Uncategorized

Një 20 vjeçare dërgohet pa shenja jete nga persona të panjohur në Spitalin e Ferizajt

Një 20 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga persona të panjohur.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt.

“Pasditen e sotme, rreth orës 15:08, nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal në Ferizajt jemi njoftuar se është sjellë një person i gjinisë femërore e moshës rreth 20 vjeçare. Mjekët, nga kjo qendër kanë konfirmuar vdekjen e saj. Tani për tani nuk dihet identiteti i saj dhe rrethanat e vdekjes. Policia menjëherë ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po e heton këtë rast”, tha ai.

Të ndjerën dyshohet se deri tek emergjenca e kanë dërguar persona të panjohur, të cilët pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.

20 vjeçaren pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt e kanë sjellë dy persona me veturë me tabela të Zvicrës.

Kështu ka bërë të ditur për Kallxo.com kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Dy persona e kanë sjellë me një veturë të tipit ‘Audi’ me tabela të Zvicrës. Tabelat, për momentin, nuk mund të deshifrohen. Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit. Ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë e Policisë së Kosovës”, tha ai.