të deklarohem si feminist/aktivist,” thotë ai për “Grazetën”, por duke shtuar se “ndër shtytësit kryesorë kanë qenë fillimisht njohja e pozitës në të cilën kam qenë, mundësia për të kontribuar në ndryshimin shoqëror me qëllim që çdo individ të ndjehet dhe trajtohet në mënyrë të barabartë.”

Sa i përket përkrahjes së feminizmit nga burrat në Kosovë, Morina thotë se feminizmi në parim nuk ka përkrahje të mjaftueshme nga kjo kategori. “Për këtë kanë ndikuar shumë faktorë, duke filluar prej faktit që është krijuar mendësia që feminizmi është i lidhur vetëm me gratë dhe se vetëm gratë janë të denja për të qenë feministe, pastaj për faktin që në përgjithësi burrat të cilët nuk kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme nuk mendojnë përtej të qenit burrë dhe shumica nuk dëshirojnë të heqin dorë nga fuqia dhe privilegjet duke e marrë si të mirëqenë gjithë rolin e tyre në shoqëri,” tha ai.

Këtë e pohon për “Grazetën” edhe aktivistja feministe, Trina Binaku. “Në përgjithësi, mendoj se feminizmi në Kosovë përkrahet pak nga burrat. Ndoshta kjo vjen nga perceptimi se për ‘çështjet e grave’ duhet të mirren vetëm gratë. Unë jam më shumë e besimit se arsyeja kryesore e kësaj mungese të përkrahjes vjen nga dështimi i burrave të heqin dorë apo të shohin përtej priviligjeve që i kanë në shoqëri krahas grave,” tha Binaku.

Por, krahas kësaj, ajo thotë se numri i burrave pjesëmarrës në marshin protestues “MARShojmë, S’festojmë” po shkon duke u rritur, por jo edhe dëshira e tyre për t’u përfshirë në organizimin e tij.

Kurse njohësi i teorisë, Sead Zimeri, konsideron se ka pasur rritje të konsiderushme të burrave feministë, duke renditur si arsye pavarësinë, rritjen e nivelit të edukimit, si dhe kontributin e vetë grave në ketë drejtim. “Ka pasur rritje të konsiderueshme të burrave feministë në Kosovë dhe një nga arsyet është pavarësia e Kosovës dhe rritja e nivelit të edukimit të popullit në përgjithësi. Por, gjithsesi që meritën më të madhe e kanë vetë gratë të cilat luftojnë gjithandej për ta ndryshuar botëkuptimim patriarkal të burrit për gruan,” deklaroi Zimeri.

Urrejtja e burrave në feminizëm = mit

Ideja e feminizmit shpeshherë interpretohet keq si ide e urrejtjes ndaj burrave. Ky është bërë një besim i përhapur edhe globalisht se feminizmi përfaqëson idenë e ndërrimit të strukturës së pushtetit, duke vendosur gratë në majë të piramidës e burrat në fund. Shpërndarja e madhe e kësaj ideje shkaktohet në bazë të mungesës së hulumtimit të informacioneve dhe ndikon që feministet të përballen në baza ditore me stereotipe si: “feministet i urrejnë burrat” ose “feministet mund të jenë vetëm gra”.

Blert Morina tregon për “Grazetën” mitet të cilat i ka hasur, duke shtuar se ato e shtrembërojnë atë se çka në të vërtetë është feminizmi. “Ato të cilat më ka rastisur më shpesh t’i ndegjoj janë se feministet janë: ‘gra që i urrejnë burrat’, ‘gra të cilat kërkojnë shtypjen e burrave’, ‘feministet janë lezbike’, ‘gra të cilat nuk dëshirojnë të kenë fëmije’, të cilat fatkeqësisht  kanë kontribuar që feminizmi të shihet si diçka e cila i përket vetëm grave, duke shtremberuar gjithashtu atë se çka në të vërtetë është feminizmi dhe çka është të qenit feminist,” tha Morina.

Kurse aktivistja, Tina Binaku, për “Grazetën” tha se “miti më i rrezikshëm është ai që aludon se mund të ketë një çlirim të grave nga sistemi shtypës patriarkal pa u çliruar nga sistemi shtypës kapitalist,” duke shtuar se “më i përhapuri është miti që e paraqet feminizmin si lëvizje për të krijuar shtypje të reja, ku gratë dominojnë burrat.”

Edhe sipas aktivistit Rron Idrizaj “miti më i madh në Kosovë është se feminizmi kërkon një shoqëri ku gratë i dominojnë burrat, e jo barazi në mes tyre.”

Ideja e feministes dominante dhe që urren burrin është ndër mitet më të rrezikshme për feminizmin sepse ajo që feministët urrejnë në të vërtetë janë sistemet patriarkale që lejojnë pabarazi.

Sead Zimeri tregon që ka biseduar me të tillë që e kuptojnë feminizmin si urrejtje ndaj burrit. Sipas tij, “kjo është e pritshme, dhe deri diku e kuptueshme. Ky interpretim zakonisht bëhet mga burrat. Nga ana tjetër po ashtu edhe shumë aktiviste të feminizmit qëllimisht e portretizojnë burrin si armik të gruas,” thotë Zimeri për “Grazetën”, duke shtuar se edhe kjo është e pritshme, pasi që, siç thotë ai, “lidhjet jo të barabarta krijojnë padrejtësi, lëndim moral të dinjitetit të gruas e cila e kupton që burri si burrë përfiton nga privilegjet e patriarkatit.”

Feminizmi është kunder idesë që gratë duhet të kenë burra për t’u kujdesur për to (ato mund të kujdesen për veten), se gratë janë tepër emocionale (edhe burrat mund të jenë) dhe se ato duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për familjen. Por, feminizmi po ashtu është kundër idesë që një burrë nuk mund të tregojë emocione, kundër idesë të sulmimit apo abuzimit seksual të burrit, dhe kundër idesë që një burrë nuk di të kujdeset për fëmijët ashtu siç di një grua.

Aktivizimi i përbashkët

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i vitit 2020 e demonstron më së miri që diskriminimi në baza gjinore është ende problem serioz në shoqërinë Kosovare. “Sa i përket barazisë midis grave dhe burrave, diskriminimi i bazuar në gjini është i përhapur në rekrutimin, ngritjen në detyrë, pagën, kohëzgjatjen e kontratës, lejen e lindjes dhe ngacmimin seksual në punë dhe është edhe më serioz në zonat rurale,” thuhet në raport.

E një ndër mënyrat për ta ndaluar këtë diskriminim është aktivizimi i burrave dhe grave me një kauzë të përbashkët. Pjesëmarrja e burrave në lëvizjet e barazisë gjinore mund t’i forcojë përpjekjet feministe. Disa forma të pjesëmarrjes së burrave mund të përfshijnë: pjesëmarrjen në mbrojtjen e të drejtave të grave, mbështetjen e fushatave, antarësimin në lëvizje që kundërshtojnë dhunën ndaj grave, ngritja e vetëdijes për seksizmin si dhe edukimi i gjeneratave të reja.

Burrat mund të luajnë veçanërisht një rol të rëndësishëm duke sfiduar burrat e tjerë për seksizmin, mizogjininë dhe dhunën e tyre, duke i lajmëruar ata dhe duke u besuar grave.



About the author

Malbora Ahmetaj

Malbora Ahmetaj

Malbora Ahmetaj është gazetare e diplomuar, studimet Bachelor i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë pjesë e numrit të parë të revistës “Intro” e cila ka trajtuar edukimin mbi median dhe informacionin. Krahas studimeve ka marrë pjesë edhe në trajnime të shumta rreth fushës së gazetarisë dhe drejtësisë. Momentalisht është e angazhuar në projektin e monitorimit të mediave vendore në kuadër të “MM Media LLC”.

Add Comment

Click here to post a comment