Javën që lamë pas, Elta Bajrami, një talente e re kosovare, përfaqësoi shtetin e Kosovës në Kampionatin Botëror të Microsoft Office Specialist “MOS”. “MOS” është garë globale që teston aftësitë e studentëve në Microsoft Office Word, Excel dhe PowerPoint. Studentët më të mirë janë të ftuar t’i përfaqësojnë vendet e tyre përkatëse në Kampionatin Botëror.
Në një garë me konkurrencë prej më shumë se 200,000 pjesëmarrësve nga 108 shtete të botës, Elta Bajrami fitoi vendin e 6-të në këtë kampionat.
Është hera e parë që Kosova renditet në top-dhjetëshe të kësaj gare prestigjioze.
E pyetur nga Grazeta se si është ndjerë kur ka kuptuar se ka arritur të jetë në top dhjetëshe, ajo ka thënë se “akoma nuk po mundem me besu. Vazhdimisht hyj në faqe e bëj refresh dhe çdo refresh shoqërohet me një buzëqeshje kur e shoh Kosovën të renditur në top vend.”
Ndonëse fusha e teknologjisë është duke shkuar përpara në botë, sikurse edhe në Kosovë, ende ka vajza e gra që ngurrojnë t’i hyjnë kësaj fushe. Këshilla e Eltës për këto vajza është: “Vazhdoni përpara! Mos iu frikësoni punës dhe as paragjykimeve të të tjerëve. Fjalët e tyre [të tjerëve] shkojnë, por puna juaj mbetet.”
Elta 18 vjeçare në të ardhmen ka planifikuar t’i vazhdojë studimet në lëminë e bioinxhinierisë dhe të investojë në promovimin e mëtutjeshëm të dobisë së teknologjisë në të mirë të njerëzimit dhe Kosovës.
Add Comment