Krejt-kah-pak

Urani Rumbo – feministe shqiptare para 100 viteve

Urani Rumbo është një nga pionieret e lëvizjes feministe shqiptare. Ajo ka qenë aktive në fillimvitet ’20 me avokimin e saj për të drejtat e gruas shqiptare.

Urani Rumbo u lind më 1895 në fshatin Stegopul të krahinës së Lunxhërisë në Gjirokastër. Ishte vajza e mësuesit Spiro Rumbo. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në dy qytetet çame të Filatit dhe Janinës. Urania ishte poliglote dhe pos gjuhës amtare shqipe, ajo fliste edhe greqisht, italisht dhe frengjisht.

Pas shkollimit, ajo do të punonte si mësuese e gjuhës shqipe në fshatrat jugorë të Dhoksatit, Mingulit dhe Nokovës, si dhe në shkollën “De Rada” në Gjirokastër. Më 1919, Urania i priu fushatës kundër analfabetizmit në mesin e vajzave të reja gjirokastrite. Më 1920, ajo e hapi shkollën “Koto Hoxhi”, të emërtuar sipas një prej rilindasve më të shquar. Kjo ishte një shkollë pesëvjeçare për vajza dhe pak më vonë ajo u bë drejtoreshë e saj.

Në vitet 1921-1924, Urania botoi artikuj me tematikë nga feminizmi dhe të drejtat e grave në gazetat “Demokratia” dhe “Drita”. Më 23 nëntor 1920, Urani Rumboja, së bashku me Hashibe Harëshovën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Balilin, do ta themelonte “Lidhjen e Gruas”, një organizatë feministe që synonte emancipimin e gruas.Në vitin 1923, Urania do t’i printe një fushate për t’i lejuar vajzat të shkolloheshin në liceun e Gjirokastrës, kurse më 1924 do ta themelonte shoqatën “Përmirësimi”, e cila ofronte kurse edukative për vajzat e shtresave të ndryshme shoqërore. Më 1930, autoritetet shtetërore e akuzuan për nxitje të vajzave të shkollës “Koto Hoxhi” për të performuar në shfaqje teatrale dhe Ministria e Arsimit e transferoi si mësuese në Vlorë, ku punoi gjersa vdiq më 1936.

Urania e kishte pasion letërsinë. Ajo ka lënë në dorëshkrim veprën “Theoria e Ifijenisë”.

Më 1961, Urani Rumboja mori post mortum titullin “Mësuese e Popullit”.

Sot emrin e saj e mban një shkollë fillore në Gjirokastër, kurse gjer më tani janë botuar dy monografi për nder të jetës dhe veprës së saj – Urani Rumbo: Mësuese e Popullit (1977) e Valentina Moskos dhe Urani Rumbo: Punëtore e shquar e shkollës shqiptare (2008) e Iljaz Gogajt.