Krejt-kah-pak

A ndalon ligji i ri në Teksas shumicën e aborteve? – Aborti në Kosovë dhe në botë

Në Teksas, aktivistët kundër abortit po festojnë ndërsa përhrahësit e të drejtës për abort janë hedhur në protesta kundër një ligji të ri. Ligji përmban disa nga kufizimet më të rrepta ndaj të drejtës së gruas për të vendosur mbi vazhdimin apo ndërprerjen e shtatzanisë.

Mungesa e qasjes në abort të sigurt rezulton që 45% e të gjitha aborteve në mbarë botën të kryhen në mënyrë të pasigurt. Aborti i pasigurt mbetet një problem i madh i shëndetit publik që përbën deri në 13% të vdekshmërisë së nënave në të gjithë botën, ose rreth 47,000 vdekjesh, me qindra mijëra të mbijetuara që jetojnë me komplikime afatgjata, përfshirë infertilitetin dhe dhimbjen kronike. Nga këto aborte të pasigurta, 97 përqind ndodhin në Azinë Jug-Qendrore, Afrikën dhe Amerikën Latine.

Me Ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës, “një femër e moshës madhore mund të vendosë vet mbi ndërprerjen e shtatzënisë deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së 10 është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional”. Aborti sipas të njëjtit Ligj, lejohet edhe pas javës së 10, madje në çdo periudhë të shtatzënisë, për arsye mjekësore. Kurse, “për arsye kriminologjike një femër ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë gjerë në javën e 22-të”.

Harta Botërore e Ligjeve për Abortin është regjistri përfundimtar i statusit ligjor të abortit në vendet anembanë globit. Që nga viti 1998, Qendra për të Drejtat Riprodhuese ka prodhuar këtë hartë si burim për aktivistë, zyrtarë, qeveritarë dhe organizata të shoqërisë civile që punojnë për t’i avancuar të drejtat e abortit si të drejta të njeriut për gratë dhe vajzat anembanë globit. Kjo hartë azhurnohet në kohë reale, duke pasqyruar ndryshimet në ligjet kombëtare në mënyrë që mbrojtësit e të drejtave të njeriut të mund të monitorojnë sesi vendet mbrojnë – ose mohojnë – të drejtat e riprodhimit në të gjithë botën.

Ndryshimet e fundit në ligjin e abortit në Teksas në ShBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do ta kundërshtojë fuqishëm ligjin e ri në shtetin e Teksasit, i cili ndalon shumicën e aborteve.

Biden e cilësoi vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së për të mos e bllokuar ligjin si një “sulm të paparë” mbi të drejtat e grave.


Çdo individ tani ka të drejtë të padisë këdo që përfshihet në sigurimin ose lehtësimin e abortit pas gjashtë javëve shtatzëni në Teksas.
Gjatë kësaj kohe, shumë gra as që e dinë se janë shtatzënë.

Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan Gjykatës Supreme ta bllokojë ligjin, por ajo refuzoi, duke votuar me pesë vota në favor të ligjit dhe katër kundër.

Gjykatësit thanë se vendimi i tyre nuk bazohet në ndonjë përfundim nëse ligji i Teksasit është kushtetues ose jo dhe se dera për sfidat ligjore mbetet hapur.

Presidenti Biden akuzoi Gjykatën Supreme për “kaos jokushtetues”.

“Gjykata më e lartë e tokës sonë do të lejojë që miliona njerëz në Teksas që kanë nevojë për kujdes riprodhues, të vuajnë, derisa gjykatat të analizojnë kompleksitetin procedural”, tha Biden.

Ai tha se ka kërkuar nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore dhe nga Departamenti i Drejtësisë të shohin se çfarë hapash mund të ndërmarrë Qeveria kombëtare për të mbrojtur gratë dhe ofruesit e shërbimeve të abortit, por nuk dha më shumë detaje.

Biden tha se ligji shkel rastin historik Roe v Wade të vitit 1973, me të cilin Gjykata Supreme legalizoi abortin në të gjithë SHBA-në.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, tha se shteti i tij “gjithmonë do ta mbështesë të drejtën për jetë”. Ai e nënshkroi ligjin për abortin në muajin maj.

Ligji i quajtur Akti i Rrahjeve të Zemrës i ndalon abortet pas zbulimit të rrahjeve të zemrës së fetusit, thonë kritikët e abortit.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve thotë se termi “rrahje zemre” nuk është i saktë, pasi ajo që zhvillohet gjatë gjashtë javëve shtatzëni është “një pjesë e indit të fetusit që do të bëhet zemër derisa embrioni zhvillohet”.

Ligji bën përjashtime në rast të urgjencës mjekësore, por kërkon prova me shkrim nga mjeku. Ligji nuk bën përjashtime për shtatzënitë që rezultojnë nga përdhunimi ose incesti.


Gratë nga Teksasi që dëshirojnë të abortojnë pas gjashtë javësh, do të duhet të udhëtojnë në shtete të tjera të SHBA-së.

Çfarë është Roe v Wade?

Abortet u bënë të ligjshme në të gjithë SHBA-në me një vendim historik të Gjykatës Supreme më 1973, i cili njihet si rasti Roe v Wade.

Me shtatë vota për dhe dy kundër, gjyqtarët e gjykatës vendosën se qeverive individuale të shteteve u mungon fuqia për të ndaluar abortet.
Aktgjykimi u bazua në vendimin se e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë bie nën lirinë e zgjedhjes personale, e cila mbrohet me Amendamentin e 14 -të të Kushtetutës amerikane.

Vendimi erdhi pasi një grua 25-vjeçare, Norma McCorvey, me pseudonimin “Jane Roe”, sfidoi ligjet penale të abortit në Teksas, që ndalonin shumicën e aborteve.

Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Teksasit, i cili mbrojti ligjin kundër abortit.

Rasti krijoi një sistem “tremujor” që:
u jep grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë;lejon disa rregullime qeveritare në tremujorin e dytë të shtatzënisë;deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës.