Kolektivi Feminist ka paralajmëruar protestë nesër në lidhje me rastin e ngacmimit seksual ndaj vajzës shtatë vjeçare në shkollën “Faik Konica” dhe sigurisë së përgjithshme të vajzave në shkolla.
Lexoni deklaratën e tyre të plotë:
Dje, në shkollën “Faik Konica” u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave.
Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike.
Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore:
1. Futja e edukatës seksuale në shkolla;
2. Ambiente të sigurta për nxënëset/it;
3. Punësimi i punëtoreve/ëve socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik.



[…] edhe Kosova për arsye të ngjashme proteste, si në Shqipëri, është përfshirë nga po e njëjta atmosferë. Përdhunimet e vajzave […]