Rrugët e shumë qyteteve në Kosovë janë mbushur me grafite feministe të cilat shpërfaqin revoltën e grave ndaj patriarkatit. Këto grafite janë pjesë e aktiviteteve të njëpasnjëshme që kanë realizuar aktivist-et/ët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
Nëpërmjet leximeve feministe, protestave, aksioneve dhe organizimeve të tjera, aktivist-et/ët e Kolektivit janë duke shpërndarë mesazhe që bëjnë thirrje për rrëzimin e strukturave patriarkale dhe avancimin e barazisë gjinore.
Grazeta në një intervistë ekskluzive sjell planet dhe historinë e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. Ju ftojmë ta lexoni!
Pse keni menduar që Kosova ka nevojë për një aktivizëm të tillë? Çka sjellë Kolektivi që ka munguar më heret?
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist erdhi si ide nga një grup aktivistesh/ësh feministe/ë me qëllim të angazhimit drejt avancimit të idealeve të barazisë gjinore përmes teorisë dhe praktikës feministe. Aktivizmi i Kolektivit ka për cak kundërshtimin e patriarkatit të institucionalizuar dhe shtypjes së shumëfishtë strukturore në baza identitare, seksizmin, homofobinë, transfobinë, racizmin dhe shtresëzimin ekonomik shoqëror.
Si e ka pritur opinioni publik llojin e aktivizmit dhe aktiviteteve që bën Kolektivi?
S’fundmi, aktivitetet tona, saktësisht mbishkrimet tona, gjithsesi që kanë hasur në reagime të ashpra nga burrat të cilët përmes komenteve dhe mesazheve e kanë shpërfaqur mendësinë dhunuese të cilën ne veçse e kemi denoncuar përmes grafiteve. Komentet e shumta që përmbajnë gjuhë të urrejtjes kanë arritur drejt nesh në mënyrë konstante, të cilat bëjnë thirrje për dhunë fizike, përdhunim e vrasje të cilat gjithsesi kanë qenë me nota kërcënimi. Megjithatë, ne kemi marrë edhe shumë mbështetje dhe solidarizim nga vajza e gra, djem e burra anembanë Kosovës dhe rajonit.
Çfarë bëjnë sot aktivistet e Kolektivit? A ka aktivitete të reja të planifikuara?
Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë sistemin patriarkalo-kapitalist përmes revoltës në rrugë dhe kritikës së mirëfilltë feministe. Specifikisht, ne planifikojmë që grafitet feministe t’i shpërndajmë në të gjithë Kosovën, kështu, duke vazhduar aktivitetin që tashmë e kemi filluar në bashkëpunim me aktivist/e në çdo qytet në Kosovë.
Për më tepër, do të vazhdojmë edhe me edhe grupet e leximit feminist dhe diskutime të teorive feministe përgjatë muajve në vazhdim.
Çfarë këshilla keni për gratë e vajzat e reja që deshirojnë të merren me aktivizëm?
Këshilla jonë kryesore për gratë dhe vajzat e reja aktiviste është që të përbrendësojnë parimin e solidaritetit feminist në aktivizimin e tyre, si parim kyç në rezistencën kundrejt patriarkatit.
Add Comment