Ajo

Vajzat që nisën “Edhe sa thirrje të humbura?!”

Ishte 8 marsi i vitit 2018. Dita Ndërkombëtare e Grave ishte bërë zakon të përkujtohej në Prishtinë me marshe protestuese. Por, prishtinasit u zgjuan atë ditë me një pamje ndryshe të kryeqytetit. Disa billborde të kuqe ishin vendosur në qendër, pranë Stacionit të Policisë. 8 Marsi po shënohej ndryshe. Këto billborde kishin në qendër mesazhin e përcjellë me pyetjen retorike, shkruar me të zezë, “Edhe sa thirrje të humbura?!

Kolektivi artistik i grave, “Haveit”, i kishte vendosur ato billborde si një aksion simbolik për sensibilizimin shoqëror në lidhje me rastet e shumta të dhunës në familje dhe posaçërisht të vrasjes së grave. Pos mesazhit qendror – “Edhe sa thirrje të humbura?!” – në dy billborde të tjerë ishin vendosur edhe emrat e grave të vrara, Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit, për rastet e të cilave akoma nuk ishte vendosur drejtësia. Kjo ishte kthyer në një rutinë të zakonshme dhe morbide – gratë vriten, drejtësia hesht. “Haveit” kishte vendosur të reagonte kundër këtij fenomeni.

“Guardian” shkruante për “Edhe sa thirrje të humbura?!”

Për këtë aksion simbolik shkroi edhe “The Guardian”, gazeta me famë botërore. “Në Kosovë, një kolektiv arti vendosi tre billborde jashtë selisë së Policisë që ngritnin pyetje në lidhje me dhunën në familje,” shkruante prestigjiozja britanike.

Që atëherë, ky mesazh, ky slogan, kjo pyetje retorike është shndërruar në kryefjalinë e lëvizjes feministe në Prishtinë. Ndërkohë, gratë vazhdojnë të përjetojnë dhunë dhe të vriten në familjet e tyre. Ndërkohë, bashkë me vrasjen e grave, vazhdon edhe heshtja dhe mosreagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Prandaj, mesazhi i “Haveit” i billbordeve të vitit 2018, fatkeqësisht, edhe më tej është aktual.

Por, kush është grupi artistik “Haveit”? “Grazeta” ua sjellë profilin e këtyre vajzave që përmes artit në vazhdimësi kanë ngritur zërin kundër padrejtësive, janë angazhuar në drejtim të ngritjes së vetëdijesimit qytetar dhe kanë thyer tabutë e një shoqërie patriarkale. Grupi i artisteve u themelua më 2011 dhe veten e vlerësojnë si një “grup artistik që i takon rrugës”.

Foto: Haveit

Dy palë motra, Alketa e Lola Sylaj dhe Hana e Vesa Qena, janë katër vajzat e Prishtinës që e përbëjnë kolektivin “Haveit” dhe që për një dekadë kanë zhvilluar aktivizmin e tyre përmes artit. Që të katërtat kanë studiuar në Fakultetin e Arteve dhe artin e kanë vënë në shërbim të çështjeve me interes shoqëror. Puthje në rrugë në ditën e Shën Valentinit, përkrahje për komunitetin LGBT+, reagime kundër patriarkalizmit dhe dhunës ndaj grave, mbështetje për gratë e dhunuara në luftë, etj. kanë qenë disa prej aksioneve të këtij kolektivi.

Kolektivi “Haveit” është krijuar në mënyrë krejt spontane. Kështu thanë për “Grazetën” anëtaret e këtij kolektivi. “Është krijuar për shkak se ne kemi pasur nevojë për një aktivizëm të tillë, kemi pasur nevojë për të protestuar duke e përdorur atë që kemi lexuar, kemi mësuar, por gjithmonë duke e përdorur në kundërshti me atë që e kemi mësuar në shkollë,” thonë katër vajzat e “Haveit”, duke shtuar se Kosova ka nevojë për secilin lloj të aktivizmit, ka nevojë për protesta masive, por ka nevojë edhe për veprim shtetëror të menjëhershëm.

Por, si e ka pritur opinioni publik llojin e aktivizmit që bën “Haveit”?

Prezencë e gruas në hapësirën publike

“Ne kemi sjellë prezencën e gruas në hapësirën publike, trupin e gruas si trup performues dhe të gatshëm për përballje të ndryshme me kalimtarët e vendit tonë,” thanë vajzat e “Haveit” në intervistën e zhvilluar për “Grazetën”, duke shtuar se meqë janë ndërthurje e re mes artit dhe aktivizimit, aksionet e tyre, që nga fillimi e deri tash, priten me rezervë sepse nuk kemi një publik i cili vazhdimisht i përkrah. “Me reagimet tona, një lloj të publikut e fitojmë, derisa mund ta humbim një të tjetër,” thanë ato.

Katër artistet e “Haveit” shumë shpesh janë përballur me paragjykime të llojeve të ndryshme, por asnjëherë s’janë ndikuar nga to. “Paragjykimet dhe komentet varen nga performanca dhe tema që trajtojmë,” thanë ato për “Grazetën”, duke shpjeguar tutje se në një nga performancat me të hershme të tyre, të titulluar “Pa ujë e me fontanë” – ku kanë kritkuar keqqeverisjen e Isa Mustafës si kryetar i Prishtinës dhe ku ankoheshin për mungesën e ujit të pijshëm – komentet më të shumta kanë qenë se katër anëtaret e “Haveit” janë pjesë e një partie kundërshtare.

“Këso lloj komentesh ka pasur edhe për disa performanca tjera për shkak që aktivizmi i grave gjykohet si diçka që bëhet për përfitim personal ose për ndonjë arsye tjetër përfituese. Gjithsesi, kjo mendësi ka ndryshuar ndër vite edhe për neve por edhe për gratë e tjera të cilat kanë dëshmuar të kundërtën duke protestuar shumë më shumë viteve të fundit,” u shprehën për “Grazetën” artistet e “Haveit”.

“Inspirohuni nga gratë e tjera, por zgjidhni rrugën tuaj!”

“Bëhuni aleate të njëra-tjetrës! Jeta nuk është garë. Inspirohuni nga gratë e tjera, por zgjidhni rrugën tuaj! Nuk është e rëndësishme kush e përfundon fakultetin e para, kush është martuar e para, kush e para gjeti punë.” Këto janë disa nga këshillat që vajzat e Kolektivit Artistik “Haveit” kanë për vajzat dhe gratë e Kosovës.

Për “Grazetën”, katërshja e “Haveit” porositën që gratë duhet ta motivojnë njëra-tjetrën, të flasin për padrejtësitë dhe ta inspirojnë shoqërinë me origjinalitet e autenticitet. “Të vlerësojmë punën e tjetrës dhe të krijojmë një vend ku gjeneratat e reja rriten në një ambient ku respektohen të drejtat e tyre, ku ato ndihen të sigurta dhe, më rëndësishmja, ku ato e ndjejnë që zëri i tyre ka rëndësi.”

Vajzat e “Haveit” gjithmonë kanë bërë edhe punë tjera individuale krahas kolektivit. Sot secila punon në fushën e saj dhe janë të angazhuara me aktivitete të reja për këtë vit. Në këtë vit, puna e tyre “Kur baba kajke, nana m’i lajke sytë” është ekspozuar në “Galerie der Künstler” në Mynih të Gjermanisë si pjesë e ekspozitës grupore të quajtur “Paradise Lost #gender shift”. Në këtë reportazh të “Grazetës”, katërshja e artisteve të “Haveit” paralajmëruan që janë duke punuar edhe në projekte të reja, të cilat do t’i shohim së shpejti.

Pa dyshim, nuk mund të harrohet kontributi i tyre në aktivizimin feminist – posaçërisht iniciativa “Edhe sa thirrje të humbura?!” – dhe nuk mund të mohohet roli avangard që vajzat e Kolektivit Artistik “Haveit” kanë pasur për gratë e gjeneratave të reja, duke i inspiruar për aktivizëm dhe reagim qytetar.

About the author

Grazeta

Grazeta

Add Comment

Click here to post a comment